Policia e Shtetit reagoi ditën e sotme pas akuzave të shumta nga ish-kryeministri Sali Berisha në ‘Facebook’ ndaj këtij institucioni.
Sipas Policisë, Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjetet sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligjzbatuese. Sakaq Policia bëri me dije se do të reagojë me kallëzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria.
Mirëpo duket se ky paralajmërim i Policisë së Shtetit nuk e ka shqetësuar aspak ish-kryeministrin Berisha, madje për më tepër ai i ka shpallur asaj një ‘luftë të hapur’.
Pa kaluar shumë minuta nga paralajmërimi i Policisë, Berisha ka filluar me denoncimet e radhës në faqen e tij të Facebook-ut. Postimi i fundit ka të bëjë me një invalid që denoncon drejtorin e hipotekës për ryshfet.
