Fleta e votimit për diasporën do të jetë e njëjtë me fletën e votimit që do të përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, por me një element të veçantë dallues. KQZ do t’ia dërgojë fletën me postë emigrantit në adresën që ai ka deklaruar. Fleta e votimit shoqërohet me zarfin ku ajo duhet të futet pas plotësimit. Votuesit i dërgohet edhe me një dokument që përmban sqarime për plotësimin e fletës dhe një udhëzues mbi procedurat e dërgimit mbrapsht të fletës së votimit nga zgjedhësi tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zarfi ku futet fleta e votimit është në përmasa dhe në ngjyrë të njëjtë për të gjithë zgjedhësit.
Posta që do të përdoret për të shpërndarë këto fletë do të lejojë gjurmimin e zarfit, më mënyrë që asnjë fletë të mos humbasë. Kur zgjedhësit i ka mbërritur dokumentacioni zgjedhor nga KQZ, duhet ta plotësojë fletën e votimit duke bërë vetëm një shënimi në mënyrë individuale. Pasi plotëson fletën e votimit, zgjedhësi e vendos atë në zarfin e fletës së votimit të dërguar nga KQZ. Por kujdes, nuk duhet të futet brenda asnjë dokument tjetër, dhe nuk lejohet asnjë lloj shënimi mbi zarfin e fletës së votimit. Në mënyrë që asnjë të mos ju bëjë presion emigrantëve për të identifikuar mënyrën se si kanë votuar. Këtë zarf të KQZ-së, emigranti duhet ta futë brenda një zarfi tjetër që duhet ta blejë vetë.
Pas këtij çasti, KQZ i lë zgjedhësit një detyrë që mund t’i komplikojë procesin. Votuesi duhet të printojë një bar-kod që i është dërguar në sistemin elektronik online dhe ta ngjisë mbi zarf. Ky element sigurie mund të hapë debat mes palëve, pas partitë mendojë se e vështirëson procesin, pasi jo të gjithë do të dinë si ta bëjnë, dhe jo të gjithë kanë pajisje printuese për ta kryer me lehtësi. Fletët që do të mbërrijnë përmes postës në KQZ brenda afatit, do të grupohen nga komisioni në një kuti që do të përkufizohet si kutia e votimit nga jashtë. Ato do të ndahen sipas qarqeve ku janë të regjistruar emigrantët, dhe do të numërohet nga KQZ , e rezultati do tu shtohet votave të zgjedhësve në Shqipëri.