Bashkimi Europian kërkon të ngrihet sa më shpejt Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion. Gazeta ka siguruar një raport të Komisionit Europian, ku jepen detaje mbi mbështetjen e Brukselit për realizimin e reformave. Aty bëhet e ditur se në periudhën 2014-2020 BE ka dhënë një fond me plotë 649 milionë euro për Shqipërinë, me qëllim përmbylljen e reformave, sidomos asaj në drejtësi. “Sipas Instrumentit të Asistencës së para-aderimit II (2014-2020), Shqipëria përfiton një total prej EUR 649.4 milionë”, thuhet në raport. Pra, duke qartë që gjithë ky alokim fondesh të akorduara nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, kanë pikërisht ndërtimin e organeve të reja të drejtësisë, me qëllim pastrimin e sistemit gjyqësor dhe luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, në raport Komisioni Europian u kërkon autoriteteve shqiptare që të luftojnë korrupsionin, duke nënvizuar faktin se Shqipëria e ka një vullnet të tillë. Dhe për të arsyetuar mendimin, KE në raport thekson ndryshimet që i janë bërë Kodit Penal, sidomos sa i takon luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. “Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka njëfarë përgatitjeje. Zbatimi i reformës së gjerë gjyqësore ka vazhduar dhe në përgjithësi ka bërë progres. Rivlerësimi i gjykatësve e prokurorëve (procesi i vetingut) ka nisur dhe po jep rezultate. Një zinxhir trupash të specializuar antikorrupsion, duke përfshirë dhe zyrën e Prokurorisë Speciale, po krijohen. Korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha dhe vazhdon të mbetet problem serioz”, thuhet aty. Një vëmendje i është kushtuar dhe krimit të organizuar. BE kërkon që të sekuestrohen pasuritë kriminale dhe të luftohet pastrimi i parave. “Shqipëria ruan një nivel përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Progresi kryesor është bërë me miratimin e amendamenteve në Kodin e Procedurës Civile”, thuhet në raport.
Sekuestrimi i aseteve kriminale
Në raportin e siguruar nga gazeta, Komisioni Europian i kërkon autoriteteve shqiptare që të luftojnë krimin e organizuar, ndërsa ka nënvizuar edhe fushat se ku duhet të fokusohet kjo luftë frontale me këtë fenomen. Sipas asaj që thuhet në raport, prioritet i punës së autoriteteve ligjzbatuese duhet të jetë goditja e grupeve kriminale dhe sekuestrimi i aseteve dhe pasurive të tyre, në çfarëdo lloj forme qofshin.“Shqipëria ka njëfarë përgatitjeje në luftën kund krimit të organizuar dhe ka pasur progres në periudhën e raportimit, kryesisht në lidhje me kultivimin e kanabis Shqipëria duhet të japë rezultate operacionale në këtë fushë, duke intensifikuar konfiskimin e aseteve të bandave kriminale dhe duke vazhduar shkatërrimin e depozitave ekzistuese të kanabis. Shqipëria ka marrë pjesë me sukses në bashkëpunimin ndërkombëtar policor, duke intensifikuar bashkëveprimin e saj, kryesisht me vendet e BE. Në nivel vendor, bashkëpunimi mes policisë e prokurorisë ka nevojë për përmirësim. Në lidhje me statistikat, nuk ka pasur progres në çmontimin e grupeve kriminale të organizuara. Më shumë përpjekje duhet të bëhen për luftën ndaj pastrimit të parave, të aseteve kriminale dhe pasurisë së pajustifikuar”, thuhet në raport./ Rigels SELIMAN