Nga Clara Hage & Georges Schmitz – L’Orient Le Jour
Prej dekadash, një “sekret i hapur” ka trazuar prapaskenat diplomatike në Uashington: një shtet në Lindjen e Mesme ka zhvilluar në heshtje një arsenal bërthamor, jashtë çdo mbikëqyrjeje ndërkombëtare, duke ngritur rrezikun e një gare të pakthyeshme armatimesh në rajon. Bëhet fjalë për Izraelin.
Që në vitin 1961, vetëm pak javë para se John F. Kennedy të merrte zyrtarisht postin e presidentit të SHBA, shërbimet sekrete amerikane konfirmuan dyshimet që administrata Eisenhower kishte prej kohësh centralin në Dimona, në mes të shkretëtirës Negev, që përmbante një reaktor sekret
“Prodhimi i plutoniumit për qëllime ushtarake është të paktën një nga objektivat kryesore të këtij projekti,” shkruhej në raportin sekret.
Kennedy, i shqetësuar, e hapi takimin e parë me paraardhësin e tij me pyetjen: “Cilat shtete janë më të vendosura të pajisen me armë bërthamore?”
Përgjigjja ishte e prerë: “Izraeli dhe India.”
Në atë kohë, Izraeli pritej të prodhonte deri në 90 kilogramë plutonium ushtarak brenda dy vjetëve. SHBA kërkoi inspektime të rregullta në Izrael për të shmangur rrezikun që bomba të futej në Lindjen e Mesme.
Më 30 maj 1961, Kryeministri izraelit David Ben Gurion u takua me Kennedy-n në Manhattan. Kur presidenti e ngriti çështjen, Ben Gurion u duk i turbulluar. Fliste “shpejt dhe me zë të ulët”, thuhej në procesverbalin e takimit. Megjithatë, ai këmbënguli: Dimona ishte për zhvillim ekonomik, jo për armë. E megjithatë, përmendi edhe një “fabrikë pilot” për përpunimin e plutoniumit. Ky detaj u fshi në versionin final të memorandumit amerikan. Dhjetë ditë më vonë, një delegacion amerikan vizitoi Dimonën dhe doli në përfundimin se gjithçka dukej “në përputhje me karakterin paqësor të pretenduar nga qeveria izraelite”.
Nga mohimi te “opaciteti bërthamor”
Izraeli asnjëherë nuk e ka pranuar zyrtarisht se ka armë bërthamore, por as nuk e ka mohuar në mënyrë eksplicite. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), vendi zotëron mes 80 dhe 100 koka bërthamore.
Kjo politikë e “opacitetit bërthamor” e ka lejuar Izraelin të shmangë detyrimet e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore të vitit 1968, ndryshe nga Irani, i cili e ka nënshkruar traktatin dhe pretendon se programi i tij është civil. Ndërkohë, Irani është nën goditjet ushtarake nga Tel Avivi dhe Uashingtoni në emër të një “lufte parandaluese”. Presidenti Donald Trump deklaroi se këto ndërhyrje synonin “t’i jepnin fund kërcënimit bërthamor nga shteti që mbështet terrorizmin në nivel global”, duke iu referuar Iranit.
Nga trauma e Holokaustit te ndihma franceze
Kjo prirje e Izraelit për të ndërtuar një kapacitet bërthamor ka lindur si një përgjigje ndaj frikës ekzistenciale që ndjeu vendi pas Holokaustit dhe Nakbës së vitit 1948. David Ben Gurion besonte se vetëm fuqia bërthamore do ta siguronte ekzistencën afatgjatë të shtetit hebre. Siç do të shprehej më vonë Ernst David Bergmann, një nga themeluesit e programit: “Qëllimi është të shmangim një tjetër Shoah.”
Izraeli krijoi Komisionin për Energjinë Atomike në vitin 1952 dhe bashkëpunoi ngushtë me Francën, e cila në atë kohë po përpiqej të zhvillonte edhe vetë armë bërthamore. Bashkëpunimi përfshinte jo vetëm ndërtimin e reaktorit në Dimona, por edhe instalimin e një impianti për përpunimin e plutoniumit. Në shkëmbim, Franca mori nga Izraeli teknologji të avancuar, përfshirë superkompjuterët.
