Mazhoranca i dha dje një “shuplakë” presidentit Ilir Metra, duke rrëzuar në bllok 5 dekrete për kthimin e ligjeve. Ditën e djeshme u mblodh Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, ku në fokus të diskutimeve ishin 4 dekretet e kthyera nga kreu i shtetit, më konkretisht “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare” dhe ligjin për Koncesionet, PPP-të dhe zhvillimin e territorit dhe dy dekretet e tjera të Metës për kthimin mbrapsht të ligjit për ndërtimin me koncesion të segmenteve rrugore Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. Me 11 vota pro dhe 1 kundër të deputetit të opozitës Korab Lita, mazhoranca rrëzoi në bllok dekretet e kthyera nga presidenti. Por ditën e djeshme u mbajt edhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, ku edhe aty u diskutua mbi ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, që u kthye për rishqyrtim nga ana e kreut të shtetit. Por të vetmet që u lanë ende në fuqi nga shumica qeverisëse ishte ligji për koncesionet dhe pronat.
Argumentet e mazhorancës
Për rrëzimin në bllok të 5 dekreteve për kthimin e ligjeve, mazhoranca dha argumentet e saj. Deputetja socialiste Evis Kushi, e cila ishte dhe relatore e këtyre ligjeve u shpreh se argumentet e parashtruara nga ana e presidentit Ilir Meta janë antikushtetuese dhe të pambështetura në ligj. “Ligji që në miratuam thjesht i përgjigjet një problematike. Argumenti i presidentit lidhet me pretendimin se është në kundërshtim flagrant me linjën e vitit 2001 për pronat e paluajtshme të shtetit dhe kështu mund të bëjë rrezik për konflikt institucional. Ky është pretendimi i presidentit. Ligji i vitit 2001 e përmban këtë gjë. Ligji që ne miratuam është ligj i veçantë dhe në këtë aspekt plotësohet kushti i dytë se tjetërsimi i pronave përcaktohet nga këshilli bashkiak. Dhe kushti i tretë është që duhet të përcaktohen kufijtë dhe ky kusht plotësohet. Ky komision ka bërë ndryshimet përkatëse ku përcaktohet se pjesa shtetërore nuk duhet të jetë më shumë se 20 për qind. Argumentet e presidentit janë të pabazuara dhe nuk qëndrojnë, kështu që dekretet e presidentit nuk duhet të miratohen”, u shpreh Kushi.
Reagon Ahmetaj
Kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj tha se argumentet e Presidentit që nismat ligjore dëmtojnë interesin publik, nuk qëndrojnë pasi është kompetencë e qeverisë që të ndërtojë rrugë për qytetarët dhe të zgjedhë mekanizimin se si do të ndërtohen ato. Në rastin e PPP-ve, Ahmetaj tha se shqiptarët përfitojnë një rrugë sot, e cila mund të realizohej me paratë e buxhetit të shtetit pas 13 viteve. “Në mundësitë aktuale të buxhetit të shtetit për të afruar një rrugë brenda tre vitesh është e pamundur. Amendamenti im ka qenë që ligji të mos të ketë fuqi prapavepruese, pra nga data 1 korrik deri në fund, por kemi lënë datën 1 tetor që përkonte edhe me të gjithë procedurën e shqyrtimit nga ana e presidentit, hyrjes në fuqi. Por presidenti e ka përdorur si argument për ta kthyer”, u shpreh kreu i Komisionit të Ekonomisë Arben Ahmetaj.
Propozimi për kreun e KLSH
Por presidenti Ilir Meta pritet që të marrë një tjetër goditje nga ana e mazhorancës qeverisëse. Ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave do të zhvillohet një seancë dëgjimore me kandidatin për pozicionin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit Petraq Milo, propozuar nga kreu i shtetit. Njësoj si me dekretet e kthyera nga presidenti, Kuvendi pritet që të rrëzojë edhe Milon për të qenë në krye të KLSH, çka do të thotë se mazhoranca nuk do të lejojë që KLSH të kapet nga ana e opozitës.
Elisjeda Kiko