“Tirana International Film Festival” nisi edicionin e 16 në Tiranë. TIFF është eventi më i rëndësishëm kinematografik, që zhvillohet në Shqipëri dhe jo vetëm për nga vjetërsia dhe eksperienca, por edhe për numrin e madh të aplikimeve, zbulimeve interesante dhe premierave të filmave. Me filmin (Once upon a time in America”) “Na ishte njëherë Amerika” me regji nga Sergio Leones nisi mbrëmë në kinema Millennium edicioni i 16-të i “Tirana International Film Festival”. TIFF, pas aplikimit u kualifikua si festival nga Academy of Art and Sciences, USA, me të drejtën që fituesi i “Best Short Live Action/Animation” të renditet në listën nga ku do të dalin fituesit e “Oscar” për këto kategori. Ky vlerësim e rendit TIFF midis 94 festivaleve më prestigjioze si: Cannes, Berlin, Venice, Locarno, Sundance, Tribeca, etj. Drejtori artistik i festivalit Agron Domi pohon se lajmi tërhoqi vëmendjen e regjisorëve dhe producentëve dhe solli një rritje të aplikimeve këtë vit me 4000 filma. “Kemi një program shumë të pasur. Kemi rreth 250 filma të ndarë në kategoritë përkatëse. Këtë vit vijmë me një përgjegjësi ndryshe nga vitet e tjera, pasi filmi “Best Short” klasifikohet automatikisht për garën e çmimeve “Oscar” dhe kjo është një ngjarje e madhe që e diferencon TIFF-in nga festivale të tjera rajonale. Kjo risi u ndje menjëherë, pasi në TIFF erdhën një numër aplikimesh disa herë më të mëdha se në edicionet e mëparshme, pasi kineastët e rajonit e kanë parë si një mundësi të artë të aplikojnë në TIFF për t’u kualifikuar për në “Oscar”. Seleksionimi ka qenë gjithashtu i vështirë”, u shpreh drejtori Domi. Komiteti ndërkombëtar i seleksionit të aplikimeve ka sugjeruar 128 filma për konkurrim, në kategoritë: “Feature”, “EYE”, “TIFF (debut feature film competition)”, “Short Live Action” , “Animation”, “Student” dhe “Video Art & Experimental”, “Documentary”, “Balkan” dhe “In Albanian competition”. Mes filmave që do të jenë në ekranin e kinemasë për publikun mbrëmjen e nesërme vjen dhe premiera shqiptare “Delegacioni”. Me skenar të Artan Minarollit dhe regji të Bujar Alimanit është shpallur fitues i Festivalit të 34-t Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë të Polonisë, dhe në Tiranë vjen premierë në kuadër të festivalit.
Fokusi, ngjarjet që ndryshuan botën
TIFF gjithashtu ofron këtë vit edhe 127 filma në seksionet e tjera. Përmendim këtu “Special Screenings”, premiera, që po qarkullojnë momentalisht në kinematë e Evropës e të botës si: “Don’t Worry, He Won’t Get Far on Foot” nga Gus Van Sant, “Suspiria” nga Luca Guadagnino, “The House That Jack Built” nga Lars von Trier. Po ashtu në TIFF janë për publikun edhe 10 filmat e shkurtër të nominuar në “Oscar” 2018. Fokus i TIFF këtë vit do të jetë përkujtimi i 50 vjetorit të ngjarjeve të vitit 1968, që ndryshuan botën, por jo ëndrrën për një botë më të mirë e më të drejtë. Prandaj dhe “For another dream”, program me ligjërata dhe filma të asaj epoke do të vinë për publikun e interesuar në Kino bar çdo mbrëmje nga ora 19:00 me një program të pasur të kuruar nga Federico Rossin, Arbër Zaimi dhe Edon Qesari. Në vazhdim të nismës së vitit të shkuar TIFF do të ofrojë KIDS program ekskluziv për fëmijët çdo ditë në Teatrin e Kukullave nga ora 10:30, si një investim afatgjatë për të rritur e edukuar audiencat e ardhshme të kinemasë me filmin artistik nëpërmjet projekteve të fituara në Creative Europe për shpërndarjen dhe promovimin e filmave europianë. Seksioni Panorama do të ketë programe të tilla si: Generations, New World, Parade, Reflecting Albania etj, që përfshijnë në kinema jo vetëm cilësinë artistike, por edhe temat e mprehta sociale e politike. / Julia VRAPI