Skënder Jaçe: Jemi në kufijtë minimalë për realizimin e një filmi, mungesa e sallave të kinemasë është vrastare

0
704

Regjisorë të ndryshëm shprehen se me realizimin e filmit përballen me vështirësi të ndryshme, por dhe kur del një vepër e mirë artistikë nuk ka treg. Sipas tyre, janë dhe të tjera probleme në fushën e kinemasë, që duhet të rregullohen me ligj për filmin shqiptar. Në intervistën për “SOT”, kineasti Skënder Jaçe shprehet se sot jemi në kufijtë minimal për realizimin e një filmi. Ai tregon se filmi vuan edhe për skenarë dhe dialogu lë për të dëshiruar. Sipas tij, mungesa e sallave të kinemasë është vrastare, ku për regjisorët sheshet e xhirimit dhe vendi, ku ekzekutohet një vepër kinematografike janë të shenjta. Duke folur për kinematografinë kineasti Jaçe pohon se sot kinemaja se zhvillimet në vendin tonë duhet të gjejnë më shumë pasqyrim në filmin shqiptar. Ai shprehet se mungon kino komedia, temat e ditës dhe se më shumë duhet ti kushtohet vëmendje njeriut të thjeshtë me hallet dhe problemet, që ai kalon. Sa i takon jetës artistike në vend, kineasti Skënder Jaçe vijon se duhet të ndërtojmë institucionet, të ndryshojmë mentalitetin ndaj kulturës dhe më pas të flasim për jetën artistike.

-“Open kinema” një projekt që po mirëpritet jo pak. Si nisi në fillimet e tij?

 Jemi në sezonin e tretë me “Open Cinema” dhe mendoj se ky format tashmë e ka krijuar shtratin e tij dhe pritet me interes nëpër qytetet e Shqipërisë, pse jo edhe në kryeqytetin tonë Tiranë. Ideja lindi tek kinemaja shëtitëse dhe ato verore, të cilat në kohën që lamë pas ishin tepër të preferuara në Shqipëri. Natyrisht është një format, që në botë është tepër prezent e sidomos në stinën e verës, ku njerëzit duan sa më shumë argëtim të kulturuar. Aq më tepër mungesa e kinemasë në shumë rrethe të Shqipërisë e bën këtë aktivitet edhe më të dobishëm për të ndjekur në ekranin e madh filmat e rinj shqiptar dhe nostalgjinë e kinemasë së shkuar.

-Në qytetet ku ju jeni të pranishëm mbi ç’bazë bëhet përzgjedhja e filmave, që shfaqen për publikun që ju ndjek?

Ne jemi përpjekur të sjellim afër publikut të çdo qyteti vlerat më të mira të kinemasë së re shqiptare, duke risjellë në vëmendje edhe filma në retrospektivën e kohës, të cilët kanë lënë gjurmë në vite, si për shembull nga regjisorët e shquar si Viktor Gjika, Anagnosti, Piro Milkani, Esat Mysliu, Ibrahim Muça e Kristaq Mitro, apo Muharem Fejzo, Fehmi Oshafi, etj. Krahas filmit të ri shqiptar, i cili afrohet nga QKK ne sjellim dhe kinemanë evropiane dhe atë botërore në bashkëpunim edhe me ambasadat në vendin tonë dhe njëkohësisht edhe ndonjë film arkivor për nostalgjikët e kinemasë së vjetër nëse do ta quanim kështu.

-Filma të huaj dhe prodhime shqiptare, ju ftoni dhe aktorë e regjisorë të ndryshëm. Çfarë sjell kjo para publikut?

“Open Cinema” e kemi kthyer në një show artistik, muzikë LIVE me këngëtarë të ftuar, si dhe aktorë dhe regjisorë të ftuar, gjë e cila e bën më të prekshme dhe më të bukur këtë festë të filmit. Kjo ka tërhequr vëmendjen e spektatorit, i cili është kureshtar të dijë rreth realizimit të një filmi, vështirësitë që hasen në xhirim, pse jo dhe një foto me artistët. Kjo ka sjell jo vetëm interesimin e spektatorit shqiptar, por dhe të turistëve të huaj, të cilët e shijojnë mirë filmin shqiptar, pasi ai projektohet me titra anglisht. Vjet në Gjirokastër regjisori dhe aktori i njohur Edmond Budina u pyet nga një grup turistësh gjerman, të cilët e pëlqyen filmin “Të Thyer” dhe ishin kureshtar të mësonin rreth xhirimeve të tij.

