Mynyr Koni mori kompetencat e Administratorit të UT, ja tenderat që firmosi në shkelje të ligjit për Arsimin e Lartë

0
386

Skandalet e Mynyr Konit në krye të Universitetit të Tiranës duket se s’kanë fund. Këtë herë bëhet fjalë për tendera të firmosur prej tij, duke i rrëmbyer kështu të drejtat e Administratorit, që i takojnë me ligj. Gjatë auditimit të ushtruar nga Ministria e Arsimit të Kulturës në 2018, ka rezultuar se rektori Koni ka nënshkruar kontrata të prokurimit publik me operatorët ekonomikë, që mbi bazë të ligjit nr.80/2015 dhe ligjit “Për menaxhimin dhe kontrollin financiar”, janë kompetencë e autoritetit drejtues për çështjet administrative dhe financiare. Gjithashtu, në zbatim të Urdhrit të Rektorit: Nr. 12, datë 16.02.2017, funksionet e autoritetit kontraktor i ka ushtruar edhe zëvendësrektori, z. Shezai Rrrokaj. Rektori me shkresën Nr. 2136/1, datë 18.05.2017, i njofton kancelarit se nga ky moment kompetencat e autoritetit kontraktor do të ushtrohen nga kancelari. Në tejkalim të kompetencave, rektori dërgon Autorizimin me nr. 610 prot, datë 09.02.2017, pranë njësive kryesore ku autorizon dekanin e fakultetit/ drejtorin e filialit/ institutit, të krijojë komisionin e prokurimit me vlerë të vogël për vitin 2017. Grupi konstatoi se ky autorizim është zbatuar vetëm në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Sipas nenit 52 të këtij ligji, administratori është autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit. Ai është përfaqësues ligjor i institucionit të arsimit të lartë për çështjet financiare dhe administrative, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Nga shqyrtimi i disa praktikave, audituesit e Ministrisë së Arsimit kanë konstatuar se rektori/zv. rektori ka zhvilluar procedura prokurimi publik duke marrë cilësitë e autoritetit kontraktor të UT, në kundërshtim me nenin 39 të ligjit dhe nenin 52 të tij, kompetenca të cilat i ka Administratori.

Tenderat

Kështu është nënshkruar kontrata administrative nr.766/6 datë 24.2.20 l7″Për shërbimin privat të sigurisë fizike të UT, Loti 1; kontrata me objekt “Blerje, prodhim, instalim, pajisje dhe sisteme mobilimi për UT” si dhe kontrata nr.4124/4 date 24.2.2017 “Blerje, prodhim, instalim, pajisje dhe sisteme mobilimi për UT” në tejkalim të kompetencave të dhëna nga neni 39 i ligjit për procedurat e prokurimit për blerje me vlerë të vogël. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.1789 datë 2.5.2017 në pjesën arsyetuese ka vlerësuar se rektori në përputhje me nenin 39 të LAL nuk ka kompetenca administrative apo financiare. Kontratat e mësipërme nuk janë zbatuar nga disa prej kancelarëve të fakulteteve dhe për këtë arsye këta të fundit kanë marrë masë disiplinore nga rektori. Gjithashtu, operatorët ekonomikë, të cilët kanë nënshkruar këto kontrata, janë në proces gjyqësor me universitetin. Kjo mund të çojë në penalitete financiare për institucionin, për shkak moszbatimi të procedurave të prokurimit publik. Nga dokumentacioni i mbledhur në njësitë kryesore, rezulton se Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka ushtruar kompetencat e autoritetit kontraktor për blerjet e vogla në fakultet. Edhe në këtë fakultet ka probleme me pagesën e mallrave/shërbimeve të përfituara nga fakulteti, pasi sipas kancelarit nuk mund të kryejë pagesën e të gjithë procedurave ku kompetencat e autoritetit kontraktor janë ushtruar nga dekani. Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë konstatohet se deri në muajin Janar 2017, kompetencat e titullarit të autoritetit kontraktor janë ushtruar nga dekania, Valentina Duka. Më pas këto kompetenca janë ushtruar nga kancelari i fakultetit.

Ligji për Arsimin e Lartë

Për sa më sipër nga grupi i punës konstatohet se Universiteti i Tiranës, është përgjegjës për prokurimin e fondeve të UT-së, në përputhje me dispozitat e ligjit për prokurimin publik dhe të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij. Ligji Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në: Republikën e Shqipërisë”, ka bërë një ndarje të qartë të funksioneve e fushës së kompetencave që do të ushtrojnë organet kolegjiale dhe autoritetet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë. Në mënyrë specifike, në dispozitat e tij përcaktohet se në institucionet e arsimit të lartë ka dy autoritete drejtuese të cilët janë përfaqësues ligjore të institucionit në dy fusha të “ndryshme, përkatësisht rektori në fushën akademike e protokollare dhe Administratori në fushën financiare dhe administrative. Bazuar në nenin 51 të Ligjit nr. 80/2015, është kompetencë dhe përgjegjësi e Administratorit të UT-së të përfaqësojë ligjërisht Universitetin e Tiranës në veprimtarinë administrative e financiare të tij, ku bën pjesë edhe fusha e prokurimeve publike dhe konkretisht lidhja e kontratave dhe prokurimeve publike. Kompetenca funksionale që ligji për arsimin e lartë i ka dhënë Administratorit për çështjet administrative dhe financiare nënkupton të drejtën dhe detyrimin e tij që të veprojë në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi. Bazuar në nenin 56, kreu VII te VKM nr. 914, date 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” Titullari i autoritetit kontraktor ose zyrtari i autorizuar prej tij është përgjegjës për ngritjen e grupeve të punës, komisioneve të përfshira në procesin e prokurimit dhe nxjerrjen e urdhrit të prokurimit deri në firmosjen e kontratës me operatorin ekonomik fitues. Në çdo rast, detyrat që përcaktohen në këto rregulla për titullarin e autoritetit kontraktor ose zyrtarin e autorizuar prej tij duhet të kryhen në përputhje me ligjin nr.10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të ndryshuar. Në kuptim të ligjit nr.10296, datë 8.7.2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”, nëpunësi autorizues autorizon të gjitha veprimet administrative dhe financiare në UT, por njëkohësisht është përfaqësuesi ligjor i institucionit në fushën administrative, i emëruar nga Bordi i Administrimit. Ky qëndrim ligjor konfirmohet edhe nga Ministria e Financave (ministria përgjegjëse për interpretimin e ligjit 10296/2010) me shkresën 186 /112 date 20.03.2017. Bazuar në sa më sipër, mosrespektimi nga ana e Rektorit të UT të ligjit 80/2015, ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, ligjit nr.10296, datë 8.7.2010, VKM nr. 914, datë 29.12.2014 dhe shkresës së MF shkresës 186/112 datë 20.03.2017, përbën shkelje shumë të rëndë të ligjit, pasi këto veprime të Rektorit të UT kanë sjellë pasoja të drejtpërdrejta si financiare ashtu dhe ligjore për institucionin e UT.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here