Në Shqipëri debatet mbi të shkuarën komuniste vijojnë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 e ca kusur vite nga rënia e diktaturës komuniste. Historianët vërejnë se pengesat për zbardhjen e saj, kanë ardhur më së shumti nga politika, që sipas tyre, nuk ka qenë e interesuar për shkak të kompromentimit të mjaft figurave të saj në regjimin totalitar. Debati për dosjet e ish-sigurimit të shtetit u rihap, pas një shkrese dërguar parlamentit, pak kohë më parë, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, ku thuhej se ish-presidenti Ilir Meta figuronte në dokumentet e krijuara nga ish-Sigurimi. Zoti Meta e mohoi kategorikisht një gjë të tillë, ndërsa shumica e majtë dhe opozita kanë paraqitur disa nisma ligjore në lidhje me dosjet e ish-policisë sekrete të komunizmit, duke ndezur debat të ri për një çështje të vjetër. Por sa i takon kësaj çështje kaq të nxehtë ka folur edhe ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur Daut Gumeni. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, tregon si u zhdukën jashtë vendit 56 CD të spiunëve të ish-Sigurimit dhe çfarë përmbajnë dokumentet që kanë mbetur në arkivat e shtetit, ndërsa zbulon gjithashtu se kush i caktoi njerëzit me detyrën për t’i eliminuar dhe emri i politikanit që po shantazhon pushtetarët me dosje. Ndërkohë pas goditjes që Sali Berisha mori nga SPAK, zoti Gumeni paralajmëron lajme të tjera “të hidhura” për ish-kryeministrin.
Flet ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur Daut Gumeni.
-Zoti Gumeni, Kuvendi i udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duan të ndryshojnë ligjin e Dosjeve, Dekriminalizimit dhe Lustracionit, me qëllim, nxjerrjen përfundimisht nga politika të personave që ka qenë spiunë apo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Por iniciativa sërish ka ngecur? Pse politika bën sikur e kërkon hapjen e dosjeve dhe është në fund po ajo që e mban të bllokuar?
-Nuk më duket se duan vërtet të ndryshojnë as ligjin e Dosjeve të zeza të Sigurimit, as të dekriminalizimit e ca më pak duan të miratojnë një ligj për lustracionin e mirëfilltë. Sepse, për fat të keq, më duket se janë shumë të paktë ata që dëshirojnë vërtet të bëjnë një përmbysje të tillë. Pasi pushtetarët tanë, trashëgimtarë besnikë të trashëgimtarit satanik të diktaturës komuniste,kanë më tepër se tri dekada që përhidhen e përbetohen që do t’i hapin ato dosje të zeza të mbushura me njerëz me shumë emra dhe përsëri nuk e kanë realizuar këtë zotim as kur kanë bërë tri herë prova me kashtë sikur do t’i hapin e do ta shpëtojnë shoqërinë tonë të gjymtuar nga frika e atyre dosjeve të nëmura. Për të mos folur më për dekriminalizimin e politikës, që u kthye në një shfaqje me aktorë kryesorë vetë ata që e propozuan në Kuvend atë masë ligjore, duke qenë vetë ata të parët që duheshin shporrur nga politika, nëse duhej vërtet të pastrohej ajo e shkretë nga njerëzit e inkriminuar… Ja pse të tria këto masa, që mund të pastronin vërtet politikën e këtij katit të dytë të diktaturës komuniste, të ashtuquajtur dhe tranzicion pa tranzicion, nuk mund të ndërmerren realisht nga kjo klasë politike e mbetur në klasë. Mungesa jo aq e rastësishme e zbatimit të këtyre masave të nevojshme e të domosdoshme e bën dhe tranzicionin tonë të zgjatur që të mos jetë kalim nga diktatura në demokraci, por thjesht një kalim nga stalinizmi në putinizëm.
-A është e vërtetë që janë zhdukur dosje të rëndësishme të Sigurimit të Shtetit?
