Ky sezon artistik ka qenë me angazhime për aktoren e njohur Merita Smaja, i cili u mbyll me shfaqjen teatrore “Kumarxhiu” dhe sipas saj ishte një eksperiencë e bukur. Por gjatë këtij sezoni artistik nuk kanë munguar dhe të tjera shfaqje ku aktorja nuk ka munguar me role të ndryshme në teatër. Dekada me jetën artistike, aktorja shprehet se kur punon koha ikën pa kuptuar dhe ndjen se sërish ke energji për të harxhuar e punë për të bërë. Nga viti 1981 aktorja Merita Smaja zhvillon aktivitetin pranë teatrit dhe shprehet se puna ndër vite i ka falur jo pak në jetën artistike. Në intervistën për “SOT” aktorja Merita Smaja tregon se për teatrin duhet bërë shumë më tepër, por në radhë të parë duhet treguar respekt për artistët, duhen vlerësuar si e meritojnë. Për aktoren duhet menduar mirë edhe për zgjedhjen e pjesëve, që janë sot në skenat e teatrove në vend, që të rritet dhe cilësia e vënieve në skenë dhe mbi të gjitha duhet menduar dhe për promocionin. Sipas aktores, sot shohim që për gjithçka bëhet reklamë, e për teatrin më pak se gjithçka.
-Si u mbyll ky sezon artistik për ju, çfarë mund të na thoni për angazhimin tuaj artistik?
Ishte një sezon i ngjeshur me aktivitet, u mbyll me shfaqjen teatrore “Kumarxhiun” e Goldonit me regji të Michele Modesto Cazarin. Një eksperiencë e bukur dhe ndryshe. Çdo regjisor ka mënyrën e tij të komunikimit e të bërit teatër e me Michelen ne mësuam ç’është komedia del arte, çdo të thotë të punosh me maskë. Vërtetë ishte bukur, por patëm edhe vështirësi, sepse nuk e njihnim teknikën e kjo të pengon të interpretosh, ishte hera e parë që në Shqipëri, një regjisor punon komedia del’arte e na takojë ne si trupë teatrore ta kishim këtë fat. Angazhimi im artistik ka qenë maksimal e më vjen mirë për këtë fakt. U rikrijua teatri i kukullave, që është shumë i dashur për fëmijët. Unë isha pjesë e këtij rikrijimi, e ishte eksperiencë e bukur. Punuam me regjisoren Shegushe Bebeti pjesën “Tre kecat dhe ujku” fëmijët u kënaqën e kishte shumë kërkesa për shfaqje, por edhe ne u kënaqëm, sepse gëzimi i fëmijëve është ngjitës. E nëse duam ta shtojmë dashurinë për teatrin, përpjekja fillon me fëmijët. Në mars u zhvillua festivali i teatrit për shkollat e mesme, u vunë pjesë të plota teatrale. Unë punova me shkollë “Oso Kuka” e ndjeva vërtetë kënaqësi, për faktin se punova me të rinj të mrekullueshëm, që nuk kishin bërë kurrë teatër, pashë te ata një rini të edukuar e plot pasion, edhe fituam çmimin e parë, por mbi të gjitha te këta të rinj lindi dashuria për teatrin, e për mua kjo është më e rëndësishmja. Në prill isha pjesë e një tjetër projekti teatror, me regji të Fatos Berishës, “Zona e Pritjes” me autore Marina Vujcic, sërish një eksperiencë e re, një sfidë ndryshe me një teatër ndryshe. Fatos Berisha një regjisor, që i dha fjalës e karaktereve shumë rëndësi e që diti të na çoje te teatri i grupit, ku të gjithë janë të barabartë e mungesa e njërit prej aktorëve përbën problem, e këtë e ndërtoj edhe me aftësitë e tij si njeri i dashur, i mençur e miqësor, i talentuar. Ishte kënaqësi e madhe puna me të. Përveç këtyre projekteve teatrore unë kisha edhe serialin “Familja Kuqezi” një seria, që më bëri të ndihem mirë e të përjetoj një eksperiencë ndryshe me aktorë të tjerë e me një staf të mrekullueshëm si i “Tringut” . Këto ishin angazhimet e mia artistike për këtë sezon.
-Në teatrin e Shkodrës jeni që nga viti 1981 dhe vazhdoni aktivitetin tuaj artistik. Si kanë qenë këto vite pranë trupës së teatrit “Migjeni”?
E vërtetë, që jam që nga 1981 në këtë teatër. Një kohë e gjatë, por edhe e shkurtër, kur punon koha ikën pa kuptuar e ti ndjen se sërish ke energji për të harxhuar e punë për të bërë. Nga viti në vit ndjen se rritesh, edhe kur punët nuk shkojnë ashtu siç dëshiron, por kur i jep punës gjithë dashurinë e pasionin tënd është bukur, i kalon të gjitha e thua sa bukur. Kjo është jeta të ecësh pa menduar e pa u dorëzuar.
-Cili ka qenë për ju momenti më të vështirë në aktivitetin tuaj artistik dhe pse?
Momente të vështira ka gjithkush, por kur je aktore ato që janë momente të vështira njerëzore kalohen më me vështirësi, sepse në skenë duhet të qeshësh të qash, qoftë kur ke mërzi, qoftë kur je shumë e lumtur. Por vështirësia ime më e madhe ka qenë kur kam dhënë shfaqjen “Kandili i Argjandë” i Martin Camajt me regji të Fatbardh Smajës, pra bashkëshortit tim. Kur ai nuk ishte më e unë interpretoja e në fund dëgjova zërin e tij të incizuar që fliste për autorin në fund të shfaqjes e kishte vetëm 10 ditë, që ai nuk ishte më. Më shkonin vetëm lot e nuk ndaloja dot, po jeta kjo është e arti kërkon sakrifica e dashuri.
