“Katedralja e Parisit”, një vepër nga Victor Hygo, përshtatur për herë të parë për artin e bukur dhe të vështirë të cirkut pritet të jetë premierë me koreografinë e mjeshtrit Llaqi Nako. Një projekt me ide nga Eris Dakli, me regji dhe koreografi Llaqi Nako, kjo shfaqje cirku do të jetë premierë me sezonin artistik të vitit që vjen në Cirkun Kombëtar. Koreografi i njohur Llaqi Nako tregon se kjo shfaqje ishte menduar si premierë për 60-vjetorin e Cirkut Kombëtar, por që për shkak të problemeve që dolën nuk arrit të realizohej në arenën e cirkut. “Ndodhën disa gjëra në cirk, që u ndërpre puna aty ku duhej të konkludohej. Arena e cirkut është mbyllur, sepse ndodhi një aksident dhe u ftoh shfaqja. Por vitin që vjen kjo shfaqje do të jetë premierë, maksimumi deri në 15 shkurt duhet të dalë për publikun. Kjo shfaqje ishte në kuadër të 60 vjetorit të krijimit të cirkut në vendin tonë, por për problemet që dolën nuk u bë”, tregon koreografi Llaqi Nako. Mjeshtri i koreografisë shqiptare Llaqi Nako, tregon se kjo shfaqje ka të veçantat e saj. ““Katedralja e Parisit” vjen për herë premierë, por me një lloj dramaturgjie skenike. Këtu do të sundojë akrobacia, do e mbështesë në mënyrë aktive koreografia, dhe po përpiqem shumë që të ruhet dramaturgjia e veprës. Kjo në kuptimin, që të ketë personazhe dhe padyshim, që nuk do të jenë të kornizuar siç mund të jenë në muzikal, por do të jenë ilustrativë, që ti referohen veprës”, tregon koreografi. Kjo vepër vjen për herë të parë në Shqipëri, por si një shfaqje cirku, ku koreografi Llaqi Nako tregon se është përpjekur ta përshtasë për fëmijët. “Si dramaturgji e kundërshton pak specifikën e cirkut, sepse cirku zakonisht ka spektatorin e vet, siç ka libri lexuesin e vet, siç ka opera publikun e saj, por në cirk janë fëmijët të shoqëruar nga prindërit. Kuazimodo që është personazh shumë kompleks, unë nuk e kam bërë këtë që të tremb fëmijët, por e kam sjellë që ti përshtatet atyre”, tregon koreografi.
Puna me të rinjtë
Ndërsa puna për këtë projekt ka vijuar disa kohë më parë, mjeshtri i koreografisë Llaqi Nako shprehet se ka angazhuar dhe të rinjtë e studios së cirkut. “Unë bëra një zgjedhje, mendova të angazhoj artistët e studios së cirkut. Të mësosh akrobatin të kërcejë është e vështirë, por të mësosh balerinin të bësh akrobaci është akoma më e vështirë. Kjo ishte sfida. Megjithatë pashë që pati interes. Ky fakt më inkurajoi”, tregon koreografi Llaqi Nako. Kjo premierë vitin që vjen sipas koreografit Llaqi Nako do të jetë në arenën e cirkut, por ai tregon se ajo që ishte më e vështirë në këtë projekt është alternimi i gjuhës koreografike me atë akrobatike. “Duke i lidhur ato që të mos i tingëllojë thjesht balet apo akrobaci, dhe këto dy gjini të mos i kthejnë kurrizin njëra -tjetrës por të harmonizohen, të duken si një veprim i përbashkët, me aq sa mund të vlerësoj sot jemi tek 60 për qind e punës me shfaqjen aty ku duhet me zgjedhjen e gjuhës koreografike”, pohon ai. Katedralja e Parisit është një roman historik, shkruar nën ndikimin e mbresave të Revolucionit që përmbysi monarkinë. Ngjarjet janë vendosur në shekullin XV, por trajtojnë probleme morale dhe filozfike të kohës. Në themel të konflikteve dramatikë në roman qëndrojnë kategoritë morale të së mirës e së keqes. Ideja e dashurisë për njeriun e mirë përshkon të gjithë romanin dhe lëviz ngjarjet. E jashtëzakonshmja, rastësorja, befasuesja dhe tronditësja përbëjnë elementet bazë të rrëfimit romantik, që përbëjnë thelbin e veprës. Situatat e jashtëzakonshme janë realizim parësor i veprës, sikurse ndeshjet befasuese me heronj të shumtë, euforia e turmës dhe pushteti i saj. Katedralja vjen si vepër madhështore, sikurse është edhe vend tragjedish të llahtarshme, rrjedhojë e veprimeve të padrejta, është selia e Klod Frolos, sikurse vendqëndrimi i Kuazimodos dhe vendstrehimi i Esmeraldes.
Nga Julia Vrapi