Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka hedhur dritëhije, sa i takon rastit të rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH ka hedhur akuza në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit gjatë kohës kur u rrëmbye dhe u torturua deri në vdekje biznesmeni Hoxha ka qenë në pozitat e presidentit të Shqipërisë, por për zotin Klosi, Berisha është ideatori dhe përgjegjësi kryesor për zhdukjen e Remzi Hoxhës, nga Shërbimi Informativ Kombëtar i kohës, drejtuar asokohe nga Bashkim Gazidede. Klosi vijoi më tej, duke theksuar se personat që sot jetojnë jashtë dhe që kanë qenë të implikuar në këtë ngjarje, janë larguar nga Shqipëria me pasaporta diplomatike, të firmosura këto nga Sali Berisha. Sa i takon dëshmisë së ish-presidentit Ilir meta në SPAK për aferën “CEZ-DIA”, ish-kreu i SHISH e sheh si zhvillim pozitiv.
-Zoti Klosi, pak ditë më parë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u thirr në SPAK për të dëshmuar për aferën “CEZ-DIA”, ku akuzohet se është përfshirë. Si e shikon këtë zhvillim dhe a ka sipas jush prova që implikojnë kreun e Partisë së Lirisë në këtë skandal?
Derisa e thirrën në SPAK nuk është punë pa gjë, por që vazhdojnë akoma hetimet dhe sigurisht që Prokuroria nuk ka dëshirë që të jap sqarime. E kanë thirrur sepse mbase edhe ai di diçka, ose është i implikuar, tregon që ata janë duke u marr me këtë punë dhe kjo rëndësi që ka filluar një hetim, pastaj është Prokuroria ajo e cila do të jap verdiktin. Por mua kjo më duket pozitive, sepse njerëz me përgjegjësi të madhe Prokuroria nuk heziton që ti thërrasë dhe guxon të thërrasë ish-presidentë dhe ish-kryeministra.
-Në Kuvend po diskutohet nisma që bashkon Partinë Socialiste dhe fraksionin Alibeaj për hapjen e dosjeve, mendoni se ka fakte që implikojnë kreun e Partisë së Lirisë Ilir Metën me ish-Sigurimin e Shtetit?
Këtë se di. U thanë shumë atëherë për atë personin me iniciale I.M, ndërkohë që Meta e ka mohuar natyrisht nuk duhet besuar se është ai është palë në problem, por duhet që të shohim se atëherë kur doli kjo u bë shumë zhurmë, por tani nuk po dëgjojmë gjë.
-Mendoni se rrezikohen të tjerë zyrtarë të lartë me dosje spiuni që të përjashtohen nga sistemi me ndryshimet e reja që po diskutohen nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike? A rrezikon ish- kryeministri Sali Berisha?
Prandaj u aprovua ky ligj që ata që kanë kaluar në komisionet e mëparshme quheshin të mbyllur, por mesa duket ka edhe raste që komisionet e mëparshme i kanë falur. Prandaj u bë gjithë ajo zhurmë kështu që le të shohim, u aprovua edhe një ligj, tani të shohim se çfarë kanë pasur në mendje ata të cilët e aprovuan.
-Ju në mediat kosovare pak ditë më parë keni folur për zhdukjen dhe vrasjen e Remzi Hoxhës, e cila sot e kësaj dite ka mbetur një ngjarje që nuk është zbardhur. A ka gisht ish-kryeministri Sali Berisha në eliminimin e tij?
Remzi Hoxha është vrarë në zyrat e SHIK-ut të asaj kohe dhe SHIK i asaj kohe ishte një instrument shumë i afërt me Berishën, sepse ai e përdorte si pjesë e zyrave të veta, në këtë kuptim ai ka përgjegjësi sigurisht dhe fakti që ai u dha pasaporta diplomatike të gjithë atyre që në SHIK ishin të implikuar me çështjen e Remzi Hoxhës edhe ata ikën jashtë. Pasaportat i jepte ose kryeministri ose presidenti dhe në këtë rast i ka dhënë vetë Berisha. Kjo tregon se ai kishte frikë nga këta njerëz se mbase do vinte koha që do depononin dhe thoshin të vërtetën kështu që analiza tregon nuk është se kam fakte.
-Të premte u shënuan plot 1 vit nga agresioni rus në Ukrainë. Si e shikoni ju këtë luftë të pajustifikuar?