-Jo vetëm pranë teatrit por ju keni luajtur dhe në disa filma. Çfarë ju ka falur filmi në punën tuaj si aktore?
Filmi ashtu si teatri është dashuri e veçantë. Nuk kam bërë shumë janë pesë filma artistikë e gjashtë me metrazh të shkurtër dhe serialin. Filmi të fal natyrshmërinë, të mëson me kameran, megjithëse unë për shumë vjet kam punuar në televizion. E dua filmin, por më shumë dua teatrin.
-Ju jeni aktore, por keni shkruar dhe librete shfaqjesh. Si ka qenë kjo pjesë e punës suaj?
Po e vërtetë kam shkruar shumë librete, kjo sepse më pëlqen të shkruaj. Shpesh shkruaj edhe poezi, për të nxjerrë nga vetja atë që ndjej, për të thënë atë që kam në brendësi. Më pëlqen ta bëj, e do e bëj sërish sa herë të më jepet mundësia .
-Ju keni vite si aktore, por sot çfarë duhet bërë më tepër për teatrin “Migjeni”. Në godinë çfarë problemesh janë?
Për teatrin duhet bërë shumë më shumë, në radhë të parë duhet treguar respekt për artistët, duhen vlerësuar si e meritojnë, e nëse bëhet kjo duhet bërë me pas edhe për godinën. Njeriu është i pari, nuk duhet lënë artisti në atë pikë sa të mendojë a mundet me kaluar gjithë muajin? Pra a i del për të ngrënë, sepse në këtë mënyrë ai nuk bën dot asgjë më shumë. Ndërsa për godinën urgjentisht duhet rregulluar sistemi i ngrohjes dhe i ftohjes, sepse punohet në kushte të tmerrshme.
– Shumë aktorë flasin për buxhete të pakta në jetën artistike. Ju sa bashkoheni me këto shqetësime dhe çfarë duhet bërë më tepër?
Në fillim duhen rregulluar pagat e aktorëve e më pas buxhetet e shfaqjeve për të pasur një teatër si duhet. Shteti duhet të ndërgjegjësohet se teatri është një pikë kyçe për një shtet.
– Po Ministria e Kulturës sa ka bërë sipas jush për teatrin në vend dhe çfarë do të donit më tepër ndihmë?
Ministria e Kulturës për në teatrot vendore nuk ka bërë asgjë. Ka bërë për teatrot kombëtare, e mendoj se është detyrë e kësaj ministrie të mendojë edhe për ne, se i përkasim kulturës së vendit.
-Sot artistët janë pa status, kërkesë drejtuar herë pas here Ministrisë së Kulturës. Mungesa e statusit çfarë sjell për artistët?
E vërtetë, jemi pa status, kjo është shkelje e të drejtave njerëzore. Kjo mungesë e bën artistin një njeri pa vlerë e nëse i shkelen të drejtat, të cilat i shkelen shpesh, ai nuk mundet ti kërkojë as në gjegj, sepse nuk ka asnjë bazë ku të mbështetet. Pra artisti sot nëpërkëmbet.
-Një festival mbarëkombëtar i teatrit për ju si duhet të jetë?
Duhet të jetë një festival i vërtetë, ku artistët të ndjekin njëri- tjetrin, të debatojnë për shfaqjet e njëri- tjetrit, të shkëmbejnë eksperienca, të njihen me artistë të të gjitha trevave. Jo të japin shfaqjen e të nesërmen të largohen pa parë asnjë nga kolegët, e kur ndahen çmimet asnjë artist nuk e di se çfarë ka bërë kolegu i tyre fitues ose kolegia dhe nuk kanë parë as shfaqjen më të mirë. Pra të mos jenë festivale thjesht për emër, por rentabël.
-Diskutohet jo pak dhe niveli artistik sot për teatrin në vend. Pohohet dhe nga artistët se ka probleme. Ju çfarë mund të na thoni?
Probleme ka, e natyrshëm që do ketë kur vëmendja është kaq e vogël. Mendoj se duhet menduar mirë për zgjedhjen e pjesëve që të rrisim edhe nivelin e spektatorit, të rrisim cilësinë e vënieve në skenë dhe mbi të gjitha promocionin. Ne shohim që për gjithçka bëhet reklamë, e për teatrin më pak se gjithçka. Sot jeta është shumë e shpejtë, njerëzit kanë shumë angazhime, duhen menduar forma nga më të veçantat për të njoftuar publikun e për ti bërë të vijnë në teatër.
-Po kinematografia sot, për ju çfarë duhet bërë më shumë për zhvillimin e saj?
Kinematografia shpesh më duket si biznes privat, janë disa njerëz që kanë në dorë gjithçka e veprojnë. Nuk e njoh gjendjen e Qendrës Kinematografike, por mendoj se duhet të bëjnë më shumë.
-Sezoni i ri artistik si do të vazhdojë me projektet tuaja në teatër?
Në muajin shtator ne sërish do fillojmë me vrull sezonin artistik, është 70- vjetori i teatrit “Migjeni” e ne do kemi shumë projekte e bashkëpunime. Dëshira nuk na mungon, pasioni jo vetëm të zhytemi në punë e ti japim spektatorit sa më shumë shfaqje të bukura e ata në duartrokitjet e tyre. Kjo na mjafton se është shpirti i çdo artisti.
Intervistoi: Julia Vrapi