Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka paralajmëruar një “surprizë” për gjithë shqiptarët në prag të festave të fundvitit. Interesat bankare do të rriten 3-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm. Ky është një lajm i keq për të gjithë kredimarrësit, të cilët do të duhet të paguajnë më shumë para për huanë që kanë ndaj bankave. Sejko zgjodhi ta shpallë paralajmërimin në konferencën e mbajtur për mediat, menjëherë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, i cili është plotësuar tashmë dhe ka nisur punën në funksion të plotë, pas disa muajsh bllokimi, për shkak të vendeve vakante që u krijuan pas mbarimit të mandatit për shumicën e anëtarëve të këtij tij. Dje, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh për t’u njohur dhe diskutuar mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend, pritjet për të ardhmen, përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare, si dhe çështje të tjera të organizimit dhe drejtimit të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm, në këto rrethana vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%. Por situata do të ndryshojë vitin e ardhshëm. “Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, si dhe në bazë të informacionit të disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e normës bazë të interesit nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019”, paralajmëroi Sejko.
Ecuria
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare, ka paraqitur dhe një përmbledhje të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2018. Sejko deklaroi se megjithëse informacioni i disponuar mbetet i pjesshëm dhe i tërthortë, të dhënat e marra në analizë sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur në rritje, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018. Rritja ekonomike është pasqyruar sipas tij në shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese, sikundër tregon rritja e punësimit, reduktimi i normës së papunësisë, si dhe forcimi i presioneve të brendshme inflacioniste. “Kjo ecuri ka qenë përgjithësisht në përputhje me pritjet tona të mëparshme dhe nuk sjell ndryshime të rëndësishme në parashikimet tona për të ardhmen. Ndër të tjera, ajo evidenton ndikimin pozitiv që ka patur politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë, dhe sugjeron se qëndrimi aktual i kësaj politike mbetet i përshtatshëm, si për të siguruar një rritje ekonomike në linjë me potencialin prodhues të vendit, ashtu edhe për të garantuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020”, u shpreh ai. Më tej, Sejko vuri në dukje se në këndvështrimin sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se pasqyron kryesisht rritjen e prodhimit në industri e shërbime. Megjithatë, të dhënat e disponuara tregojnë sipas tij, se ritmi i rritjes së prodhimit të energjisë elektrike ka ardhur në ngadalësim gjatë tremujorit të tretë, duke sugjeruar për një ngadalësim të lehtë të rritjes ekonomike në gjysmën e dytë të vitit.
Rënia e euros
Banka e Shqipërisë, si pjesë e ndërhyrjeve të jashtëzakonshme në tregun valutor dhe për efekt të rritjes së rezervës valutore ka blerë rreth 400 milionë euro gjatë gjysmës së dytë të këtij viti. Shifra u bë e ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë konferencës së fundvitit. Sejko tha se oferta në valutë u rrit në mënyrë të dukshme nga konvertimi i kapitalit të bankave dhe disbursimi i kredisë për energjinë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, transaksione që vlerësohen në rreth 400 milionë euro. “Në një moment u detyruam të ndërhynim, pasi nënçmimi i euros po prekte objektivin e inflacionit”, tha Sejko. Për momentin, BSH vlerëson se nënçmimi i euros ka një efekt më të ulët në inflacion, por nëse do të shihet që ndikimi do të jetë i fortë, atëherë mund të marrë në konsideratë sërish ndërhyrjen. Sejko tha se BSH ndërhyn vetëm në funksion të objektivit të vet të inflacionit dhe jo për të mbrojtur interesat e grupe të veçanta. “Agjentët mund të marrin masa për tu mbrojtur nga kursi i këmbimit, duke e përcaktuar kursin në kontratë, kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur këtë rrezik”, tha Sejko. Ai shtoi se duhet të kemi parasysh se ekonomia është e euroizuar dhe çdo luhatje si në rritje apo ulje prek gjithmonë një pjesë të bizneseve dhe popullatës, në një kah apo tjetrin. Aktualisht BSH po e monitoron situatën dhe po kryen analiza për të përcaktuar shkaqet e vlerësimit të lekut. Sejko tha se kanë ndikuar faktorët sezonalë, si dhe një sërë faktorësh të tjerë që kanë intensifikuar mbiçmimin e lekut, si investimet e huaja, eksportet si dhe konvertimi i kapitalit të bankave dhe kredia e BERZH. Aktualisht, tha ai, mbiçmimi nuk shfaq probleme, kjo është sjellje normale që vjen nga shtimi sezonal i valutës. “Ne kontrollojmë lekun, jo euron, por përpiqemi përmes analizave tona të gjykojmë dhe vlerësojmë sa është ndikimi i euros në qarkullim për të pasur parasysh se si do të ndikojnë në politikën tonë monetare”, tha Sejko. Ai shtoi se kursi nuk parashikohet dhe ai nuk mund të thotë se sa do të jetë, por sa më pak luhatje aq më mirë do të ishte. Sejko theksoi se kursi dekadën e fundit ka pasur qëndrueshmëri, por së fundmi është ndikuar nga hyrja e valutës, kryesisht nga investimet. Gjatë ditës së djeshme, euro u këmbye me 122.76 lekë, duke vendosur një tjetër rekord të ri që prej muajit gusht 2008, kur këmbehej mesatarisht me 121.44 lekë.