Bashkimi Evropian duket se do të ndryshojë qasjen e saj ndaj individëve apo politikanëve të korruptuar, duke dashur të ndjekë të njëjtën linjë si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. BE-ja po shqyrton mundësinë për të vendosur sanksione për politikanët apo individët e përfshirë në korrupsion madhor apo minimin të demokracisë. Si fillim futja e termit “non-grata” u propozua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen gjatë një fjalimi për gjendjen e Bashkimit Evropian për vitin 2022 dhe mesa duket propozimi po merr jetë. I gjithë ky proces duket se po ecën me ritme të shpejta pasi së fundmi Parlamenti Evropian ka përgatitur një draft dokument lidhur me këtë propozim, në të cilin thuhet se po shqyrtohet mundësia për të marrë sanksione ndaj të gjithë atyre personave që cenojnë demokracinë. Dokumenti nuk tregon kur mund të nisë implementimi i ligjit të ri, por shpjegon qartë se është në fazë diskutimi dhe se së shpejti do të nisë hartimi i tij. Ajo që vlen të theksohet është impakti që ky ligj do të ketë te personat e sanksionuar nga SHBA, që me shumë mundësi do të sanksionohen edhe nga BE-ja. Një rast është ai i ish kryeministrit, Sali Berisha i cili do të izolohej si ish-diktatori, Enver Hoxha ose si presidenti rus Vladimir Putin, nëse ky ligj miratohet, duke e lënë atë pa asnjë lidhje me demokracitë perëndimore. Kështu që ëse Bashkimi Europian do të miratojë vendosjen e “non gratave”, duket se ish-kryeministri Sali Berisha do të izolohet edhe më shumë, pasi mund ta presë sërish i njëjti fat. Ai mund të shpallet “non grata” edhe nga Bashkimi Europian, pasi Britania e Madhe dhe SHBA e kanë futur atë në listën e zezë, me argumentin se ka minuar demokracinë dhe për korrupsion. Ndërkohë kujtojmë se “non gratën” e Berishës nga Bashkimi Europian e ka paralajmëruar disa herë kreu i Grupit të PS, Taulant Balla, i cili thotë me këmbëngulje se së shpejti edhe BE do ta fusë Berishën në listën e zezë. Në daljen e tij të fundit, Balla theksoi këtë fundjavë se BE ka nisur procesin për ta shpallur “non grata” Berishën.
Ja çfarë parashikon drafti i BE për sanksionet
1. Korrupsioni, dhe veçanërisht korrupsioni i madh në lidhje me zyrtarët e qeverisë, ka një efekt të dëmshëm mbi demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut. Korrupsioni në vendet e treta gjithashtu mund të ndikojë në funksionimin e demokracisë së BE-së me flukse parash që blejnë ndikim politik në BE. Në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit në vitin 2022, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi përfshirjen e korrupsionit në regjimin e sanksioneve të BE-së për të drejtat e njeriut. Komisioni nuk mundet megjithatë, të inicojë vetë legjislacionin përkatës.
2. Komisioni nuk mundet megjithatë, të iniciojë vetë legjislacionin përkatës. Sanksionet e BE-së përcaktohen në vendimet e përbashkëta të politikës së jashtme dhe të sigurisë, të miratuara unanimisht nga Këshilli mbi bazën e një propozimi të Përfaqësuesit të Lartë. Nëse një vendim i tillë i Këshillit përfshin sanksionet ekonomike ose financiare, këto duhet të zbatohen me anë të një rregulloreje të Këshillit, pas një propozimi të përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë dhe Komisionit.
3. Ndërkohë që ende nuk ka nisur zyrtarisht hartimi i legjislacionit të ri, Këshilli po zhvillon debate mbi përshtatshmërinë e përdorimit të sanksioneve të CFSP për të synuar korrupsionin. Qasja për të miratuar vendosjen e sanksioneve për korrupsionin në nivel global mund të përfshijë krijimin e një sanksioni horizontal kornizë (duke zgjeruar fushën e mekanizmit ekzistues të sanksioneve për të drejtat e njeriut të miratuar në 2020 ose duke vendosur një regjim të ri të dedikuar), ose duke prezantuar rast pas rasti për një vend specifik regjimet e sanksioneve.
BE gati “listën e zezë” për politikanët e Ballkanit
Por për dallim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat tashmë i kanë vendosur sanksione liderit të serbëve në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, BE-ja i është qasur kësaj çështjeje me shumë kujdes. Këto masa të BE-së, sipas një kornize që tashmë ekziston, do të përfshinin ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimit për politikanët, të cilët konsiderohen përgjegjës për shkeljet, të cilat shihen si rrezik për unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Në BE thonë se në këtë moment prioritet është situata në Bosnje e Hercegovinës, pasi atje janë rritur aktivitete secesioniste të Republikës Sërpska dhe situata, sipas ekspertëve të BE-së, “paraqet krizën më të madhe politike që nga përfundimi i luftës në vitin 1995”. Prandaj, edhe sanksionet ndaj liderëve të Ballkanit Perëndimor mund të zbatohen së pari për ata nga Bosnja e Hercegovina. Hezitimi i BE-së nga zyrtarët e saj në Bruksel arsyetohet me “dëshirën që t’i japim mundësi dhe kohë dialogut politik”. Këta diplomatë të BE-së janë të mendimit se vendosja e sanksioneve ndaj atyre liderëve politikë që kanë marrë votat e qytetarëve, do të zvogëlonte gjasat për sukses në negociatat për reforma. “Ata kanë marrë votat e qytetarëve dhe ne nuk mund t’ua imponojmë atyre qytetarëve se për kë duhet të votojnë, pa marrë parasysh a na pëlqejnë apo jo. Por, nëse i realizojnë kërcënimet e tyre për rrezikimin e unitetit dhe sovranitetit të shtetit, atëherë nuk do të kemi zgjidhje tjetër dhe do të veprojmë”, ka thënë një zyrtar i BE-së pak ditë më parë. Arsye tjetër është edhe fakti se në BE nuk ka pajtim të plotë mes 27 shteteve anëtare rreth sanksioneve ndaj liderëve të rajonit. Në anën tjetër, BE-ja është duke u kujdesur që sanksionet, nëse do të vendosen, të mos kenë pasoja për qytetarët. Në rastin e Bosnje e Hercegovinës, siç përmendet në dokumentin e përgatitur për diskutim të ministrave të jashtëm, BE-ja tashmë ka paralajmëruar se do të kushtëzojë nënshkrimin e marrëveshjes për 600 milionë euro që janë dedikuar për projektet rrugore dhe hekurudhore në entitetin e Republikës Sërpska.