Në një tjetër përshkallëzim të situatës qesharake të Britanisë në përpjekje për të shmangur daljen kaotike nga Bashkimi Evropian, parlamenti i Londrës ka votuar dje për ta marrë vetë nën kontroll situatën, në një lëvizje të paprecedentë në përpjekje për të gjetur një shumicë për çdo opsion të Brexit. Ndërsa duke parë refuzimet e njëpasnjëshme ndaj opsioneve të saj nga salla, mediat britanike thonin se kryeministrja britanike arriti deri aty sa të ofronte dorëheqjen e saj, në këmbim të votës për një marrëveshje. Vota për heqjen e kontrollit të kryeministres erdhi pasi qeveria u mund me 329 vota me amendamentin ndërpartiak, që i dha udhë një serie votimesh për të zbuluar se çfarë lloj Brexit ka më shumë mbështetje mes deputetëve, mes të cilëve, ai për një Brexit ‘të butë’, një unioni doganor me BE ose një referendum tjetër. 30 deputetë konservatorë votuan kundër qeverisë, mes tyre edhe 3 ministra. Richard Harrington, Alistair Burt dhe Steve Brine dhanë dorëheqjen për t’u bashkuar me rebelët duke akuzuar madje qeverinë se po luan në ruletë me jetën e britanikëve. May u përpoq të evitonte disfatën duke i ofruar deputetëve mundësinë e një serie votash për alternativat e Brexit. Ajo tha se lejimi i deputetëve që të marrin në dorë axhendën e Dhomës së Komunëve do të përbënte një precedent jo të mirëpritur. Por, shumë deputetë thanë se ata nuk i besonin qeverisë dhe as premtimit se ajo do t’i jepte zë deputetëve në një varg opsionesh të Brexit.
Dorëheqje në këmbim të votës
Boris Johnson, Iain Duncan Smith, Jacob Rees-Mogg dhe “rebelët” e tjerë konservatorë kanë thënë se kanë pasur një bisedë me njërin nga njerëzit kryesorë të qeverisë, dhe deklaruan se janë pyetur se nëse do t’i mjaftonte atyre dorëheqja e kryeministres May, në mënyrë që ata ta votonin marrëveshjen e saj për dalje nga BE. Sipas burimeve të mediave, këto biseda private janë bërë privatisht në emër të kryeministres May, dhe se duket se kësaj here kryeministrja nuk po mendonte për pasojat që do të ketë ajo vetë personalisht, po më shumë kujdeset që marrëveshja të kalojë. Kryeministrja publikisht nuk e ka përmendur mundësinë që ajo të jap dorëheqje, që t’i hap rrugë anëtarëve të tjerë për ta udhëhequr vendin dhe partinë. Spekulimet për dorëheqjen e May ndërkohë janë rritur brenda Qeverisë, si dhe nëse ajo e ka përcaktuar emrin se kush do të jetë pasardhësi/ja, por ajo që konfirmohet është se shumë anëtarë të partisë tashmë kanë filluar t’i pyesin deputetët nëse ata do të ndryshojnë mendje sa i përket marrëveshjes. Kryeministrja do të shfaqet në një takim të mërkurën me komitetin partiak, ku më shumë gjasë ajo do të pyetet për të ardhmen e partisë dhe vendit, dhe se cilat janë hapat e mëtejshëm nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes.
Publiku do marrëveshje
Rreth tre vjet pas referendumit të anëtarësisë në BE më 2016 dhe tre ditë para se Britania fillimisht kishte caktuar të dilte nga unioni, mbetet më se e paqartë se kur apo nëse Brexit do të ndodhë. May mund të risjellë në parlament marrëveshjen e saj të enjten për një votë të tretë, por zëdhënësi i saj tha se kjo do të ndodhte vetëm nëse ajo do të kishte shanse reale për mbështetje. Kabineti i saj u mblodh duke u përpjekur të përtypte lajmet por dhe duke hartuar planet për të bindur rreth 75 deputetë të pranojnë të quajturën “Marrëveshja e Tërheqjes” të rinegociuar me BE me anë të parlamentit. “Ata kanë diskutuar gjatë, si në lidhje me votimet e mbrëmshme dhe me punën për të grumbulluar mbështetje për marrëveshjen e qeverisë, që na lejon të dalim nga BE në mënyrë sa më të rregullt të mundshme”, tha zëdhënësi i May. “Nëse nuk fitojmë votën kësaj jave, nuk besoj se do të dalim nga BE me marrëveshje për nja dy muaj, dhe kjo është çka kryeministrja beson se publiku do”, shtoi ai.
Andi Lamko