ISHP jep detaje: Ja sa kushton analiza e koronavirusit dhe si kryhet ajo, nuk e ndalojmë dot virusin në kufi

0
444

Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, sqaroi ditën e djeshme të gjithë procedurën që ndiqet për kryerjen e analizës së koronavirusit, si dhe sa kushton kjo analizë. Gjatë një interviste televizive, Bino tha se analiza kushton 150 mijë lekë të vjetra, që mbulohen nga shteti, ndërsa shtoi se për kryerjen e saj fillimisht merren mostrat në fazën faringale të hundës ose gojës, mbase edhe të gjakut ose më pas edhe të feçes, që dërgohen tek ISHP, ku nis procesi i vlerësimit të tyre, deri në daljen e rezultateve. “Dua ta nis që nga fillimi, procesi i marrjes së mostrës. E rëndësishme është identifikimi i këtyre personave, që i quani të dyshuar. Këta janë persona që kanë një ose dy shenja, apo histori, që mund të na bëjnë të mendojmë. Së pari kryhet një mostër në fazën faringale e hundës ose e gojës, në disa raste edhe e gjakut, më pas mund të marrim edhe feçe, në bazë të të dhënave që do na jepen dhe testeve diagnostike që dalin. Marrim këtë mostrën dhe e transportojmë në kushtet e duhura të transportit. Ne përdorim të njëjtin transport si për gripin, në mënyrë që ai të ruhet në kushtet e duhura. Mostra vjen pranë ISHP dhe nis procesi i vlerësimit të mostrës, nëse është e duhura, nëse është e derdhur, e prishur. Procesi zgjat shumë pak, mund të zgjasë një orë, në varësi të numrit të mostrave. Aktualisht kemi një njeri që me shumë rigorozitet e shikon këtë. Mostrat që nuk vlejnë ne i kthejmë dhe marrim prapë mostër, kur mendojmë se nuk është marrë mirë”, tha Silva Bino. Më tej, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik sqaroi edhe se kush është protokolli i OBSH që duhet të zbatohet. “E rëndësishme për shërbimin kufitar është kur kemi të dhëna që personi ka udhëtuar me një person tjetër të prekur. Menjëherë nga lista që marrin në kufi kryejmë hetimin e rastit. Është e pamundur të ndalojmë virusin në kufi. Protokolli i OBSH është që ne duhet të gjurmojmë personat që kanë pasur kontakt me një person të prekur dhe e kemi bërë këtë”, tha Bino.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here