Drejtësia hyn në shina, ja 21 kandidatët për Gjykatën e Lartë, nga Theodhori Sollaku, te Sokol Sadushi

0
334

Në 3 vjetorin e ndryshimeve kushtetuese, reforma në drejtësi duket se po hyn në shina. Deri më tani, pati vonesa që nga ngritja e KLGJ dhe KLP e deri te SPAK apo plotësimi i vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Por dy të parat u ngritën dhe kriza në gjyqësor po shkon drejt fundit. Dje KLGJ ka mbyllur listën e kandidatëve jogjyqtarë për në Gjykatën e Lartë, duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm të zbatimit të reformës në drejtësi. Me miratimin e rregullores në fillim të këtij muaji, Këshilli i Lartë Gjyqësor i hapi rrugë garës për anëtaret jo gjyqtarë për Gjykatën e Lartë. Rregullorja përcaktonte pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve, jo gjyqtarë që kandidojnë për Gjykatën e Lartë. Në garë për në Gjykatën e Lartë janë 21 kandidatë jogjyqtarë. Mes kandidatëve janë juristët e njohur Theodhori Sollaku, Sokol Sadushi dhe Jordan Daci. Një tjetër emër që kandidon për të qenë pjesë e Gjykatës së Lartë është edhe Ilir Panda, duke vazhduar me Shaqir Hasanaj dhe Ervin Pupe. Anton Lleshaj dhe Ndue Pjetra janë dy emra të tjerë të cilët janë në garë për tu bërë pjesë e Gjykatës së Lartë.

Verifikimi i kandidatëve

Tashmë që gara për Gjykatën e Lartë u mbyll, KLGJ do të nis punën me verifikimin e materialeve duke skualifikuar fillimisht nga lista ata që nuk plotësojnë kriteret e parashikuar në ligj. Faza e dytë e procesit do të jetë verifikimi i figurës, pasurisë dhe aftësisë profesionale të secilit prej kandidatët. Në përfundim KLGJ do të bëjë renditjen e emrave që do të plotësojnë kriteret dhe më pas listën do t’ia kalojë Parlamentit ku do të votohen 4 prej tyre. Kandidatët duhet të kenë të paktën 15 vite karrierë si juristë të spikatur dhe të kenë merita profesionale, personale dhe organizative. Ata duhet të kenë ekspertizë të spikatur, si dhe të vlerësohen për përgjegjshmëri dhe paanësi. Gradat shkencore të juristëve kanë një vlerësim të shtuar në përzgjedhjen e tyre. Aktualisht Gjykata e Lartë është në ngërç, pasi ka mbetur me dy anëtarë: kryetarin Xhezair Zaganjorin për të cilin do të vendos sot Gjykata e Apelit nëse do të konfirmohet në detyrë dhe Medi Bici. Për shkak të bllokimit në gjykatë, kanë mbetur pezull 32 mijë dosje. Gjykata e Lartë do të ketë 19 anëtarë dhe anëtarët jo-gjyqtarë do të përbëjnë vetëm 1/5 e trupës së kësaj gjykate.

Sulmet e Metës

Por mungesa e Gjykatës së Lartë ka bërë që presidenti Ilir Meta të shpërthejë në sulme dhe akuza të forta në drejtim të ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi. Kreu i shtetit iu drejtua pak ditë më parë përmes një letre Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar informacione lidhur me hapat që po ndërmerren për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Në letër, kreu i shtetit i kërkoi informacion shterues edhe mbi rekomandimet e misionit të ekspertizës së BE-së Euralius rreth çështjes në fjalë. Po ashtu, Meta sulmoi misionin Euralius, pasi sipas tij po tenton të kufizojnë rolin e presidentit për emërimet në drejtësi. “Referuar gjithashtu të dhënave të bëra publike, Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion nëse pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor është administruar opinion i misionit të ekspertizës së BE-së ‘Euralius V’, ku i sugjerohet Këshillit (KLGJ) përdorimi i një skeme provizore/zgjidhje sui generis për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, duke caktuar anëtarë ‘të përkohshëm’ në këtë gjykatë nëpërmjet skemës së delegimit nga gjykatat e niveleve më të ulta, për të formuar trupën gjyqësore të përkohshme në Gjykatën e Lartë, derisa të riformohet numri i tri kolegjeve”, thuhej në letrën e Metës. 

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here