Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur zhgënjimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin dhe ka premtuar të dërgojë 10 raketa Patriot në Ukrainë, duke shënuar një ndryshim të papritur në qëndrimin e tij ndaj ndihmës ushtarake për Kievin. Ky veprim vjen vetëm disa ditë pas pezullimit të përkohshëm të ndihmës ushtarake nga Pentagoni.
Duke folur të martën gjatë një mbledhjeje kabineti, Trump u shpreh i irrituar me sjelljen e Putinit: “Putini na thotë shumë budallallëqe, nëse doni ta dini të vërtetën. Ai është shumë i sjellshëm gjatë gjithë kohës, por rezulton që sjelljet e tij të jetë pa kuptim”.
Në lidhje me mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Rusisë, Trump u shpreh: “Po e shqyrtoj”. Të hënën, ai kishte deklaruar se ishte “i zhgënjyer” me liderin rus dhe do të dërgonte më shumë armë në Ukrainë për të ndihmuar mbrojtjen e saj.
“Do t’u dërgojmë atyre më shumë armë që kemi. Ata duhet të jenë në gjendje të mbrojnë veten. Po goditen shumë rëndë tani,” tha ai, në praninë e një delegacioni amerikan dhe izraelit. Megjithatë, zyrtarët ukrainas e përshkruan dërgesën prej 10 raketash si “të vogël”, ndërsa Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë tha se nuk kishte marrë ende njoftim zyrtar për vendimin.
Sipas burimeve të “Axios”, dërgesa e 10 raketave Patriot do të zëvendësojë një sasi më të madhe prej 30 raketash që ishte planifikuar të dorëzohej më parë, por që u ndal në kufirin Poloni-Ukrainë. Megjithatë, Trump ka premtuar se do të kërkojë mënyra të reja për të furnizuar Ukrainën me armë të tjera mbrojtëse.
Kjo lëvizje erdhi pas një sulmi ajror shtatëorësh nga Rusia mbi Kievin javën e kaluar, ku u përdorën më shumë se 550 dronë dhe raketa. Autoritetet ukrainase thanë se dërgesa e 10 raketave Patriot mund të jetë e mjaftueshme vetëm për të përballuar një sulm të ngjashëm, por jo për të mbrojtur plotësisht qytetet e mëdha.
Dërgesat e armëve amerikane kishin ndaluar përkohësisht pas një vendimi të zëvendëssekretarit të mbrojtjes, Stephen Feinberg, për shkak të shqetësimeve rreth rezervave të ulëta në Pentagon. Kjo shkaktoi reagime të ashpra në Kiev dhe kritika nga demokratët në Kongres.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar marrëdhëniet me administratën Trump, përfshirë nënshkrimin e një marrëveshjeje për qasje të investitorëve amerikanë në burimet natyrore të Ukrainës dhe pajtimin me një propozim për armëpushim 30-ditor.
Megjithatë, Rusia ka refuzuar çdo armëpushim dhe vijon me ofensivat e saj. Kremlini ka deklaruar se “nuk është e qartë” se çfarë armësh po dërgojnë amerikanët dhe ka akuzuar Perëndimin për përshkallëzim të konfliktit.
Në përpjekje për të ndihmuar Ukrainën, kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur gatishmërinë për të blerë raketa Patriot nga SHBA dhe për t’i dërguar në Ukrainë. Trump ka sugjeruar që SHBA dhe Evropa mund të ndajnë kostot.
Zelensky do të marrë pjesë të mërkurën në një samit ndërkombëtar në Romë, ku ndihma për rindërtimin e Ukrainës pas luftës do të jetë në qendër të diskutimeve. Ndërkohë, ministri ukrainas i mbrojtjes do të takohet me të dërguarin e Trump, gjeneralin Keith Kellogg, për të diskutuar rifillimin e dërgesave ushtarake.
“Çdo gjë që lidhet me mbrojtjen ajrore është përparësia jonë kryesore,” tha Zelenskyy në një adresim. Ai theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare për të përballuar sulmet ruse, ndërkohë që Ukraina po përpiqet të forcojë prodhimin vendas të dronëve dhe raketave interceptuese.