-Ju bashkëpunoni me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, si dhe me AQSHF. Si ka qenë deri tani ky bashkëpunim dhe çfarë pritet më tej?

Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka qenë promotore dhe mbështetësja kryesore në përhapjen dhe projeksionet më të mira të kinemasë shqiptare, bashkëpunimi ynë ka qenë i frytshëm dhe natyrisht ky dialog do të vazhdojë, pasi filmi duhet të jetë prezent edhe në qytetet pa kinema, duke mos privuar zhvillimin kulturor të këtij zhanri të fuqishëm, artit të shtatë. Edhe me AQSHF marrëdhëniet tona janë pozitive kemi organizuar disa herë nostalgjinë e kinemasë në vite, duke sjellë në vëmendje të spektatorit ëndrrën e bukur të kinemasë së vjetër dhe kolosëve të kinemasë botërore.

 -Mungesa e kinemave sa është shqetësuese për ju, pasi filmat jeni të detyruar ti shfaqni dhe në salla të tjera?

 Natyrisht për një kineast mungesa e sallave të kinemasë është vrastare, për ne sheshet e xhirimit dhe vendi, ku ekzekutohet një vepër kinematografike janë të shenjta. Filmi në të gjithë botën ka shtëpinë e tij, që është kinemaja. Mungesa e kinemave përbën një shqetësim, por janë shumë faktorë subjektivë, që sollën në këtë gjendje që jemi me sot rrjetin e kinemave, pas ndryshimit të sistemeve. Për mua mendimi që sot e kësaj dite pritet nga shteti, është i gabuar. Duhen ndërtuar politika duke nxitur privatin, vetëm kështu filmi do të futet në rrjedhën e tij si në të gjithë botën. Gabimet nuk fillojnë sot, ato janë të mbartura të trashëguara prej shumë vitesh tashmë, dhe këtu nuk duhet luajtur si me lojën e kungulleshkave e ke ti e kam unë, por vetëm duke ecur para me politika dhe dashuri ndaj filmit. Edhe ato pak salla, që kanë mbetur nëpër rrethe, të cilat janë në gjendje të mjerueshme, bashkitë duhet patjetër t’ia u dorëzojnë privatëve me destinacion vetëm për kinema, ato nuk mund të mbajnë dot salla kinemaje, por të ndërtojnë politika për mbështetje në aktivitete kulturore me fondet, që shteti u jep në dispozicion për kulturën. Nga ana tjetër asnjë s’mund të jetë i përgjegjshëm pse spektatori nuk e frekuenton aq sa duhet kinemanë sot. Zhvillimi i teknologjisë, interneti, TV, etj, në këtë marramendje e lukuni globale do të thosha, s’ka se si që publiku të jetë ai i djeshmi ku e vetmja dritare komunikimi ishte kinemaja. Me dhimbje, por si thotë dhe Tornatore i madh ke filmi “Cinema Paradiso” jemi të detyruar ti nënshtrohemi zhvillimit të teknologjisë.

-Si kineast, realizimi i një filmi çfarë vështirësish sjell?

 Natyrisht me një treg si yni, filmi është një lloj luksi, sot në ekonominë e tregut të lirë çdo minutë në xhirim përkthehet në lek, filmi për të qenë sa më i besueshëm në rekuizitë, skenografi, aktorë, etj, kërkon buxhet. Jemi në kufijtë minimal për realizimin e një filmi, nga ana tjetër filmi ynë vuan për skenarë, dialogu lë për të dëshiruar. Por dhe kur një vepër del mirë artistikisht ai nuk ka treg, edhe televizionet tallen me shifrat që afrojnë për ta blerë, duhet të rregullohet me ligj, që filmi shqiptar të ketë prioritet në blerje nga ana e tyre.

