Bilanc “lufte civile”, si Berisha dhe Nano bashkuan votat në 1991 për të votuar ligjin e tmerrshëm të pronave, Ceka dhe ish-kryeministri demokrat pendohen pas gati 30 vitesh, ja ç’ndodhi në 8 ditë të korrikut 1991

0
106

Çdo model funksionimi shteti duhet të shikohet te organizimi i ekonomisë, në veçanti te ndarja dhe përdorimi i pronës. Shqipëria dhe Rusia ishin të vetmet shtete që aplikuan teorinë e zhvillimit ekonomik “stop and go” pas 1991 për të rimëkëmbur ekonominë e rrënuar nga dështimi i sistemit ekonomik socialist të izoluar, por në vendin zanafilla e mbrapshtësisë së dështimit të ardhshëm të shtetit filloi që në korrikun e 1991, kur vendi drejtohej nga Qeveria e Stabilitetit të Ylli Bufit, e dalë pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991. Tashmë, e dimë mjaft mirë bilancin tragjik të “luftës” të shkaktuar nga konflikti i pronave në Shqipëri, por nëse do të kthehemi pas në kohë, në momentin se si shteti shqiptar mori përsipër ndarjen e tokave, do të kuptojmë se politikanët e kohës nuk u treguan të matur dhe të përgjegjshëm për të menduar për pasojat që do të shkaktonin dhënia e tokës për frymë të popullsisë. Madje, ajo çfarë të skandalizon më tepër, është se shumë deputetë nuk kanë ditur se çfarë të votonin konkretisht në seancat plenare të 11-19 korrikut 1991, për shkak të variantave të shumta që u paraqitën dhe votuan në Parlament. Por, dhe nga ana proceduriale e arkivore, nuk ekziston asnjë dokument të Kuvendit të Shqipërisë për votimin në tërësi të ligjit famëkeq 7501. Edhe pse është votuar në parim dhe nen për nen, sot e kësaj dite nuk dihet se si është votuar në tërësi ky ligj. Në atë kohë, demokratët, që po fitonin terren ndaj Partisë Socialistë të konvertuar nga Partia e Punës, ia dolën me presione për prishje të qeverisë që të votohej varianti i tyre i ndarjes së tokës për frymë. Fatos Nano dhe Sali Berisha, si rrallëherë gjejnë gjuhën e përbashkët për të votuar propozimin e demokratëve dhe të dy madje e konsiderojnë “moment historik”. Por, shumë vitë më vonë, edhe Berisha, edhe Neritan Ceka, atë kohë kryetar grupi parlamentar të PD pranojnë haptazi se 7501 ishte një gabim i rëndë në dëm të shqiptarëve. Megjithatë, pavarësisht kontestimeve të ashpra dhe bilancit gjakatar të viktimave dhe depërtimit të krimit të organizuar në ekonominë e Shqipërisë, asnjë qeveri nuk mori guximin të reformonte sistemin e ndarjes së pronave, duke mbetur peng i 7501 në 1991. Nëse do të veprohej ndryshe nga ajo kohë, jo vetëm që shumë jetë njerëzish do të ishin kursyer, por dhe Shqipëria mund të kishte marrë një trajektore më normale zhvillimi ekonomik, duke shmangur shumë “plagë”, që ende nuk janë shëruar edhe sot e kësaj dite.

8 ditë kuvend për ligjin 7501, nuk ka procesverbale për 2 ditë seancash plenare

Gazeta “Shqip” siguroi në prill 2014, të gjithë dokumentacionin me 311 faqe për diskutimet 8 ditore (11-19 korrik 1991) dhe votimin e ligjit 7501 (ose i quajtur ndryshe ligji i pronave).  Ajo çfarë të befason është se përveç mungesës së rezultati të votimit në tërësi të ligjit, mungojnë procesverbalet e datave 9 dhe 10 korrik për diskutimet dhe rezultatin e votimeve për nenet e ligjit 7501. Nuk dihet ende nëse ka qenë neglizhencë, papërgjegjshmëri e punonjësve të kohës së Kuvendit Popullor të Shqipërisë, apo ka qenë diçka e qëllimshme e bërë nga autoritetet drejtuese politike e shtetërore, por përsëri të lë pa fjalë fakti që njëri prej ligjeve më të rëndësishëm jo vetëm në historinë e pluralizmit, por në tërësi të shtetit shqiptar, të mos tregohet seriozitet dhe përkushtim në arkivimin dhe ruajtjen e zhvillimeve të ngjarjeve për këtë çështje. Si për çudi, kryetari i Komisionit Nismëtar të PD, lider i partisë, Azem Hajdari, u kërkon hapur 75 deputetëve demokratë që të tërhiqeshin nga votimi për këtë ligj, pasi duhej të mendohej mirë se çfarë pasojash do të shkaktoheshin më tej për fshatarët që do të merrnin pronat dhe si do dëmshpërbleheshin. Për çudi, Hajdari ishte kundër qëndrimit në unison të kolegëve të tij, që këmbëngulnin për dhënien e tokës në pronësi, përkundër nga propozimi i socialistëve që të jepej me përdorim. Kaosi i plotë krijohet me votimin e nenit 2 të ligjit, aq sad he vetë Sali Berisha kërkoi që të qartësohej se çfarë varianti konkret do të votohej, duke iu drejtuar n/kryetarit të parlamentit, Aleksandër Meksi. Socialistët menduan që tokat shtetërore të jepeshin me përdorim, nga frika se atë kohë kishin filluar plaçkitjet dhe grabitjet e shumta pasi vendi ndodhej në udhëkryq të vështirë për shkak të krizës së madhe ekonomike që po përjetonte. Demokratët, të magjepsur nga investimet e huaja dhe “çeku i bardhë” nxituan që tokat të jepeshin direkt me tapi.

