Konfirmohen pazaret me emërimet dhe shkarkimet në KPK, ja si u shpërblyen me poste nga mazhoranca komisionerët

0
5

Pazaret në drejtësi nuk janë më thjesht thashetheme, por fakte të konfirmuara. Ish-komisionerët e vetingut, të cilët dikur vendosnin për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sot janë shpërblyer me poste kyçe nga mazhoranca. Nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit te Kryeministria dhe Gjykata Kushtetuese, emrat e vjetër të vetingut po riciklohen me kujdes për të vijuar një tjetër mision: mbrojtjen e interesave politike dhe klienteliste të qeverisë.

Olsi Komici, nga vetingu te AKU, një emërim që ngre dyshime

Një nga emrat që tashmë ka gjetur strehë në administratën e lartë është Olsi Komici. Dikur anëtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Komici ka marrë drejtimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). Në kohën kur ishte në KPK, ai vendoste për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por nuk munguan akuzat për vendime të diktuara politikisht. Kalimi i tij në një institucion të rëndësishëm si AKU tregon qartë shpërblimin e mazhorancës për besnikërinë e treguar gjatë procesit të vetingut.

Sanxhaktari, nga shkarkimet e magjistratëve te zyra pranë Engjëll Agaçit

Po ashtu, një tjetër emër që ka përfituar nga “shërbimet” e saj në veting është Valbona Sanxhaktari. Dikur një nga figurat më të zëshme të KPK-së, ajo u bë e njohur për shkarkimet masive të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke krijuar një “sanxhak” të mazhorancës në drejtësi. Sot, ajo është emëruar drejtoreshë juridike në Kryeministri, pranë Engjëll Agaçit, një prej figurave më të fuqishme të qeverisë. Emërimi i Sanxhaktarit në këtë post strategjik nuk është rastësi, por një lëvizje e mirëmenduar për të vazhduar ndikimin mbi sistemin e drejtësisë. Gjatë mandatit të saj në KPK, Sanxhaktari akuzohej për vendime të njëanshme, duke larguar nga sistemi magjistratë të ndershëm dhe duke mbrojtur të tjerë me lidhje të forta politike. Sot, duke qenë pranë Engjëll Agaçit, ajo ka mundësinë të “kopsitë” ligjërisht çdo vendim që i shërben interesave të oligarkëve dhe qeverisë.

Genta Bungo synon Kushtetuesen, riciklim i vjetër për një betejë të re

Ndërkohë në këtë zinxhir emërimesh strategjike nuk mungon as Genta Bungo, ish-kryetare e KPK-së. Pas përfundimit të mandatit në veting, Bungo nuk ka ndërmend të largohet nga pushteti. Ajo ka shfaqur interes dhe ka kandiduar për një vend në Gjykatën Kushtetuese, duke synuar vakancën që do të lihet nga Holta Zaçaj. Bungo, gjatë drejtimit të KPK-së, u shqua për vendime që shpesh u konsideruan të njëanshme dhe me prapavijë politike. Tani, ambicia e saj për të hyrë në Gjykatën Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze për pavarësinë e këtij institucioni. Nëse emërimi i saj finalizohet, mazhoranca do të ketë siguruar një tjetër dorë të zgjatur në institucionin më të lartë të interpretimit të Kushtetutës.

Një skemë e qartë: nga vetingu te pushteti absolut

Por teksa shohim dhe analizojmë këto emërime, bëhet e qartë se procesi i vetingut, i promovuar si një reformë për pastrimin e drejtësisë, është kthyer në një mjet për të spastruar kundërshtarët dhe për të ngritur një kastë të re besnike ndaj mazhorancës. Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari dhe Genta Bungo janë vetëm tre nga emrat që tregojnë sesi vetingu nuk ka qenë një proces i pastër, por një mjet për të ndërtuar një sistem të ri të kontrolluar nga qeveria. Në vend që të ndalonin kapjen e drejtësisë, këta ish-komisionerë po e betonojnë atë edhe më shumë. Me këto zhvillime, bëhet e qartë se historia e vetingut nuk ka mbaruar ende. Emërimet e reja janë vetëm hapi i radhës në një skemë të mirëmenduar për të kontrolluar drejtësinë, duke përdorur të njëjtët njerëz që dikur u betuan për paanshmëri. Shqiptarët mund të kenë humbur besimin tek drejtësia, por ajo që mbetet ende e hapur është pyetja: Kush do të bëjë vetingun e vetingut? Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here