Qeveria ka vendosur të shtojë benefitet për gjyqtarët dhe prokurorët që i kanë mbijetuar dhe do i mbijetojnë vetingut. Në bazë të ligjit për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, dje Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim ku u mundëson njerëzve të drejtësisë të përfitojnë kredi të buta për të blerë banesën. Në vendim janë përcaktuar kushtet dhe kriteret që duhet të përmbushin magjistratët.
“Magjistrati ka të drejtë që të përfitojë vetëm një herë kredi hipotekore, interesat e së cilës financohen nga shteti, kur ka ushtruar detyrën për një periudhë jo më pak se tre vjet pa ndërprerje dhe ka nevojë për banim, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2, në zonën e qendrës së qytetit ku ai ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës në fjalë shtohet me 10 m2 për person. Me sipërfaqe apartamenti kuptohet sipërfaqja e shfrytëzimit të banesës, sipas përkufizimit të dhënë në normat e projektimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për normativat e projektimit të banesave. Me vlerë mesatare të apartamentit kuptohet çmimi në lekë për metër katror (m2) i banesave në treg, që miratohet me udhëzim të Këshillit të Ministrave”, shkruhet në vendim.
Kushtet e përfitimit
Përpos vjetërsisë së punës dhe përfitimit një herë të kredisë në fjalë, në një pikë tjetër, në vendimin e Këshillit të Ministrave evidentohen rregullat e tjera që duhet magjistrati të përmbushë, për të marrë kredinë e butë, që do e përfitojë për banim në vendin ku është emëruar: Të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet detyrën e tij; Të mos ketë përfituar më parë kredi për shtëpi të financuar nga shteti, gjatë ushtrimit të funksionit të tij; Të mos jetë përfituar kredia për shtëpi e subvencionuar nga shteti nga një person tjetër brenda familjes së magjistratit, i cili ka të drejtën e përfitimit të kësaj kredie; Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk ka në pronësi të tij pasuri të paluajtshme pa kolateral, për qëllime banimi ose pasuri të paluajtshme, që përdoret për veprimtari tregtare, shërbimi e prodhimi. “Magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç nuk ka në pronësi të tij pasuri të paluajtshme pa kolateral, për qëllime banimi ose pasuri të paluajtshme, që përdoret për veprimtari tregtare, shërbimi e prodhimi; nuk kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë një banesë në shumën e vlerës përkatëse të kredisë të financuar nga shteti, që duhet të përfitojë magjistrati”, sqarohet në vendim.
Dokumentet
Më tej theksohet se kur gjatë apo pas zbatimit të kredisë rezultojnë se në kërkesë janë bërë deklarime të rreme apo magjistrati nuk gëzon më statusin si magjistrat, si pasojë e shkarkimit nga detyra, kredia konvertohet drejtpërdrejt në kredi tregtare, kusht i përcaktuar edhe në kontratën e kredisë. Më tej janë përcaktuar dhe dokumentet e nevojshme që duhen dorëzuar: certifikatën e lindjes dhe certifikatën familjare, në çastin e dorëzimit të kërkesës; deklaratën për rrethanat, që mbështesin nevojën për strehim, sipas këtij vendimi. Për çdo deklarim, për të përfituar nga kredia lehtësuese, subjekti konfirmon vërtetësinë e tyre dhe pranon kushtin për konvertimin e drejtpërdrejtë të kredisë lehtësuese në kredi tregtare, kur vërtetohen pavërtetësi në deklarim dhe/ose rrethana të rreme. Kopje e kësaj deklarate i vihet në dispozicion edhe institucionit bankar; vërtetimin nga gjykata ose prokuroria ku magjistrati ushtron detyrën; vërtetimin nga punëdhënësi mbi të ardhurat neto të çdo anëtari të familjes mbi moshën 18 vjeç; vërtetimin nga Agjencia Kombëtare e Kadastrës.