Artet në tërësinë e tyre sot përballen me probleme nga më të ndryshmet, por për artistët shqetësues mbeten buxhete e pakta për aktivitetin artistik, që janë financim shtetëror. Piktori Robert Përmeti shprehet se organizohen veprimtari apo ekspozita ku ftohen autorë të huaj e kryesisht me autorë të huaj dhe shteti nëpërmjet institucioneve i mbështet me paketa financiare, ndërsa e quan anormale se për veprimtaritë nga artistët shqiptarë nuk jepen financime. Në intervistën për “SOT” piktori tregon se fatkeqësisht nuk po kuptohet nga këto institucione shtetërore se pjesëmarrësit e huaj përfitojnë nga taksapaguesit shqiptarë. Për piktorin Përmeti përgjegjësia shkon jo vetëm te Ministria e Kulturës, por dhe në institucione të tjera. Sipas tij shqetësues është fakti, që nga administrata nuk ndiqen veprimtaritë e artistëve, ndërsa një pjesë e krijuesve jetojnë edhe në minimume jetike.
-Ekspozita “Breza në arte figurative” vjen në edicionin e katërt në Muzeun Historik Kombëtar. Këtë vit si prezantohet kjo krijimtari që vjen nga punët e 28 artistëve?
Ekspozita “Breza në arte figurative 2018” është vazhdimi i ekspozitave të mëparshme me të njëjtin synim. Këtë vit morën pjesë 28 autorë, të cilët paraqitën për ekspozim 65 punime në pikturë dhe skulpturë. Të gjitha punimet ekspozohen për herë të parë dhe kanë qenë të pa njohura nga publiku ynë artdashës. Synimi jonë është që të sjelli te publiku një prezantim befasues nga e kaluara, duke e rritur atë cilësisht nëpërmjet të kërkesave estetike ne rritje. Duke ju referuar opinionit të vizitorëve kryesisht artdashës dhe koleksionist, mund t’iu them se mbresat janë shumë pozitive. Por ndërkohë jemi të ndërgjegjshëm, që kjo ekspozitë nuk është gjithçka, por pjesë organike e gjithë veprimtarive artistike në shkallë kombëtare dhe si e tillë edhe këtu ndeshemi me probleme të ndryshme. Por le të mjaftohemi me përshtypjet e para që në tërësi janë pozitive dhe të shprehura edhe nga kolegë të cilët nuk janë pjesëmarrës. Në mbyllje te kësaj veprimtarie kemi menduar që të ndajmë një çmim nderi për autorin më të pëlqyer në këtë edicion. Për herë të dytë ne do të votojmë bashkë me vizitorët autorin më të mirë të këtij edicioni. Votimi do të jetë i hapur e me prezencën e të gjithëve.
-Për ju çfarë bëhet për të ruajtur traditën në art?
Edhe në këtë edicion të radhës ne i jemi përmbajtur qëllimit tonë për të materializuar idenë që: “Brezat ecin para vetëm nëqoftëse mbështeten llogjikshëm mbi supet e njëri- tjetrit. Kështu më së miri e konkretizon këtë ide pjesëmarrja e piktorëve të përzgjedhur nga linja Benezit, të cilët i ka përzgjedhur ndër 2000 piktorët më të mirë të botës nga viti 1913 deri në vitin 2006, piktorët “Artistë të Popullit” Guri Madhi dhe Sali Shijaku. E pasuron këtë ekspozitë edhe pjesëmarrja për herë të parë e “Artistit të Merituar” Hysen Devolli dhe Shaban Hysa e duke vazhduar më tej me pjesëmarrjen e artistit të merituar Lec Shkreli. Duke ju referuar listës së pjesëmarrësve kjo ekspozitë na prezanton dhe me artistë të mëpasëm si Kleo Nini, Ilia Rota, Fatmir Vasjari, Bujar Lila, Pëllumb Bylyku, Romeo Kallço, Genti Proko, Bujana Kurti, Majlinda Alia, Erlin Rudha etj.
-Ju keni vite me krijimtarinë në pikturë, sipas jush si po zhvillohen artet figurative në vend, dhe ku shikoni probleme në krijimtari?