-Sa bëhet sot nga shteti për kinematografinë në vend?

 Tani gjithmonë e përmendim fjalën shteti, unë mendoj se shteti në këtë mori problemesh që trashëgojmë s’mund ta ndjek dot filmin në gjithë gamën e tij të problemeve, por një gjë mund të rregullohet me ligj, duke lehtësuar biznesin nga ana fiskale dhe një përqindje ti sponsorizohet nga biznesi kinemasë shqiptare, ka ekzistuar një ligj i tillë më parë dhe nuk di pse u abrogua.

– Filmat e para ’90 të Kinostudios, ju si e shikoni kinematografinë e asaj kohe?

Kur flasim për kinemanë e djeshme duhet të jemi të kujdesshëm, pasi filmi mban vulën e kohës. Natyrisht ashtu si shumë shtete të Evropës lindore edhe ne kishim kinematografinë tonë, e cila për hir të vërtetës, pavarësisht ideologjisë së kohës krijojë vlera kombëtare mjaft të mira në fushën e kinematografisë. Filmi shqiptar krijoj një lloj fizionomie dhe ishte brenda psikologjisë së kombit tonë në traditë e kulturë. Ishte një armatë e tërë që krijoj një industri të vërtet të filmit, të shkolluar edhe jashtë, specialistë që s’kishin asnjë ndryshim nga ata jashtë. Ndaj respekt pa fund për atë brez ustallarësh do të thosha, që ditën të notojnë brenda atij oazi censure duke na dhënë vepra dinjitoze kinematografike, si “Nëntori i dytë”, “Kapedani”, “Mësonjtorja”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjeneral Gramafoni”, “Beni ecën vetë”, “Liri a vdekje”, “Zonja nga qyteti”, etj. Ndaj një komb që harron historinë dhe kulturën e vetë është i destinuar të shuhet.

-Çfarë mund të na thoni për filmin sot dhe temat, që trajtohen?

Sot kinemaja ka ndryshuar edhe si format edhe si shpejtësi, zhvillimet në vendin tonë duhet të gjejnë më shumë pasqyrim në filmin shqiptar, mungon kino komedia, temat e ditës dhe mendoj se më shumë duhet ti kushtohet vëmendje njeriut të thjeshtë me hallet dhe problemet, që ai kalon. Mendimi se filmi bëhet për festival më duket pak i vakët. Filmi në radhe të parë duhet të përcjell mesazhin tek publiku ynë. Shpesh herë çalon dramaturgjia në film, ngjarja zvarritet dhe ngjarja nuk të intrigon. Por duhet thënë se ka pasur dhe prurje të mira si filmi “Delegacioni” i Bujar Alimanit, i cili mori dhe çmimin e parë në festivalin e Varshavës, apo “Balkan Pazar” i Edmond Budinës etj. Unë kam besim te gjenerata e re të cilën e shikoj vizionale dhe me një vështrim evropian.

 -Si i shikoni aktorët e brezit të ri sot?

Aktorët e rinj janë të mrekullueshëm, por duhen promovuar dhe besuar më shumë tek ata.

– Artistë të ndryshëm flasim për jo pak probleme. Ju merreni me kinemanë, por çfarë i mungon jetës artistike sot në vend?

Çfarë i mungon jetës artistike sot? Pyetje interesante. Do t’ju tregojë një gojëdhënë, në një fshat kishte kohë që nuk binin kambanat e një kishe. Dhespoti niset me dhjakun në drejtim të fshatit i inatosur se përse ndodhte kjo? Në të hyrë, prifti i fshatit doli që ta pres hirësinë e tij me nderime. I inatosur Dhespoti e pyet priftin e fshatit, se përse ka kohë që nuk bien kambanat? Imzot i thotë prifti janë 3 arsye që nuk bien kambanat. Lëri 3 arsye më thuaj vetëm njërën i tha Dhespoti i inatosur. Nuk ka kambanë ju përgjigj prifti i fshatit! Duhet të ndërtojmë institucionet, të ndryshojmë mentalitetin ndaj kulturës, pastaj të flasim për jetën artistike!

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here