Ekspozita me piktura “Kruja dhe Skënderbeu” u çel në Muzeun Historik Kombëtar, me punime të realizuara nga 54 autorë shqiptarë. Piktorë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, të cilët kanë hedhur në telajo impresionet e tyre për heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun janë pjesë e kësaj ekspozite. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi tha se përvjetori i sivjetshëm i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut na risjell sërish në vëmendje figurën e tij poliedrike, si strateg dhe udhëheqës i shquar. “Figura e tij nuk mbeti vetëm si një imazh, por është futur thellë në vetëdijen dhe ndërgjegjen e popullit shqiptar. Kjo krenari e trashëguar nga mesjeta u rishfaq dukshëm në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe ka shërbyer për forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve”, tha drejtori Koçi. Sipas tij, ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu” mbyll siparin e kremtimeve të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. “Dhe padyshim është Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend që ka hapur dyert për një aktivitet të tillë me pjesëmarrjen e 54 piktorëve të talentuar nga mbarë trevat shqiptare”, vijon më tej dr. Dorian Koçi. Ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu” vjen si bashkëpunim i Institutit të Librit dhe Promocionit, Muzeut Historik Kombëtar dhe Bashkisë së Krujës. Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit znj. Irena Toçi ndër të tjera tha se e veçanta e kësaj ekspozite është se marrin pjesë piktorë nga trevat mbarëshqiptare. “Janë 54 piktorë pjesëmarrës, të cilët i përkasin brezave të ndryshëm, prandaj meqë më jepet rasti i falënderoj për përkushtimin e tyre. Në këtë ditë na nderon me pjesëmarrjen e tij edhe ish-kryeministri i Kosovës z. Bajram Kosumi”, tha Toçi.
Punimet në ekspozitë
Piktorë pjesëmarrës në ekspozitë janë Abdi Bajrami, Kujtim Buza, Sali Shijaku, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Agim Sulaj, Anastas Kostandini, Vangjel Gjikondi, Adrian Çene, Vangjel Gjikondi, Nikolin Ivanaj, Zaim Elezi, Azem Kuçana, Genti Proko, Qamil Prizreni, Adriana Puleshi, Romeo Kallço, etj. Në emër të Bashkisë së Krujës përshëndeti të pranishmit Florind Terhoti, në emër të piktorëve pjesëmarrës përshëndetën Kujtim Buza dhe piktori nga Kosova, Idriz Berisha. Pjesëmarrës në ekspozitë piktori Vangjel Gjikondi shprehet se është interesante, sepse marrin pjesë disa autorë dhe jo vetëm nga Shqipëria. “Tema dhe motivi historik për 550 -vjetorin e prehjes së Skënderbeut është interesante, ku kanë marrë pjesë shumë piktorë, por unë mendoj se ekspozita është diçka spontane aq sa nuk ndihet fryma monumentale e saj,Viti i Skënderbeut 2018, ku predominojnë peisazhe rrugësh, portrete etj. Unë vetë mora pjesë me 1 tablo me motivin; Fitorja e Skënderbeut në Krujë, pasi holli i saj ishte shumë i vogël dhe po të ekspozoheshin vetëm kompozime tablosh e pak peisazhe për Skënderbeun do tërhiqte shumë vëmendje në mediat e në interes të publikut”, pohon piktori Gjikondi. Më tej ai shton se janë dhe punime të reja në ekspozitë, por dhe të punuara në vite. “Shumica janë tablo të punuara tashmë brenda pak muajsh, shumica peisazhe dhe disa të tjera kompozime për interesa ekspozim-shitje, duke shfrytëzuar interesin e ekspozitës të 28 nëntorit 2018. Tablo të vjetra, interesante dhe që të krijonte emocion ishte piktura e mjeshtrit që nuk jeton më, Hysen Devolli” tregon piktori Gjikondi. Ekspozita do të qëndrojë në ambientet në Muzeun Historik Kombëtar deri më datë 6 dhjetor.
Nga Julia Vrapi