Mbyllet verifikimi për 5 kandidatët e fundit të SPAK, gati të dalin në seancë dëgjimore, brenda vitit nis lufta antikorrupsion

0
332

Llogaridhënia e pesë kandidaturave të fundit për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ështëçështje ditësh. Burime pranë KPK i thanë gazetës se procesi i verifikimit për ta është mbyllur dhe mbetet vetëm përcaktimi i datës së seancës dëgjimore. Nga 15 prokurorët që Këshilli i Lartë i Prokurorisë kualifikoi për t’u bërë anëtarë të SPAK, vetëm Anton Martini, Elisabeta Imeraj, Ndini Tavani, Doloreza Musabelliu dhe Anita Jella nuk janë futur akoma në sitën e “vetingut”. Komisionerët e vetingut i kanë mbyllur të gjitha hetimet për pasurinë, integritetin e figurës dhe profesionalizmin e tyre, por po kryhen vetëm modalitetet e fundit. Sipas burimeve të gazetës, stafi i KPK po mban komunikime me kandidatët për t’i vënë në dijeni për rezultatet e hetimit dhe për të dakordësuar datën e seancës dëgjimore. Brenda pak ditësh ky proces do të mbyllet. Kalimi i tyre në veting është pengesa e fundit për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Kushti është që të gjithë garuesit të kenë kaluar me sukses procesin e vetingut në të dyja shkallët me qëllim që më pas KLP të vijojë me emërimin e tyre. Deri tani, dhjetë kandidatë ia kanë hedhur paq nga vetingu, nga të cilët pesë janë gati të bëhen pjesë e SPAK sepse nuk ka pasur ankimim për ta nga Komisioneri Publik. Për tre pritet zbardhja e vendimeve nga ana e KPK për të parë nëse do të ketë ankimim apo jo, ndërsa kandidatët Manjola Kajana dhe Besnik Muçi do të duhet të përballen edhe një herë me vetingun, këtë herë në Apel. Mbyllja e gjithë këtij procesi do t’i japë Shqipërisë Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Kjo strukturë do të ketë në dorë fatin e shumë zyrtarëve të lartë. Pak ditë më parë kryetari i Gjykatës për Krimet e Rënda, Sandër Simoni paralajmëroi se janë 212 persona deri tani që do të japin llogari në SPAK. Deputetë, ish-deputetë, ministra, ish-ministra, por edhe ish-kryeministra, ish-presidentë, kryeministri dhe presidenti do të duhet të dalin para SPAK nëse janë të përfshirë në afera. Sapo të ngrihet Struktura e Posaçme Antikorrupsion, puna do të vijojë intensivisht me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku hetuesit do të asistojnë në punën e prokurorëve të SPAK për të goditur korrupsionin nëçdo nivel. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është paralajmëruar se me SPAK do të marrë fund epoka e të paprekshmëve të Shqipërisë.

Kandidatët që kanë kaluar vetingun

Altin Dumani, Arben Kraja, Manjola Kajana, Enkeleda Millonai, Behar Dibra, Elida Kaçkini, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Besnik Muçi dhe Klodian Braho janë dhjetë prokurorët që kanë marrë “OK” nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për të vijuar më tej me garën për në SPAK. Që të dhjetë ata kanëpatur në duar dosje të bujshme. Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja është prokurori që hetoi Lulzim Bashën për aferën e Rrugës së Kombit. Ai gjithashtu ka qenë prokuror i çështjes së ish-gjyqtares së Lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi nga ana tjetër ka patur në dorë dosjen “Shullazi”, si edhe është prokuror i çështjes së Klement Balilit. Sakaq, Enkeleda Millonai nuk njihet për ndonjë dosje të bujshme, por si një prokurore me qëndrim të prerë e të pakompromis ndaj krimit e korrupsionit. Manjola Kajana nga ana tjetër ka spikatur me hetimin e grabitëses seriale të njohur me nofkën “Nikita”. Altin Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ndërsa Klodian Braho ka në dorë dosjen e Adriatik Llallës.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here