Ardian Isufi: “Tuj shëtit në ara t’gjata midis barit t’njomë”, rrugëtim alternativ midis një situate poetike dhe filozofike

0
361

“Tuj shëtit në ara t’gjata midis barit t’njomë” titullohet ekspozita e hapur në “ME WE”, qendra e artit bashkëkohor në pazarin e vjetër në Korçë. Një tjetër ekspozitë të veçantë e hapur në këtë qendër arti, që përmban punë të autorëve Ardian Isufi, Altin Lika, Ergys Krisiko, Florian Haxhihyseni, Genti Gjikola dhe Harri Aleksi. Kjo ekspozitë që u çel në ditët e fundit të dhjetorit të vitit që lamë pas, po vijon për publikun në Korçë. Drejtori artistik Ardian Isufi shprehet, se kjo ekspozitë pas Korçës do të jetë edhe në Hagë. Në intervistën për “SOT”, si artist pjesëmarrës në këtë ekspozitë, Ardian Isufi shprehet se titulli ekspozitës, e cila ka një ndërthurje midis një situate poetike dhe filozofike, është frymëzuar nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë së Mesme. Për ekspozitën, drejtori artistik Isufi shprehet se artistët pjesëmarrës, ku pjesa më e madhe janë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve, sjellin situata të përjetimit dhe rrugëtimit të tyre artistik. Koordinator për Korçën është Joan Deli, ndërsa për ekspozitën që do të hapet në Hagë është Ergys Krisiko.

-Në qendrën e artit “ME WE” është hapur ekspozita “Tuj shtëtit në ara t’gjata midis barit t’njomë”. Për ju ku qëndron veçanta e kësaj ekspozite, që vjen në vijim dhe të atyre që janë hapur më parë në “ME WE”?

Titulli ekspozitës, e cila ka një ndërthurje midis një situate poetike dhe filozofike, është frymëzuar nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë së Mesme. Një titull, i cili për ne flet shumë sa i përket atij momenti të metaforës së rrugëtimit në këtë rast. Të një rrugëtimi artistik nëpërmjet, një reflektimi, që bën gjithsecili nga ne në një shëtitje, e cila sjell në vetvete nëpërmjet elementit të arës, nëpërmjet elementit të barit, pjesë që lidhen me kujtesën, me nostalgjinë, që lidhen me një mendim të thellë të historisë njerëzore. Artistët pjesëmarrës, ku pjesa më e madhe janë dhe pedagogë të Universitetit të Arteve sjellin situata të përjetimit dhe rrugëtimit të tyre artistik, duke e parë në një tendencë të fortë dhe të qënësishme të artit bashkëkohor me shumë aspekte, që lidhen nëpërmjet instilacioneve kinetike, nëpërmjet animacioneve virtuale, shkrimeve që vijnë si tekste virtuale apo dhe shkrimeve dhe instilacioneve të cilat janë tekste, por që përmbajnë një qëndrim të caktuar në historinë dhe përvojën tonë, por dhe në historinë dhe përvojën mbarëbotërore. Titulli ekspozitës “Tuj shtëtit në ara t’gjata midis barit t’njomë”, ne jemi lidhur më shumë me elementin poetik të vargut, të fjalës, të qëndrimit që ka pasur kjo pjesë e kulturës, e cila risillet për tu rishikuar në kontestet të reja dhe aktuale. Mendoj që është bërë një paralelizëm shumë i mirë, jo vetëm me historinë e këtij titulli, që në ekspozitën tonë vjen në formën e slloganit, dhe në një shkrimi neon i cili sot është tendencë dhe në botë, si një lloj mjeti për të bashkëbiseduar me publikun, sidomos në hapësira publike. Gjithashtu ka dhe elementë të tjerë, ku ne kemi dhe “Muret kanë veshë”, që është një tjetër titull i rëndësishëm i bashkëbisedimit, që ne kemi me publikun. Futemi edhe këtu në një provokim sa i përket paqëndrueshmërisë, që tashmë po na bëhet e përhershme përballë fenomeneve të caktuara, që ndodhin në shoqëri. Ekspozita është hapur në qendrën e artit “ME WE”, në fund të muajit dhjetor dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të muajit janar në Korçë. “ME WE” si qendër e artit bashkëkohor në Korçë e stacionuar në pazarin e vjetër të këtij qyteti, prej një viti trajton tema, side specific që hidhen në këtë hapësirë në zona të caktuara, duke pasur një përshfaqje interier dhe enterier. Pra brenda dhe jashtë galerisë, ku galeria në këtë hapësirën e pazarit të vjetër nuk shikohet vetëm thjesht si një vend për të ekspozuar disa vepra, por shikohet si një vend ndërveprimi me publikun, qysh nga fasadat e saj, nga mënyra se si veprat përshfaqen jashtë galerisë dhe më pas dhe brenda saj, duke krijuar një ndërthurje ashtu si sot është tendencë në artin bashkëkohor.

-Pas qytetit të Korçës “Tuj shëtit në ara t’gjata midis barit t’njomë” do të jetë në Hagë. Kur do të hapet atje për publikun?

