Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm. Në këtë cikël, tregohen të dhënat për individë të caktuar që u angazhuan në parti, të mbledhura nga një informator. Në dokumentin e sotëm tregohen të dhëna për Nako Spirun, Hysni Kapon, Bedri Spahiun dhe emra të tjerë.
31 janar 1957
Të dhënat për anëtarët e partisë
(Vijon nga numri i kaluar)
-Liri Gega, lindur në Gjirokastër nga familje qytetare e mesme, mbaruar studimet për arsimtare. Anëtare e Komiteti Qendror që me themelimin e partisë. Në verën e 1944 ishte e deleguar e plotfuqishme e Komitetit Qendror pranë Divizionit I partizan, që u hodh nga jugu në veri për vendosjen e pushtetit komunist në Gegëri. Me këtë post ajo forcoi pozitat e saj dhe aspironte të zinte vendin e Koçi Xoxes si sekretar organizativ. Por në plenumin e Beratit në tetor 1944 u akuzua për karrierizëm e ambicie personale, gabime të deviacionit dhe vrasje të pajustifikuara në veri, prandaj u shkarkua nga Komiteti Qendror. Më pas ka qenë kryetare e bashkimit të grave anti-fashiste. Kur iu lëkundën këmbët asaj dhe të shoqit (Dali Ndreu) Liria u hoq dhe nga bashkimi i grave dhe u dëbua nga partia si element i pavlefshëm dhe u emërua diku si mësuese.
Ishte organizatore e zonja dhe me autoritet. Nuk i trembej përgjegjësive dhe iniciativave, e egër dhe arrogante, ishte tmerri i kuadrove, një “Mehmet Shehu” në miniaturë. Ishte e zonja, por e ligë nga shpirti. Tani ka mbetur e braktisur dhe e izoluar, me siguri do të jetë tepër e pakënaqur sepse nuk ishte tipi i Kristo Themelkos, por jashtëzakonisht ambicioze. -Ramadan Çitaku, me pseudonimin “Baca”, anëtar i Komitetit Qendror në themelimin e partisë, ka pasur përherë përgjegjësinë e financave dhe të furnizimit pranë shtabit të përgjithshëm, deri në çlirimin e Shqipërisë. Njëri i ngrysur, pa fjalë, jo shumë i kulturuar apo politik, por organizator i mirë në qeverinë e parë të Beratit deri në 1948. Me prishjen e marrëdhënieve me Beogradin i humbi pozitat. Në 1949 u emërua nëpunës në degën e arkave të kursimit në Tiranë. Si punëtor i mirë në 1952 u ngrit në detyrën e Drejtorit të Arkave të Kursimit në Shqipëri. Në këtë post e lashë në nëntor 1954 kur u arratisa. -Sejfulla Malëshova, ka lindur në Malëshovë të Gjirokastrës dhe ka qenë anëtar i grupit “Bashkimi” në kohën e Fan Nolit. U arratis nga Shqipëria me ardhjen e regjimit të Zogut dhe triumfin e “Legalitetit”. Në Rusi mbaroi shkollën e Kominternit dhe punoi si profesor fakulteti në Rusi. Ka qenë pak kohë në Perëndim, në Francë dhe u kthye në Shqipëri kur u formua partia. Ka qenë teoricien i partisë dhe ekspert i çështjeve ekonomike. Pas çlirimit, pikëpamjet e tij u etiketuan si të djathta (ishte kundër metodave revolucionare në ekonomi, kërkonte ritme më të ngadalta) dhe u përjashtua nga Byroja Politike, por u la për njëfarë kohe në Komitetin Qendror, për t’u dëbuar në 1946. Në 1954 e lashë përkthyes të thjeshtë. Po të mos ishte rrëzuar Koçi Xoxe mund të ishte arrestuar e dënuar. Kishte përgatitje të shëndoshë kulturore. -Nako Spiru, anëtar i Komitetit Qendror disa muaj pas themelimit të partisë, njeri i zoti, politik dhe organizativ. Vrau veten në fillim të 1948 në rrethana që tregojnë se mund të jetë vrarë nga partia, sidomos nga Koçi Xoxe, që po përgatitej ta arrestonte si agjent i imperialistëve, pasi ishte kundër marrëveshjes shqiptaro-jugosllave pasi e konsideronte të favorshme vetëm për Beogradin. -Bedri Spahiu, anëtar i Komitetit Qendror në Konferencën e Parë të partisë në mars 1943. Ka qenë komisar i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm deri në çlirimin e Shqipërisë me gradën gjeneral-major. Për një kohë të shkurtër ka qenë ministër i Asistencës Sociale, drejtor policie dhe Prokuror i Përgjithshëm, megjithatë nuk kishte pozita të forta në kohën e Koçi Xoxes dhe mbikëqyrej nga Sigurimi. Spahiu i forcoi pozitat pas Kongresit të I-rë në 1949, duke u bërë sekretar i agjitacion-propagandës në Byronë Politike. Mehmet Shehu për ambiciet e veta e akuzoi si të djathtë në Kongresin II-të, kur dhe u hoq nga Byroja, por mbeti në Komitetin Qendror dhe ministër i Arsimit e Kulturës. Ra nga ky post në 1955 dhe me sa kam dëgjuar është mësues në Elbasan. Njeri i sjellshëm e i respektuar, nuk është pajtuar kurrë me ekstremizmin e Mehmetit, por nuk ka pasur guximin t’i bëjë ballë burrërisht. Ka qëndruar më tepër në pasivitet me pikëpamjet e tij, ndoshta sepse e shikonte se