Flitet për rreth 56 CD me materiale të Sigurimit të dikurshëm, që nuk dihet përse paskan emigruar jashtë shtetit, por nuk thuhet se për ku u eksportuan si të rrezikshme për pushtetin e tranzicionit tonë lumë e det…Mbase u panë dhe ato CD si i vetmi prodhim eksporti me vlerë pushtetarë, gjithnjë pas eksportit të krahut të lirë të punës dhe të njerëzve të mendjes, eksport për të cilin u kujdesën pushtetarët tanë trashëgimtarë besnikë të atij trashëgimtarit cinik, që trembej dhe nga hija e vet.
-A rrezikohet që procesi i hapjes së Dosjeve të Sigurimit të shkaktojë trazira sociale?
Nga hapja e dosjeve të mykura e me erë gjaku të diktaturës komuniste, mendoj se mund tremben vetëm trashëgimtarët e trashëgimtarit, të cilët e morën pushtetin me çelësa në dorë për të komanduar revoltat e mirëfillta popullore e për ta kanalizuar edhe energjinë e pastër studentore për në Lanën e pushtetit, tani me emër të ri demokratikas por me thelb të vjetër bolshevikas.
-Sot që po tentohet hapja e dosjeve, çfarë dokumentesh ndodhen në arkivat e SHISH dhe Ministrisë së Brendshme?
Me dokumentet e Sigurimit të djeshëm është bërë një përzgjedhje, apo më saktë një kasaphane antishtet, një batërdi që dëshmon se sa frikë kishin përpiluesit e tyre dhe ata vulëhumburit me shumë emra që erdhën në pushtet pikërisht në saje të atyre dosjeve. Nuk qëndrova dot gjatë tek ai Autoriteti pa autoritet që të them me saktësi se në çfarë gjendje janë katandisur ato dosje të zeza, pas urdhrave të diktaturës për të zhdukur një shumicë prej tyre. Ca më tepër që pushtetarët me dosje, sapo erdhën në pushtet caktuan njerëz për t’i qethur fare dhe ato që kishin mbetur dhe nëpër librat e sakatuar, për sa munda të shoh unë, kanë mbetur vetëm ato të tetëqind lekshave që spiunonin dhe vetë operativin po të mos i linte të vidhnin misër në arat e kooperativës… Mjafton të përmend këtu se si qe katandisur arkiva e tuneleve të Krrabës! Libra operative të shkalafitu , shirita magnetikë të shkelur e të këputur, mbi të cilët shkelte gjithë krenari edhe një përgjegjëse arkive që na shoqëroi, e sigurt se ajo krenari i vinte nga që e kishte kryer mirë detyrën për të fshirë çdo gjë nga ai arkiv shtetëror, që mund të kujtonte zullumet e atyre shërbyesve të Sigurimit, të cilët tanimë i “kishin treguar vendin Sigurimit dhe diktaturës, duke i përmbysur të dy bashkë” me ndihmën e Sigurimit e me urdhër të vetë diktaturës (!)
-A mendoni se ligji për hapjen e dosjeve u ndërtua në mënyrë të tillë që të mos prekej klasa politike?
Thanë që e kopjuan nga ligji përkatës gjerman, kur nisën provën e tretë për hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe kjo më gënjeu dhe mua në pleqëri, se besova atë thënien e urtë popullore: “E treta, e vërteta” , meqë kishin marrë ligjin gjerman dhe ata të uruar gjermanë, kur vjen puna për ligje, sikur i prishin mendjen edhe një më të mençuri se unë. Por ja që “redaktimi i thellë” që i bënë specialistët tanë atij ligji gjerman e ktheu dhe atë ligj gjerman në një ligj shqiptar të mirëfilltë, gjithnjë në mbrojtje të sigurt të Njeriut të Ri me shumë emra të kohës së diktaturës, Njeriu ynë i Ri si me uniformë e me pagë të majme edhe muzgun këputur e i trembur nga uria…
-Çfarë mendimi keni për debatin që vazhdon ende për dosjen e spiunit I.M? A ekziston kjo dosje apo sërish është skemë e politikës për ta përdorur si shantazh?
