CIA ka dhënë detaje se si Enver Hoxha arriti të marrë në kontroll gjithë vendin pas katapultimit në pushtet. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, më 1949 u blinduan të gjithë kufijtë, ndërsa edhe Moska rriti asistencën e saj. Sipas të dhënave të CIA, fillimisht erdhën mbi 3 mijë ushtarakë sovjetikë në vendin tonë.
Të fundit nga Shqipëria
Më 29 nëntor 1949 qeveria shqiptare thuhet se ka liruar në kuadër të një amnistie Pandi Kriston, i cili ishte dënuar për Titoizëm bashkë me Koçi Xoxen. Raportohet se në tetor 1949 qeveria shqiptare trumbetoi zbulimin e një komploti të gjerë antiqeveritar prej rreth 400 personash, duke përfshirë dhe një kolonel nga Shkodra. Ata do të gjykohen së shpejti. Në fund të nëntorit 1949, një komplot prej rreth 20 personash raportohet të jetë zbuluar në Vlorë. 3 nga personat raportohet të kenë bashkëpunuar me guerilasit antikomunistë me qëllim lirimin e disa të burgosurve nacionalistë. Deri tani 10 prej tyre janë dënuar me vdekje, ndërsa të tjerët janë burgosur. Lideri i komplotit thuhet se ishte njëfarë Maliq, nga Dukati. Raportohet gjithashtu për përleshje të shpeshta e të ashpra mes forcave shqiptare e jugosllave në zonën e kufirit, veçanërisht pranë Tropojës dhe Prizrenit. Disa antikomunistë, përfshi dhe Mark Shllakun, u ekzekutuan në Shkodër në nëntor. Informatorët thonë gjithashtu se dy liderë rezistencë të lëshuar me parashutë në zonën e Mirditës, kanë krijuar një lëvizje të madhe aktive rezistence. Raportohet se më 10 tetor 1949, rreth 4000 guerrilas komunistë grekë hipën në portin e Durrësit në një anije polake dhe një anije sovjetike me destinacion Bullgarinë. Lajmi është konfirmuar dhe nga të tjerë që thanë se kjo mund të ketë qenë arsyeja për ndryshimin e vendit të nisjes (nga Durrësi në Vlorë) të të riatdhesuarve italianë. Informatori ynë raporton se nuk ka instilacione artilerie në kepin Linguetta të Karaburunit, por ka sinjalizime se bateritë e atyshme janë zhvendosur kohët e fundit diku tjetër. Garnizoni i Karaburunit ka dy skuadra, njëra në ekstremin verior ku ka dhe dy konstruksione të gurta, dhe tjetra ndodhet në pikën pranë hyrjes së gjirit të Vlorës, mes kepit të Gallovacit dhe kepit Shën Jovani. Edhe këtu ka rreth tre konstruksione të gurta. Në afërsi të tyre ka disa bunkerë të vjetër për armë automatike apo artileri, të cilat tani janë jashtë funksionit. Shpella e gadishullit të Karaburunit besohet se është 12 metra e lartë dhe 7 metra e gjerë. Informatori nuk beson se shpella është shumë e thellë, duke gjykuar nga përplasjet e pasi valëve të detit në hyrje të saj. Sipas këtij gjykimi, shpella nuk mund të përdoret nga njësitë ushtarake detare. Shqiptarët besohet se do ta përdorin shpellën për të strehuar mjetet e tyre detare të tipit MAS, por raportimi gjithsesi bazohet vetëm në fjalë.
Artileria
Raportohet gjithashtu për një bateri artilerie me tre njësi, me rreth 300 metra distancë nga njëra-tjetra, në verilindje të kalasë së Kaninës. Artileria nuk është maskuar mirë me kamuflazh dhe duket qartë me dylbi. Informacionet thonë se një tjetër bateri mund të jetë e vendosur brenda kalasë së Kaninës, e cila nga jashtë duket si objekt jo-ushtarak dhe në gjendje të shkatërruar.
Katër bateri artilerie me nga katër gjuajtës 122 mm secila (prodhim sovjetik), janë vendosur në anën perëndimore të ishullit të Sazanit. Këto besohet se janë bateri të tipit AA me kalibër 20 mm.