E gjithë kjo u mbajt e fshehtë. Inxhinierët francezë në Dimona nuk kishin të drejtë të shkruanin drejtpërdrejt familjarëve të tyre; letrat dërgoheshin në një adresë të rreme në Amerikën Latine. Pas ardhjes së De Gaulle në pushtet, mbështetja franceze u tërhoq në vitin 1958. Por ndërtimi i reaktorit vazhdoi deri më 1965.
Nga mosbesimi te bashkëpunimi i heshtur me SHBA-të
Në fillim, SHBA kërkuan inspektime të shpeshta në Dimona, veçanërisht gjatë presidencës Kennedy. Por Tel Avivi e manipuloi situatën: bllokoi hyrjen në pjesë të objektit dhe krijoi një sallë të rreme kontrolli me të dhëna të fabrikuara. Mosbesimi i madh ndaj Izraelit gjatë kësaj periudhe frymëzoi madje teoritë konspirative për përfshirjen e Mossad-it në vrasjen e Kennedy-t.
Pas vdekjes së tij, SHBA-të nuk reaguan më fort. Raportet e klasifikuara tregojnë se që në vitin 1967, Izraeli mund të ketë ndërtuar bombën e parë atomike. Por në vend të përballjes, SHBA-të zgjodhi të mbyllnin njërin sy. Në vitin 1969, me ardhjen e Richard Nixon në presidencë, u arrit një marrëveshje konfidenciale: Izraeli do ta mbante programin të fshehtë, nuk do të testonte armët, dhe SHBA-të do të “shikonin nga ana tjetër”.
Dimona, akoma një qendër misterioze
Që atëherë, nuk ka dalë shumë nga ambientet e Dimonës. Në vitin 1986, tekniku izraelit Mordechai Vanunu zbuloi për “Sunday Times” se objekti prodhonte 1.2 kg plutonium në javë, mjaftueshëm për të ndërtuar 12 bomba në vit. Për këtë zbulim, ai u rrëmbye nga Mossadi, u dënua me 18 vite burg, dhe pas lirimit, mbeti nën masa të rënda kufizuese.
“Opsioni Samson”: Strategjia e fundit?
Përtej ruajtjes së sekretit, Tel Avivi ka ndërtuar edhe një tjetër politikë: ruajtjen me çdo kusht të monopolit rajonal bërthamor. Është e ashtuquajtura “doktrina Begin”, që nënkupton sulme parandaluese ndaj çdo shteti të Lindjes së Mesme që përpiqet të ndërtojë armë bërthamore. Kjo doktrinë është zbatuar disa herë, në Irak më 1981, në Siri më 2007 dhe sot ndaj Iranit.
Një tjetër mister është “Opsioni Samson”, ideja se në rast të një kërcënimi ekzistencial, Izraeli mund të përdorë armët bërthamore si veprim final vetëshkatërrues. I përmendur nga gazetari Seymour Hersh, ky opsion nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht, përveç një interviste të Shimon Peresit në vitin 2009 ku deklaroi se forca e Izraelit vjen nga “dyshimi i fqinjëve të tij se ai mund t’i shkatërrojë.”
Është e mundur që flota e avionëve F-35 të Izraelit të jenë të aftë të lëshojë armë bërthamore.
Në nëntor 2023, gjatë muajit të parë të luftës në Gaza, ministri izraelit i Trashëgimisë sugjeroi përdorimin e një bombe bërthamore mbi enklavën palestineze, më pas u tërhoq duke thënë se ishte “metaforë”. Por kjo deklaratë, sado simbolike, tregon se frika ekzistenciale mbetet ende thellësisht e ngulitur në strategjinë izraelite.
Sot, sipas analizave të ekspertëve dhe imazheve satelitore, duket se Izraeli po zgjeron ndërtesat në Dimona. Në një kohë kur bota është gjithnjë e më e fragmentuar dhe normat ndërkombëtare shpesh anashkalohen, “sekreti më pak i ruajtur në botë” është gjithnjë e më i dukshëm.