Komisioni i Sigurisë zbardh skandalin, ja si zyrtarët e LSI i shpëtuan drejtësisë për aferën me byzylykët e të dënuarve, prokuroria e Llallës pushoi hetimet

0
534

Ish-zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë, kur kjo e fundit drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim, i kanë shpëtuar ndëshkimit për aferën mbi byzylykët e të dënuarve. Kur mori detyrën ministri teknik i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, zbuloi një skandal për tenderin e byzylykëve që iu vendosën të dënuarve me kusht. Abuzimet kishin ndodhur gjatë kohës që Ministria e Drejtësisë drejtohej nga LSI, por duket se të gjithë ia kanë hedhur paq. Dje Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me zbatimin e ligjit “Për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjyqësor”, ku në dëgjesë ishte ministrja Etilda Gjonaj. Gjatë fjalës së saj, Gjonaj ka dhënë detaje sa i takon mënyrës se si ndodhën shkeljet me byzylykët e të dënuarve, ndërsa bëri me dije se hetimet u pushuan nga prokuroria që asokohe drejtohej nga Adriatik Llalla. “Nga ana jonë janë marrë disa masa në disa drejtime. E para për të vënë para përgjegjësisë penale përgjegjësit e këtyre problematikave që lidhen me kontratat dhe e dyta për të marrë masa administrative se si mund të përmirësohet ky shërbim pavarësisht kontratës që në shkurt të vitit 2017. Ministri i asaj kohe, kërkoi hetimin administrativ në lidhje me kontratën dhe pas hetimit, grupi i punës arriti në konkluzione që bënë që ministri Bardhi depozitoi kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Ky kallëzim kishte akuzën e shpërdorimit të detyrës ndaj sekretarit të përgjithshëm dhe të gjithë zinxhirit pas. Prokuroria regjistroi kallëzimin penal por u vendos mos fillimi i procedimit penal. Ne ndoqëm rrugën ligjore, më pas në gjykatë dhe pas kthimit sërish në prokurori të çështjes në prokurori me vendim gjykate sërish u vendos pushimi. Aktualisht çështja ka shkuar në Apel, ku sot kemi pushimin e këtij kallëzimi”, deklaroi ajo.

Gjonaj bën audit

Në fjalën e saj, ministrja Gjonaj deklaroi se për shkak se problematikat vijojnë sa i takon mbikëqyrjes elektronike, ajo urdhëroi një audit, me qëllim zbardhjen e së vërtetës. “Për shkak se problematikat në sistem vazhdojnë nga ana ime, u morën një sërë urdhrash të brendshëm si hetimi administrativ dhe me pas rezultuan një sërë shkeljesh që kishin të bënin me prokurimin publik. Në mungesë të hetimit Drejtoria e Auditimit bëri auditin e të gjithë procedurës për mbikëqyrjen elektronike dhe ka nxjerr rezultatet e tij, por duke qenë se disa veprime janë në kufijtë e veprës penale është njoftuar auditi financiar në Ministrinë e Financave që aktualisht po përfundojnë kontrollin e thelluar. Në aspektin administrativ jemi munduar të përmirësojmë elementë të caktuar rast pas rasti që na kanë rezultuar si problematikë me qëllim të mos kemi problematika të largimit të personave nën mbikëqyrjen elektronike”, u shpreh ajo.

Rëndësia e mbikëqyrjes elektronike

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi më tej se mbikëqyrja elektronike është një çështje e rëndësishme. Në këtë kontekst, Gjonaj theksoi se mbikëqyrja elektronik e njohur ndryshe si byzylykët, është një nga elementët në kategorinë e ekzekutimeve penale dhe është një ndër risitë që u fut në sistem për sa i përket dënimeve alternative, apo masave të sigurisë në mënyrë alternative. “Në përputhje me vendimin e VKM, në vitin 2012, mbikëqyrja elektronike realizohet nga shërbimi i provës. Po, sipas pikës tre të vendimit, Ministria e Drejtësisë për realizimin e kontrollit të mbikëqyrjes elektronike kontrakton për prokurimit publik nëpërmjet prokurimit të hapur”, nënvizoi ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here