Informatorët në përgjithësi përjashtojnë mundësinë e ekzistencës së shpellave apo strehimeve detare në anën lindore të ishullit të Sazanit. Disa nga të riatdhesuarit italianë që kanë punuar më parë në zonën e Vlorës kanë deklaruar se nuk kishin dëgjuar ndonjëherë shpërthime në ishull, të cilat të tregonin për punime ndërtimore apo shpime. Informatorët thonë se një port i vogël në ishull, në gjirin Tapraca është në gjendje të dobët, me pista të dëmtuara gjatë luftës së fundit dhe të pariparuara. Fortifikimet e vjetra pranë posteve janë të shembura dhe në gjendje të braktisur. Në port gjendet një barkë e vogël e armatosur. Në lidhje me trupat, në ishull është parë vetëm një mjet 3-4 tonësh që lëviz me ushtarë. Besohet se ka rreth 400 ushtarë shqiptarë të instaluar në ishullin e Sazanit, si dhe 4 apo 5 oficerë sovjetikë që kontrollojnë gjithçka. Në lidhje me portin e Vlorës, janë përshkruar dy mole me funksione shërbimi, të ndara në tre seksione. Seksion i parë është 100 metra i gjatë dhe 12 metra i gjerë. Seksioni i dytë është 80 metra i gjatë dhe 9 meta i gjerë, ndërsa i treti është 120 metra i gjatë dhe 6 metra i gjerë. Informatori thotë se gjatë gjithë kohës që anija italiane ishte ankoruar në Vlorë, asnjë mjet detar motorik apo me vela nuk gjendej apo nuk hyri në port.
Shërbimi ushtarak
Këtë muaj dy kategori të tjera të popullsisë janë thirrur për shërbim ushtarak, të cilat janë thuajse pa eksperiencë. Lëvizje të konsiderueshme ushtarësh janë diktuar, si dhe rritje të intensivitetit të stërvitjes. Një nga aspektet më të veçantë të pamjes së jashtme është gjendja e mjeruar e uniformave e të gjitha njësive ushtarake, përfshi dhe policinë. Të rinjtë e moshave nga 15 vjeç e lart raportohet se detyrohen të kryejnë shërbimin para-ushtarak gjatë pushimeve verore. Në lidhje me numrin e sovjetikëve në Shqipëri, raportohet se ka rreth 3000 burra, të cilët përbëhen nga personel ushtarak dhe personel teknik. Por sipas opinionit të disa të riatdhesueve italianë të cilët mund të lëviznin lirisht para se të largoheshin, ku numër është disi i lartë për kushtet e Shqipërisë, prandaj e llogarisin numrin e personelit sovjetik në 1500 ose maksimumi 2000. Ky numër sipas tyre përfshin teknikët dhe oficerët sovjetikë që kanë ardhur në vend për të zëvendësuar teknikët italianë të riatdhesuar në dhjetor. Disa prej të riatdhesuarve italianë që kanë punuar në mirëmbajtjen e artilerive në Shqipëri, konfirmojnë se të gjitha armët e ushtrisë, prej armëpushimit të vitit 1943 me Italinë deri në pranverën e 1948, ishin zëvendësuar me armë sovjetike. Armët e zëvendësuara (italiane, gjermane apo të forcave aleate) ishin vendosur në magazina. Sipas teknikëve italianë, cilësia e armëve sovjetike nuk është e lartë, por zëvendësimi i krye prej gjendjes së vjetruar të të parave dhe mungesës së municionit apo pjesëve të këmbimit.
Ushtria shqiptare zotëron tashmë rreth 20 tanke të rëndë, 35-40 ton, me top 85mm, rreth 50 tanke të mesëm me top 76 mm ZIS, dhe 50-60 mjete të blinduara. Gjatë paradës ushtarake të 10 korrikut 1949, parakaluan 20 tanke të rëndë, 20 tanke të mesëm dhe 40 makina të blinduara. Është e mundur por nuk është e konfirmuar që zona e Krionero të spastrohet nga civilët për t’u kthyer në zonë ushtarake. Dy ish-spitale italiane të ndërtuar atje do të rinovohen për t’u kthyer në kazerma. Në lidhje me këtë, raportohet se një mision i përbashkët shqiptaro-sovjetik ka ardhur në Vlorë më 3 dhjetor, i përbërë nga inspektori i artilerisë shqiptare gjeneral Gjin Marku, tre ushtarakë sovjetikë, dhe dy kolonelë shqiptarë. Informatori ynë vëren se informacioni nuk është i sigurt, pasi misioni mund të ketë qenë në Vlorë edhe në lindje me stërvitjen e disa njësive të reja të ushtrisë, ose për njësitë e përqendruara në rajonin e Dukatit, prej frikës së lëshimit të parashutistëve në atë zonë.
