Ekspozita “Magjia e Gramafonit” u çel për publikun në kalanë e Tiranës. Më 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi Arkivit Qendror Shtetëror mbi 18.000 pllaka gramafoni, 20 gramafonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka (gramafoni apo vinyl). Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSH si sektor i zgjeruar. Në këtë ekspozitë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramafonëve, si dhe disa disqe gramafoni, LP dhe vinyl-e. Përmes kësaj ekspozite Arkivi i Shtetit shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve. Pjesë e dhuratës së vitit 1986 janë edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramafonit dhe muzikës, disa prej të cilave janë ekspozuar pranë koleksionit të gramafonëve. Në hapjen e ekspozitës “Magjia e Gramafonit” ishin të pranishëm drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe njerëz të artit dhe kulturës. Drejtori i arkivit Ardit Bido u shpreh se përmes kësaj ekspozite shkohet pranë publikut duke i njohur ata me histori dhe vlerat e trashëgimisë sonë. ““Ne duam që çdo pasuri arkivore që kemi ta pasqyrojmë dhe të jenë të aksesueshme për publikun, siç janë sot këto gramafonë. Me këtë ekspozitë vijmë ne tek njerëzit duke i njohur ata me objekte, histori si dhe me vlerat e trashëgimisë tonë. Gjithashtu këtë pasuri, siç është dhe ky koleksion gramafonësh që na e kanë lënë të tjerët, ne sot e ruajmë për t’ua lënë pasardhësve tanë”, tha drejtori Bido gjatë fjalës së tij në çeljen e kësaj ekspozite. Ekspozita e hapur nga Arkivi Qendror i Shtetit në kalanë e Tiranës është edhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Ndër disqet e artë të këtij fondi që i përket trashëgimisë kulturore shqiptare është dhe Mesha Shqip. Kjo meshë u kremtua për herë të parë me 22 mars të 1908 në Katedralen Saint George nga Fan Noli. Në përkujtim të 70 vjetorit të kremtimit të Liturgjisë së Parë Hyjnore në gjuhën shqipe, disku u prodhua më 1978 në Boston të SHBA. Pasuri e koleksionit janë dhe disa interpretime të aktorit Aleksandër Moisiu me dy monologjet Hamleti i Shekspirit dhe te Fausti i Gëtes, interpretim i 1912 i riprodhuar në Londër më 1977 në disk sterofonik. Këto janë disqe analogji “Aktorë të mëdhenj të së shkruarës” ku Aleksandër Moisiu është radhitur me aktorët më të mirë të asaj periudhe.
Histori ndër vite
Në dhjetor të vitit 1877 në zyrën e revistës Scientific American një djalë, vendosi përpara redaktorëve një makinë të vogël dhe të thjeshtë, për të cilën dha fare pak shpjegime paraprake. Pa shumë ceremoni, vizitori lëvizi një çelës dhe, për habinë e gjithë të pranishmëve, makina tha: “Mirëmëngjes. Si jeni? Ju pëlqen fonografi?”. Ky ishte prezantimi i fonografit të parë, një nga mbi 1.000 shpikjet e të mirënjohurit Thomas A. Edison. Teksa kërkonte të zgjidhte problemin e krijimit të një aparati që do të regjistronte automatikisht mesazhet e dërguara me telegraf, Edisonit i shkoi mendja tek shpikja paralele. Për këtë mori një diafragmë, e cila ishte e lidhur me një gjilpërë që godiste në një fletë letre, vendosur rreth një cilindri. Teksa fleta e letrës rrotullohej manualisht, zëri i folësit bënte të dridhej diafragma, duke krijuar lëvizje të gjilpërës, e cila linte shenja në letër. Duke lëvizur në drejtim të kundërt cilindrin e mbështjellë me letër, mund të riprodhoheshin tingujt e regjistruar. Më pas letra u zëvendësua nga një fletë e hollë llamarine, e cila, me kohën, u zëvendësua nga bakeniti. Tingulli i përftuar nga dridhjet e diafragmës kalonin në një bri të përmasave të ndryshme, i cili shërbente si amplifikator i zërit. Ky aparat në SHBA emërtohej fonograf, pavarësisht formës së suportit, cilindër apo pllakë. Në Evropë u bë më i pranishëm termi gramafon. Eksperimentet e njëpasnjëshme sollën përsosjen e gramafonit. Kështu, përbërja e diskut dhe shpejtësia me të cilën rrotullohej ishin thelbësorë në efikasitetin e përdorimit të gramafonit. Emile Berlinder futi në përdorim të gjerë diskun, i cili përbëhej nga një shtresë e hollë dylli bletësh, ku stylus-i kishte lënë shenjat e veta. Më pas Berliner futi në përdorim gomën dhe llakun, kurse Eldridge R. Johnson përmirësoi cilësinë e regjistrimit, të cilën cilindri e kishte më të lartë deri në atë kohë. Fillimi i shek. XX u shenjua nga rivaliteti mes cilindrit të fonografit dhe pllakës së gramafonit, deri sa Thomas Edison e mbylli sipërmarrjen e vet më 1929. Gjatë viteve 1920-1940 filloi të përdoreshin aparatura elektronike në regjistrimin e informacionit zanor. Mikrofonët elektronikë dhe aparaturat elektronike ia rritën cilësinë gramafonit, si dhe kontribuuan në popullarizimin absolut të tij. Hov të rëndësishëm gramafoni njohu në vitin 1955, kur kompania Philco prodhoi gramafonin e parë elektronik me transistor dhe bateri. Zhvillimi vazhdon gjatë viteve ’60, deri sa në vitet ’70 filluan të prodhoheshin disqe vinyl të cilësisë së lartë (high fidelity), bashkë me aparaturat e posaçme, cilësia e të cilave mbetet ende sot e parapëlqyer.
Nga Julia Vrapi