ekstremizmi ishte dhe qëndrimi i Moskës. Për të shpëtuar pozitat e tij kishte arritur në njëfarë servilizmi ndaj Mehmet Shehut. -Hysni Kapo, me pseudonimin Besniku, ishte në një moshë me Enverin, rreth 46-47. Anëtar i Komitetit Qendror që në Konferencën e I, mars 1943, në fillim sekretar politik i Vlorës, komisar i Brigadës V-të. Në 1945 u dërgua si ambasador në Beograd, zv. kryeministër pas Kongresit të I-rë dhe ministër i Bujqësisë. Ishte njeri me zgjuarsi otomane për intriga e dallavere. Organizator i mirë, njeri i iniciativave e planeve, di të manovrojë nga fryn era, gëzon konsideratë në parti pasi në kohën e luftës njihej si trim. -Tuk Jakova, ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë që në Konferencën e parë në 1943, delegat i Mokrës dhe komisar i Brigadës I-rë. Pas çlirimit ishte ambasador në Beograd, dhe ministër i Financave (në vend të Ramadan Çitakut). I forcoi pozitat pas Kongresit I-rë duke zënë vendin e Koçi Xoxes së rrëzuar, pra u bë personi nr. 3 i qeverisë. Gradualisht Mehmeti e largoi nga posti i Sekretarit Organizativ. Më pas në 1955 së bashku me Bedriun u dënuan nga partia. Së fundmi kam dëgjuar se është përgjegjës i një zdrukthtarie. Fati i tij ka qenë përherë i lidhur me fatin e Bedriut. Ishte organizator i zoti, si politik dhe punëtor. Për të ruajtur pozitat ka pranuar çdo kritikë nga partia, ose më saktë çdo autokritikë që i ka kërkuar Mehmeti. Edhe këtu i ngjan shumë Bedri Spahiut.
-Pandi Kristo, anëtar i partisë që në Konferencën e 1943, ka qenë krahu i djathtë i Koçi Xoxe dhe shumë i besuar nga Beogradi. U dënua me 20 vjet burgim në 1949 në gjyqin e Koçi Xoxe. Ishte tmerri i kuadrove, i heshtur, nuk shoqërohej me njeri, mizantrop. Ka një fytyrë të palëvizshme dhe sytë e një njeriu që mund të pushkatojë njerëz sikur vret rabecka. S’ka kapacitet udhëheqës, por zbatues i programit me mjete të egra. Nuk ishte karrierist, edhe në kohën e luftës i thonin “xhandari”. Bashkë me shënimet biografie që kam dhënë më përpara, këtu mbyllet lista e eksponentëve të partë të Partisë Komuniste Shqiptare.
Konkluzionet
Kam përmendur gjithsej 22 eksponentë dhe 6 shefa të grupeve të vjetra komuniste. Nga 22 eksponentët sot vetëm 5 kanë ruajtur pozitat e tyre që janë Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Gogo Nushi e Pilo Peristeri. 5 të tjerë janë nxjerrë nga postet dhe nga partia, duke u braktisur thuajse rrugëve, siç janë Imer Dishnica, Liri Gega, Sejfulla Malëshova, Zef Mala e Pandi Kristo (dy të fundit janë burgosur). 7 të tjerë janë mbajtur sa për formalitet dhe nuk kanë asnjë post me rëndësi. Ata janë: Kristo Themelko, Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Koço Tashko, Miho Dako, Nasi Mariani, Bedri Spahiu. Pesë të tjerë që kishin poste me rëndësi janë vrarë; 2 nga armiku (Vasil Shanto e Qemal Stafa) dhe 3 të tjerë nga partia (Koçi Xoxe, Nako Spiru, Anastas Lulo).
Aneks Pyetja III-të
Përveç 22 eksponentëve shqiptarë të partisë që përmenda ishin dhe dy udhëheqës të huaj që mezi flisnin shqip; Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, të dy anëtarë të Komitetit Qendror të partisë jugosllave për Kosovën. Ata u çliruan nga kampi italian i përqendrimit në Durrës dhe qëndruan në Shqipëri deri në prag të çlirimit, pra nga mesi i 1944. Më pas vendin e Miladin Popoviç e zuri Velimir Stioniç, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, që më vonë u bë ambasador i Jugosllavisë në Tiranë. Stioniç në 1947 u transferua në Beograd.
Tjetër person që vinte me raste në Shqipëri ishte anëtari i Byrosë Jugosllave, Svetzar Vukmanoviç, me pseudonimin Tempo, sot zv. kryeministër i Jugosllavisë. Por le të kthehemi te Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Miladini me pseudonimin “Aliu” ishte organizator i shkëlqyer dhe largpamës politik. Për punën e tij në Shqipëri u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Jugosllavisë. Ishte person që të imponohej me prezencën fizike dhe aftësitë e inteligjencës. E kam takuar disa herë në kohën e revolucionit. Pa të Partia Komuniste Shqiptare nuk do të organizohej kurrë për të korrur sukseset që korri. U vra në 1946 në Jugosllavi në zyrën e tij nga dy shqiptarë të Kosovës. Ka qenë tuberkuloz në gradën e fundit gjatë luftës, megjithatë ka qëndruar përherë në mal, në jetën e vështirë të partizanit. Mjekimet dhe jeta e rehatshme që kishte bërë pas verës 1944 e kishin përmirësuar gjendjen e tij shëndetësore.