Aktivitete rezistence nëntor 1949
Më 8 tetor 1949 u raportuan luftime të ashpra në Thirre mes trupave qeveritare dhe rezistencës nacionaliste. Burimet flisnin për forca të shumta të rezistencës, pasi krerët e tyre ishin mbledhur për një konferencë të thirrur në Thirre nga Ndue Pjetër Gjnmarkaj. Luftimet zgjatën dy ditë dhe u mbyllën me disfatën e forcave qeveritare. Për të forcuar kontrollin ndaj zonave në veri të Shqipërisë qeveria e Hoxhës bëri disa ndryshime në qeveritë lokale. Nënprefektura e Mirditës u transferua nga Shupali në fushën e Lumthit. Bajrakët (komunat) e Kthellës dhe Selitës u vendosën nën juridiksionin e nënprefekturës së Matit. Bajraku i Fandit u vendos në juridiksionin e Qukësit. Tashmë nënprefektura e Dibrës ka vetëm tre bajrakë: Oroshi, Kushnen dhe Dibra. Burimet raportojnë se rreth 50 anëtarë të Ballit Kombëtar që besohet se kanë hyrë në Shqipëri në mesin e tetorit, u tradhtuan te forcat qeveritare nga banorë besnikë të regjimit. Rreth 30 prej tyre u vranë dhe 20 të tjerët u kapën rob. Një brigadë refugjatësh shqiptarë të armatosur mirë dhe të stërvitur në Jugosllavi, të njohur si “Brigada e Koçi Xoxe” raportohet se janë stacionuar në kufirin shqiptar pranë liqenit të Shkodrës, duke pritur urdhër për të vepruar kundër qeverisë së Hoxhës
Aktivitete rezistence nëntor 1950
Gjatë natës së 2-3 prillit një post i rëndësishëm policie u sulmua në veri të Librazhdit nga një grup prej 22 partizanësh nacionalistë, të drejtuar nga njëfarë Blloshmi, ata morën kontrollin e postës policore dhe vranë komandantin. Mes dokumenteve të gjetura në ndërtesë ishte dhe një urdhër për të ndaluar çdo aktivitet të rezistencës në rajon dhe të raportonin pa vonesë për çdo të dyshuar mes popullatës apo dhe mes vetë anëtarëve të policisë, që mund të influencojë apo sabotojë zgjedhjet. Gjatë natës së 30-31 marsit një grup me agjentë të Ministrisë së Brendshme u sulmua nga rreth 15 anëtarë të rezistencës shqiptare, teksa po udhëtonin nga Tirana drejt Elbasanit. Në incidentin rreth 30 kilometra larg Tiranës, policia pësoi 12 të vrarë ose të plagosur, mes tyre dhe njëfarë Poda, komandant i batalionit të ministrisë. Gjatë vdekjes ai raportohet të ketë thënë: “Ju mund të më vrisni por ju siguroj se jam në anën tuaj, prandaj po vdes pa asnjë mendim hakmarrjeje”. Mes dokumenteve të kapura pas sulmit ishte një urdhër për kontrolle të pozicioneve apo forcës së grupeve të rezistencës në këtë zonë. Aktualisht rreth 85 për qind e popullsisë urbane dhe rreth 95 për qind e popullsisë fshatare janë antikomuniste. Por popullsia qytetare është kryesisht apatike, pranua ka asnjë iniciative, në ndryshim nga zonat fshatare, kryesisht ato të veriut të vendit, të cilat kanë dispozitë të ndihmojnë aktivitetin e rezistencës (deri në muajt mars-prill 1950)