Elmas Bogdani
Hetimi i thelluar i disa dosjeve të ndjeshme nga Prokuroria e Posaçme dhe lirimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga masat juridike ka ngritur pikëpyetje të mëdha në arenën politike dhe atë gjyqësore. Teksa hetimet për të vazhdojnë, autoritetet mund të kenë zgjedhur lirimin e Berishës për të shmangur një valë protestash apo destabilizim politik. Përkrahësit e tij kanë treguar më parë gatishmëri për të reaguar me forcë ndaj masave juridike ndaj liderit të tyre, duke rritur frikën se arrestimi i tij mund të ndezë tensione të mëdha.
Kjo u pa edhe nga trazirat që shkaktuan në protestën e fundit në Tiranë, duke “paralizuar” të gjithë kryeqytetin. Edhe pse kreu i PD dhe besnikët e tij po e shesin si fitore këtë vendim të gjykatës, burime brenda SPAK bëjnë me dije se për familjen “Berisha” paniku sapo ka filluar pasi dosja e Kompleksit Partizani është vetëm maja e ajsbergut. Ka shumë çështje të tjera që prekin fëmijët e ish-kryeministrit dhe kjo është frika më e madhe e Berishës. Edhe me daljen e tij nga “arresti i shtëpisë”, ish-kryeministri vazhdon të sulmojë Altin Dumanin.
Madje ka shkuar deri aty sa i ka hyrë në skaner të kaluarës së tij, duke futur njerëz për t’i gjetur shkelje, si pasuritë që disponon, apo ndonjë skandal te familjarët dhe puna e tij që kur i është futur drejtësisë. Berisha ka informacione se SPAK do të shkojnë edhe te familjarët e tij. Dosja Partizani i ka nxjerrë të përlyer, pasi ata kanë shërbyer si “bankomati” i Berishës për të pastruar paratë që ka vendosur gjatë qeverisjes së tij. Por dy goditjet më të mëdha që priten nga drejtësia janë “Gërdeci” dhe dosja e “21 Janarit”.
Gati të merret i pandehur Shkëlzen Berisha
Një ndër çështjet më të bujshme që kanë tronditur opinionin publik është ajo e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas shpërthimit në fabrikën e çmontimit të armëve. Pas viteve të zvarritjeve në sistemin e drejtësisë, duket se autoritetet po afrohen më pranë figurave kyçe të këtij skandali. Emri i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit, është lakuar shpesh për përfshirje të dyshuar në marrëveshjet që çuan në tragjedinë e 2008-ës. Burime të afërta me hetimin sugjerojnë se ai mund të merret i pandehur për rolin e tij në këtë aferë.
Dyshohet se SPAK ka siguruar dëshmitë e shumë bashkëpunëtorëve të tij në këtë biznes si kontrollues dhe përfitues kryesor prej këtij biznesi vrasës. Lidhjet e djalit të Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, dhe Gërdecit, e kanë zanafillën që në gjenezën e projektit që do të shndërrohej muaj më vonë në një tragjedi. Ministria e Mbrojtjes kishte përgatitur kuadrin ligjor, por duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë. Të gjitha materialet kaluan tek ministri Bumçi dhe stafi i tij, i cili pasi i pa, vendosi miratimin. Por, në këtë pikë, Bumçi tradhtohet nga një faks.
Ai i dërgon një prej materialeve Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi të shkruan me dorën e tij: “Për Shkëlzen Berishën”. Për këtë rast edhe Bumçi edhe Shkëlzeni janë thirrur disa muaj më parë në SPAK për të dhënë sqarimet e tyre. Por ajo që i komplikon edhe më shumë gjërat për djalin e Berishës, është hetimi i SPAK në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket fraksionit tjetër të kësaj dosjeje për korrupsion dhe pastrim parash sa i takon trafikimit te municioneve. Mësohet se SPAK, ka gjetur dhe siguruar provat që mund të tronditin pozitat e Shkëlzen Berishës.
“21 Janari”
Nga ana tjetër, “ditët e zeza” për Sali Berishën sapo kanë filluar. Pas 12 vjetësh, Gjykata Europiane e të të Drejtave të Njeriut, e cila shqyrtoi edhe një herë nga e para krimin shtetëror të 21 janarit, pas padisë së familjarëve të Aleks Nikës nxori si përfundim se shteti ishte vrasësi, duke tejkaluar kompetencat, Sali Berisha prishi provat shkresore e filmike, mori nën sqetull të dyshuarit si ekzekutorë dhe sulmoi e pengoi me sa mundi hetimin e prokurorëve. De facto para nesh u shfaq një ngjarje e hetuar në mënyrë hipokrite dhe duke fshehur fajësinë e autorëve kryesorë, një tragjedi e shkaktuar me dorën e shtetit, e cila është tentuar rregullisht të kamuflohet nga vetë shteti.
SPAK ka ecur me ritme shumë të shpejta për të hetuar këtë dosje dhe brenda një muaji kemi parë me dhjetëra persona që janë thirrur në Prokurorinë e Posaçme. Tashmë SPAK po plotëson faktet, provat dhe dëshmitë që shumë shpejt mund ta rikthejnë Berishën sërish në “arrest shtëpie”. Lidhur me lajmet tronditëse që e presin familjen “Berisha” ka folur edhe Poli Hoxha. Ai tha se nëse Berisha merret i pandehur për 21 Janarin, ka prova të mjaftueshme që ndaj tij të caktohet një masë sigurie.
“Kjo çështja juridike për Berishën sapo ka filluar. Bëhet fjalë për një dosje e cila ka edhe disa fashikuj të rëndë për fshehje të pasurisë. Është hera e parë që dhëndrin, Jamarbër Malltezin e veçojnë. Shkoi vetëm Berisha për herë të parë, ndërkohë që ata bashkë i kanë çuar, një çështje. Nuk ka kuptim logjik që gjyqtarja që ka në dorë një çështje tjetër me afat deri në datë 14, ka një konflikt interesi sepse kundërshtarët e Berishës, nëse ajo e kthen dosjen, do e vënë në dyshim. Nuk ka pse i njëjti gjyqtar të merret me këto të dyja. SPAK ka edhe një gur tjetër në dorë që në dijeninë time po ecën shumë shpejt, hetimi i 21 Janarit. Dhe nëse e merr të pandehur, sepse nën hetim e ka, nëse e merr të pandehur, ka prova për masë. Berisha e ka precedentin që nuk la gardistët të shkonin, u konfliktua me prokuroren e përgjithshme për provat”, u shpreh gazetari Hoxha në një studio televizive.