Synimi jonë në organizimin e kësaj veprimtarie mban në qendër të vëmendjes freskimin e kujtesës artistike, duke i dhënë një vend të respektuar autorëve shqiptar, që ndërkohë kanë qenë edhe autorë të suksesshëm në periudhën kur jetuan dhe krijuan. Kemi menduar se kjo është një vlerë kombëtare që i shërben çimentimit të kulturës kombëtare. Por në vitet post diktaturiale artet figurative janë ndeshur me një keq interpretim të vet artit e sidomos të pikturës. Po qe se piktura ka në thelb figura realiste ajo anatemohet, sepse nuk quhet moderne. Në fakt ky lloj arti ka kaluar nëpër fazat e veta dhe është bërë prezent në jetën tonë artistike por edhe sociale. Arti nuk gjykohet nëse është apo jo, modern. Arti e konkretisht piktura apo skulptura kanë vetëm një vlerësim, është apo jo me vlerë dhe është apo jo e bukur. Një vepër e bukur nuk është e tillë sepse quhet realiste apo moderniste. Për më tepër në periudhën e diktaturës ku arti kishte trajtimet e veta, piktura dhe skulptura nuk ishin ato që mbartnin mbi shpinë realizmin socialist. Kjo frymë u krijua dhe u kultivua kryesisht nga letërsia e asaj kohe. Le të kujtojmë vargjet: “ku ti gjej rrënjët e tua o hallemadhja ime shekullore, vargje që i këndoheshin partisë”. Kjo nuk do të thotë që këto simptoma nuk u shfaqën edhe në pikturë apo skulpturë, por kjo nuk do të thotë që të krijohet inkuizicioni ndaj krijimtarisë së asaj kohe. Pra keq trajtimet që i bëhen artit realist, duhet të shmangen nga qëndrimet edhe xheloze të idhtarëve të artit pseudo modernist. Ekzistenca e koncepteve në arte sot janë të liberalizuar, sepse në të kaluarën as që mund të bëhej fjalë për diskutime të tilla sepse përfundoje të paktën në internim. Por një problem te ne përbën edhe fakti që disa pseudo artistë, marrin përsipër të bëjnë konkluzione epokale thuajse ajo që ata thonë janë ashtu dhe si luan as topi. E për fat të keq mediat këtyre lloj pseudo analistësh i kushtojnë goxha minutazh, dhe specialistëve e studiuesve të profilizuar nuk u jepet pothuajse fare mundësia të ballafaqojnë argumente. Sot janë të gjitha kushtet që artet të bashkëjetojnë pa qenë nevoja për përçmime të njërës ndaj tjetrës. Është shumë shpejt që të mbivlerësohet arti apo artistët e fushave të ndryshme e për më tepër skulptorët apo piktorët, sepse koha është seleksionuesi më gjakftohtë. Kush e përfilli për sa kohë ishte gjallë Van Gogu? Asnjë. Po kështu ndodhi edhe me Françesko Gojën, Domeniko Teotokopulos, etj., të cilët për sa kohë jetuan nuk i vlerësoi askush. Ndërsa vite që erdhën ata janë kthyer në super vlera. Kështu mund të ndodhi edhe me artin tonë e ndoshta mes nesh mund të ketë artistë që do ti imponohen arenës së artit botëror, por le t’ia lëmë kohës këto gjykime. Edhe në të kaluarën krahas Mikelanxhelos, Rubensit, Rjepinit, Rembrantit etj ka pasur edhe “pikturista” që hiqeshin me të madh sikur të ishin dishepuj, por koha i seleksionoi dhe sot arti i viteve të mëparshme na paraqitet pa këta pseudo artistë. Jam i bindur se kjo ka për të ndodh edhe te ne, sepse është një proces natyral seleksionues. Prandaj komentet pa bukë për art modern apo art prapanik nuk i shërbejnë artit, veçse nxjerrin në pah dashakeqësinë e injorancës. Të gjithë ne duhet të jemi të bindur dhe të sigurt që koha ka për ta seleksionuar dhe kjo ka për të ndodh pa asnjë mëdyshje. Lum si ai që do të arrijë ti përballojë sfidat e kohës. Të shpresojmë.
-Sa ndihmohen sot artistët në aktivitetin e tyre, me çfarë vështirësish përballen?
Artet në tërësinë e tyre sot përballen me probleme nga më të ndryshmet, por unë do ta reduktoja mendimin tim vetëm në disa prej tyre. Aktualisht shteti financon nga buxheti i tij fonde për gjallërimin e jetës artistike në vend. Por unë konstatoj një problem që për fat të keq jo vetëm më çudit, por do të shtroja edhe pyetjen: “Pse ndodh kështu?”. Organizohen veprimtari apo ekspozita ku ftohen autorë të huaj e kryesisht me autorë të huaj. E këto veprimtari shteti nëpërmjet institucioneve të veta, i mbështet me paketa financiare. Anormale këtu është se për veprimtaritë e organizuar nga autorë shqiptarë, shteti nuk e zgjidh qesen. Dhe fatkeqësisht nuk kuptohet nga këto institucione shtetërore se pjesëmarrësit e huaj përfitojnë nga taksapaguesit shqiptarë, që ndërkohë janë edhe artistë shqiptarë. Në një shtet me parametra varfërie të dëshpëruara, kavaljerllëqe të tilla klasifikohen si aventura. Vjen X këngëtare dhe për një spektakël merr mijëra euro, ndërsa artistët shqiptarë shohin njëri -tjetrin në sy, me duart në xhepat bosh. Mendoj se ky është një paradoks që vetëm në Shqipëri në tonë ndodh. Shteti i mban në këmbë institucionet e tij të specializuar pikërisht për të përkrahur artistët e jo për artistë të huaj, që gjejnë parajsën këtu me taksat e artistëve shqiptarë të drobitur.
-Si e shikoni sot Galerinë Kombëtare të Arteve?