Duke mos qenë prej kohësh pjesëtar i Autoritetit me autoritet të “redaktuar” për t’u kthyer në një OJQ private, nuk mund të them gjë të saktë bazuar në dokumente lidhur me personin që po pyesni. Mund t’ju kujtoj vetëm se si gjëmoi dikur në sallën, për fat të keq, sallatë grirëse të Kuvendit brigadieri turfullues i repartit special të Partisë së Punës i ngarkuar me “detyrën fisnike” të ndalimit për të mos u ngjallur alternativa e Djathtë sa të ketë mbushur moshën e diktaturës edhe ky tranzicioni pa tranzicion e të kenë ikur me të shumët të gjithë zullumqarët e diktaturës komuniste… “Unë jam Arkiv! Kujdes me mue!”- gjëmoi dikur kërcëllues brigadieri gjëmë rëndë dhe heshtën e u tulatën të gjithë përfaqësuesit tanë në Kuvend. U stepën dhe ulën kryet mendjeshuma përfaqësuesit e popullit, duke bërë sikur po shihnin lajmet e fundit në celularët e tyre të markës së shtrenjtë. Nuk besoj se ka gazetarë që nuk e mbajnë mend atë heshtje të ligjvënësve tanë, madje besoj se e mbajnë mend mire edhe ata më fanatikët e brigadierit gjëmëmadh, që nuk e kanë lënë vetëm as tani në opozitë e të dekoruar “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Mbretëria e Bashkuar. Nuk besoj ta kenë harrur shumë shqiptarë atë heshtje varri të deputetëve tanë kur dëgjonin “Unë jam Arkivë!”. Se ,edhe po e kanë harruar disa atë heshtje, i kujton heshtja e sotme , kur brigadieri pronar zemërak i të quajturës Parti Demokratike është në hetim nga SPAK-u për korrupsion pasiv e për përdorim të pushtetit për të pasuruar familjarët dhe sejmenët e vet, të cilët duket se kanë po të njëjtin hall me bamirësin e tyre…
-Si ju duket vënia nën akuzë nga SPAK e ish-kryeministrit Sali Berisha? A duhet të japë ky llogari para drejtësisë?
Marrja në hetim e personit që ka tri dekada që tundet e shkundet se na bie diellin e shiun e breshrin e borën në këtë anët tona të akaparuara si pronë e tij vetjake, më duket tepër e vonuar, por gjithsesi një masë e nevojshme dhe e domosdoshme për të nisur me këmbë të mbarë dhe Shqipëria jonë fundin e këtij tranzicioni të lemerisur e lemeritës. Vetë përgjigjet e ngatërruara që ka nisur të japë nga trembëdhjetë herë në ditë nëpër ekranet televizive ndaj akuzës për korrupsion pasiv e për keqpërdorim të pushtetit politik, dëshmojnë shkoqur se ajo akuzë është vetëm fillimi. Edhe vetë akuza e modelit “Ndiq paranë”, të kujton shembullin me të cilin hetuesit amerikanë vunë dikur përpara drejtësisë Al Kaponen e famshëm. Dhe të gjitha përpjekjet e tij përpëlitëse, duke mobilizuar pjesën që i ka mbetur nga Partia, tifozët e tij me po ato halle nëpër kanalet e shumta televizive të rekrutuar prej pushtetit të tij e duke mos kursyer në atë kryqëzatë pa kryq edhe vetë pjesëtarët e familjes, dëshmojnë drejtësinë e akuzës dhe panikun e të akuzuarit. SPAK-u do përshëndetur se tregoi që dollarët dhe eurot e aleatëve tanë strategjikë këtë herë nuk janë shpenzuar për propagandë.
-Ka ardhur koha që në rrjetën e SPAK të bien të gjithë ata zyrtare e politikane të përfshirë në afera korruptive dhe kriminale?
Më në fund ka ardhur dhe mirë se erdhi edhe tek ne koha për të dhënë llogari përpara drejtësisë së reformuar të gjithë pushtetarët zullumqarë të këtyre tri dekadave të mundimshme, zullumqarë që kanë shirë si kanë mundur e sa kanë mundur gjithnjë të pandëshkueshëm e vetëm sepse siguruan pandëshkueshmërinë e agallarëve të tyre të matufjepsur nga frika e ndëshkimit. Le të urojmë tok që Drejtësia e Reformuar më në fund të hapë udhën edhe në Shqipërinë tonë për një politikë të përgjegjshme e gjithnjë përgjegjëse përpara ligjit, ligjit të barabartë për të gjithë e siguri për të gjithë.
Intervistoi: Rigels Seliman