Si e shohin të gjithë ata që janë kundra luftës, është një luftë absurde mes dy shtetesh që deri dje kanë qenë nën një shtet, është një absurditet i Putinit, ose i kishte bërë llogaritë gabim ose nuk doli si duhet se nuk arriti ta pushtoj dot në pak ditë dhe mesa duket lufta tani do zgjas pasi nuk ka ndërmend që të dorëzohet ushtarakisht. Po bëhen përpjekje për të bërë bisedime, por edhe bisedimet që të jen të suksesshme kërkojnë dakordësi nga të dyja palët. Duket se bisedimet do jenë të vështira sidomos nga ana e Ukrainës se ka thënë nuk hyn në bisedime nëse nuk tërhiqet edhe ushtari i fundit rus nga tokat e tyre. Duket se një kompromis i tillë është pothuajse me probabilitet zero. Nuk do jetë një luftë që do të mbyllet shpejt.
-Nga ana tjetër, si nga Rusia dhe nga Perëndimi japin alarmin se fronti i dytë pas Ukrainës do të jetë Ballkani? Kush janë vendet më të rrezikuara?
Thuhet për Moldavinë, rusët nuk mund të kenë pretendime në Ballkan sepse janë vende të NATO, Ballkani nuk është shaka nëse Putini e mori me shaka Ukrainën dhe nuk i doli me Ballkanin aq më pak. Por ka një gjë edhe Ballkani ka probleme të brendshme dhe këto e mbajnë të tensionuar, një nga këto janë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Edhe Amerika edhe BE në atë takimin që do bëhet mes presidentit serb dhe atij të Kosovës të ketë një marrëveshje për fillimin e një rrugë me piketa të qarta. Janë mbyllur shumë bisedime sidomos me këtë qeverinë e Kurtit, ku nuk është hedhur asnjë hap. Presioni është i madh, edhe presidenti i Francës Emanuel Macron edhe kancelari i Gjermanisë i kanë dërguar një letër presidentit të Kosovës Albin Kurti që ta pranojë këtë marrëveshje, dhe e shoh që ata po bëjnë presion dhe më pëlqen se këta janë implikuar personalisht. Implikimi i tyre tregon që ata e kanë marr seriozisht këtë kërkesë dhe duan që kjo punë të mbyllet.
-A rrezikon Kosova? Dhe çfarë mendoni për planin franko-gjerman? Do të jetë zgjidhja për të larguar Serbinë nga ndikimi rus?
Po bisedimet në bazë kanë planin franko-gjerman dhe përveç dy shefave të dy vende është shtuar edhe kryeministrja e re italiane, pra Europa po ngul këmbë, Kurti e ka pranuar praktikisht në parim dhe natyrisht ka kërkuar më shumë garanci dhe mesa duket ata të tre prandaj kanë përgatitur një letër të përbashkët për Kurtin për ti dhënë një lloj garancie. Le të shpresojmë se do merren vesh, është e domosdoshme, ai plan i lejon Kosovës që të bëhet anëtare e të gjithë forumeve ndërkombëtare dhe nuk e pengon më Serbia që të futet në Europë edhe mbase për tu futur edhe në NATO. Por le të shohim se çfarë do të ndodh sepse do të kemi edhe deklarata të të dyja palëve për atë që do ndodh lidhur me këtë plan.
-Mendoni se Evropa duke parë situatën do të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe kjo nuk do të jetë falë reformave, por nga kërcënimi rus?
Ne do na pëlqente që ta përshpejtonte, por nuk është puna vetëm për të hyr në Bashkimin Europian, kushtet e Bashkimit Europian janë një mënyrë për të ecur para ne vet sepse duke plotësuar ato kushte ne përmirësojmë situatën politike, sociale në vend. Nuk janë kushte për të na penguar, unë më të rëndësishme shoh përmbushjen e kushteve dhe që të ecim me ritme të shpejta, dhe them se më e rëndësishme është se ato kushte na duhen dhe na bëjnë mirë ne, sepse janë kushte në shumë fusha. Ka vende që janë futur dhe tani i kanë dal probleme pasi nuk i kanë plotësuar të gjitha ato kushte, rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë që u futën me ngut dhe mesa duket duke qenë brenda nuk është se e vrasin më mendjen për ti plotësuar ato kushte. Por, ne duhet që të përpiqemi që ti plotësojmë ato kushte, pastaj po na ndihmuan pak më mirë them unë.
Intervistoi: Sidorela Braçja