Ne kemi një Galeri Arti Kombëtare që e quajmë me sigla me gërma të mëdha “GKA”, galeri që është ngritur nga puna dhe cilësia artit dhe e artistëve, që sot nderohen edhe në ekspozitën tonë. E kjo galeri duhet të kthehet në një institucion funksional, pikërisht për ti dhënë gjallëri artit në Shqipëri. Por aktualisht është importuar nga Kosova, një drejtor që mesa dimë dhe ishalla qofsha i gabuar, ka shkatërruar galerinë e Prishtinës e tani na ka mbirë në galerinë tonë, me të cilën nuk ka absolutisht asnjë lidhje as shpirtërore e as artistike. Edhe ky sikurse edhe të tjerët ka hapur ekspozita në GKA me autorë të huaj me afate mujore e jo me ditë apo javë sikurse bëhen ekspozitat te ne, çka na bën të mendojmë se ky ka ardhur që shumë shpejt që të mbyllë e të shkatërrojë edhe GKA ashtu sikurse po ndodh në Teatrin Kombëtar. Peshën kryesore të artit në Tiranë e mban Muzeu Kombëtar, sepse GKA-së i janë larguar vetë krijuesit piktorë e skulptorë. Në Shqipëri ka artistë të talentuar dhe shumë të talentuar që mund të ngrenë në nivel ndërkombëtar artin tonë, por institucioni i GKA lihet në dorë të një lloj artisti aspak i njohur këtu jo e jo, por ma thotë mëndja se edhe në Kosovë se njeh njeri. E ky problem pa u kuptuar kthehet pjesë e halleve të artistëve shqiptar. Mendoj se për problemin që diskutojmë dhe për probleme të tjera që ekzistojnë Ministria e Kulturës duhet të jetë më konkrete në strategjinë e zhvillimit të arteve shqiptare dhe ti shohë ato si pjesë e rëndësishme te trashëgimisë kombëtare, sepse administratat ndërrohen ndërsa veprat e artit mbeten dhe mbeten jo thjesht si emër por si vlerë. Duhet të mendojë dhe te përzgjedh Ministria e Kulturës, krijimtarinë më të mirë ndër vite, pikërisht nëpër këto veprimtari pothuajse të pakta të arteve figurative.
-Gjatë gjithë vitit vetëm 3 ekspozita, si ndikon kjo për artistët?
Më tepër se sasia e ekspozitave mendoj se duhet të synohet për art cilësor, i cili duhet të shtrihet në platformën që ai merr jetë. E për këtë mendoj se Ministria e Kulturës duhet ta nisi përmirësimin e punës së saj, jo me sllogane reformash, por me detyrimin që personeli që mbulon fushat e krijimtarisë artistike, me detyrimin që i jep e drejta për të marrë rrogën në drejtorinë e profilizuar, e theksoj, duhet të jenë prezente në të gjitha veprimtaritë artistike. E kjo duhet të bëhet me detyrim për ta, sepse të vetmit që mungojnë nëpër veprimtaritë artistike janë pikërisht punonjësit e administratave që marrin rrogën për këtë punë. E si mund të kontribuojnë këta administrator që ushqehen nga arti, duke mos e njohur pothuajse fare atë. Së dyti do të thosha se Ministria e Kulturës mund të bëhet prezente me institucionin e kryeministrit e të financave të ekonomisë e përkrahjes sociale, që të shohi mënyrën e përkrahjes ekonomike për krijuesit. Duhet të nxjerri statistika për ta sepse shumë prej tyre jetojnë me minimume jetike.
-Sipas jush në politikat e artit në vend çfarë duhet të ndryshoje në ndihmë të artisteve dhe institucioneve të artit në vend?
Problemet që trajtoj në këtë intervistë nuk i kam aspak personale, por mendoj se aq sa i njoh krijuesit shqiptar, mendoj se kanë nevojë për tu ndihmuar ekonomikisht. Këto janë përciptas disa probleme, por ka akoma më tepër se kaq. Shpresoj që Ministria e Kulturës mos të mjaftohet vetëm me dhënien e sallave pa para, sepse kjo është ndihmë minimale prej saj, por është shumë pak, për të thënë se me kaq pak përkrahje ne mund ta çojmë artin shqiptar në nivele akoma më të larta. Nëse administrata e Ministrisë së Kulturës do të njohë gjendjen e krijimtarisë kombëtare mendoj se do të arrijë që të shmangë edhe fenomenin, që disa që janë “kopila e që ja kanë marrë dorën” sigurojnë përkrahje financiare, pa pasur fare në konsideratë cilësinë apo vlerat artistike, ndërsa ata që kanë cilësi artistike nuk arrijnë ta sigurojnë këtë përkrahje. Shumë nga veprimtaritë e tanishme janë katërcipërisht humanitare, ku piktorët e skulptorët paguajnë nga xhepi i tyre për të organizuar veprimtari në interes të komunitetit duke ju dhuruar qytetarëve sado pak relaks në këtë mori hallesh. Shpresoj që problemet të shihen me syrin e përmirësimit të problemeve e jo me mënyrën alla shqiptarçe “Eee.. hu”.
Intervistoi: Julia Vrapi