Ishte një ftesë e ambasadës shqiptare në Hagë, e cila ka një hapësirë, ku ne gjithashtu këtë po e konceptojmë si një bashkëveprim ndërmjet veprave tona dhe publikut. I ngel Hagës vazhdimësia për të krijuar një urë reale bashkëpunimi të prurjeve dhe vlerave artistike, me tendencë në artin bashkëkohor me një publik, që e njeh Shqipërinë, por e njeh shumë pak. E njeh në vija të përgjithshme dhe ku ka më mirë se kultura dhe arti për të folur me gjuhën universale ndërmjet përvojave njerëzore, ndërmjet Shqipërisë, Korçës dhe Hagës.

-Qendra “ME WE” ka një vit që është hapur në Korçë. Si ka qenë viti që lamë pas me aktivitetet?

Në qendrën e artit bashkëkohor “ME WE” ka pasur disa aktivitete, që janë zhvilluar dhe që kanë qenë në suksesshme. Së pari, sepse këto aktivitete kanë në qendër krijimtarinë, me një qëmtim dhe analizë artistike shumë të veçantë të artistëve. Në ekspozitën e parë në këtë qendër arti, ishte qenë një ndërthurje e artistëve shqiptarë dhe artistëve amerikanë. Sjellja e këtyre dy eksperiencave në Korçë krijoi një situatë shumë interesante të përjetimit të disa fenomeneve, që mund të themi janë të njëjta ndërmjet qyteteve, por që ndërthuren në mënyrë shumë interesante, nëpërmjet instilacionit, pikturës, videprojeksionit dhe me rradhë. Së dyti, në këto aktivitete janë promovuar studentët dhe artistët e rinj, ku veprat e atyre kanë lënë një shije të mirë për publikun. Por këtu nuk po flas vetëm për publikun korçar, sepse ka dhe shumë turistë dhe personazhe, të cilët janë kapacitete të rëndësishme sot, emra të rëndësishëm të galerive në botë, të studiuesve dhe kritikëve ndërkombëtarë dhe të kuratorëve, të cilët kanë krijuar një opinion me vlerësime optimale për sa i përket gjithë veprimtarisë, që kjo galeri ka në Korçë. Por dua të ritheksoj, që “ME WE” është një platformë e artit bashkëkohor, e cila përpiqet të sjellë në këndvështrimet e artistëve sa më shumë gjëra unike, dhe sa më tepër në raport me atë që ne i themi sot ndërmjet lokales dhe globales.

-Pas kësaj ekspozite që ju keni hapur në Korçë, cili do të jetë aktiviteti i radhës?

Aktiviteti i radhës do të jetë në muajin shkurt, ku ne po përgatitemi për një event të rëndësishëm në Prishtinë, që lidhet me konkursin “Onufri Re-made”. Pra është një hapësirë e re alternative për ti bërë të kuptuar jo vetëm institucioneve shtetërore, por edhe qarqeve artistike, që një aktivitet si “Onufri” duhej patjetër të vazhdonte eksperiencën e tij, dhe “ME WE” në Korçë do të jetë një hapësirë satelit, një hapësirë kolaterale, ku disa artistë do ekspozojnë disa vepra, që do jenë në një mënyrë në një formë paralele në raport me Prishtinën. Pra “Onufri Re-made” nuk do jetë vetëm në Prishtinë, por do kemi dhe Korçën, si dhe një hapësirë mobile. Janë hapësira statike dhe hapësirat, që shkojnë më afër publikut nëpërmjet një rrugëtimi urban edhe social.

-Në muajin e parë të 2020, çfarë mund të na thoni për jetën artistike në vend?

Unë nuk parashikoj ndonjë lëvizje të madhe, në kuptimin e tendencave dhe zhvillimeve kulturore. Besoj do jetë një situatë e zbehtë, e cila pa dyshim duhej të kishte një vëmendje më të madhe nga institucionet përkatëse të artit. Por ajo që shoh me optimizëm, janë lëvizjet e artistëve në mënyrë individuale dhe të grupimeve artistike, të cilat po përpiqen të japin një ton më të fortë dhe më të rëndësishëm të zhvillimeve të reja, sidomos në artin pamor, por dhe në kulturën në përgjithësi.

-Në projektet tuaja personale, a është një ekspozitë personale këtë vit?

Pas pjesëmarrjes në bienalen e Venecias të Arkitekturës në pavionin shqiptar, ku ishte një eksperiencë shumë e mirë, sepse vepra ime disa instalacione kinetike konsistonte në uzurpimin e hapësirave publike, që u mirëkuptua nga publiku i gjerë ndërkombëtar, do të kaloj në një etapë akoma dhe më të laboruar për sa i përket një eventit në një ekspozitë personale. Ekspozitë ku do të sjell në formën e një analize pothuajse gazetareske, se si mund të përdoret koncepti i gazetarisë në art. Një temë, e cila nis nga Shqipëria, por që sot merret dhe trajtohet shumë dhe në sistemin e artit. Unë do ta risjell për ta rivlerësuar dhe të rianalizuar, në kushtet që ne jemi sot. Në kushtet ku duhet të jetë edhe dialogu me sistemin e artit. Kjo është një ekspozitë, që unë e mendoj këtë vit dhe po përgatitem. Në morinë e shumë angazhimeve të mia qofshin kulturore dhe publike, të jetësohet në muajin mars të këtij viti kjo ndërhyrje artistike, që analizon shumë fenomene, që lidhen me kulturën tonë, po edhe si ajo sot merret dhe analizohet nga pjesë të caktuara të sistemit të artit dhe të institucioneve kulturore në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here