Hajdari thirrje demokratëve: Tërhiquni nga votimi, të mendojmë mirë për të ardhmen

Në fjalën e tij në Kuvend, “Heroi i Demokracisë”, Azem Hajdari propozoi një “prapakthehu” për deputetët e PD që të mos votonin asnjë variant për ligjin e pronave. Ai kërkoi që demokratët të zhvillonin Kongresin e radhës, me qëllim që të dilnin me qëndrime më të qarta dhe konkrete për menaxhimin e ndarjes dhe organizimit të pronave. Hajdari shtoi se duhet që të mendohet për favorizimin e pakicës që nuk ka përfituar ende pronë, në të ardhmen. “I propozoj Partisë Demokratike, e cila është në fazën e marrjes formë të një kongresi të saj, pa tërhequr mendimet nga seksionet, pa tërhequr të gjitha ato projekte dhe pa bërë një projekt të qartë, mbi zhvillimet në perspektivë të bujqësisë shqiptare, të tërhiqet deri mbas kongresit dhe të mos marrë pjesë në votim, ku do të kihet parasysh ruajtja e pronës shtetërore mbi tokën. Gjithashtu, u propozoj deputetëve, duke njohur tri specifikat e familjeve fshatare, fshatari që dha shumë tokë dhe u prek nga reforma, fshatari që mori dhe fshatari i mesëm, i  respektuan këto raporte dhe raporti pakicë-shumicë të ketë parasysh kompensimin dinjitoz të pakicës, jo sot, kur shteti është bosh, si rezultat i manovrave politike, por nesër ose pasnesër, kur Shqipëria të ketë një ringritje të ekonomisë dhe, më vonë, nëpërmjet faljes së kredive, të cilat do të stimulohen nga bankat e specializuara që do të ngrihen në fshat ose nëpërmjet dhënies së parave, pas një rritjeje të ekonomisë dhe raporti pakicë-shumicë të zgjidhet në shërbim të çështjes së madhe”, u shpreh Azem Hajdari, në atë kohë lideri i parë i PD.

4 variantet për nenin 2 të ligjit 7501

Në 17 korrik 1991, paraqiten katër variante të nenit 2 të ligjit 7501 për të votuar. Socialistët propozojnë dhënien e tokës në përdorim, kurse PD atë të dhënies me pronësi. Fillimisht, në votim mbështetet varianti i PS, por kryetari i grupit parlamentar të PD, Neritan Ceka del kundër këtij rezultati dhe detyron n/kryetarin e Kuvendit, Aleksandër Meksi, të ndërpresë seancën. Në atë kohë, thuhet se Ceka kërcënoi mazhorancën me prishje të Qeverisë së Stabilitetit të Ylli Bufit, krijuar mes PS dhe PD, nëse nuk votohet me shumicë propozimi i opozitës. Çuditërisht, socialistët zbuten dhe bëhen bashkë me demokratët, aq sa Nano e Berisha e konsiderojnë si ngjarje historike. “Varianti i parë është propozimi i komisionit (Parlamentar të Bujqësisë): Toka është pronë e shtetit, personave juridikë dhe fizikë. Varianti i dytë është propozimi i sotëm i qeverisë: Shteti u jep tokën personave fizikë e juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjitha të drejtat që përmbahen në këtë në ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës. Varianti i tretë, i sjellë në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nga Lutfi Dautllari është: Shteti u jep tokën të gjithë personave fizikë dhe juridikë. Këta gëzojnë të gjitha të drejtat mbi tokën, të cilat përmbahen në këtë ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës. Varianti i katërt është varianti i tekstit bazë të projektligjit: Toka në Republikën e Shqipërisë është pasuri shtetërore. Ajo u jepet për përdorim personave juridikë dhe atyre fizikë. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës”, lexoi Meksi.

Ceka kundër pronave në përdorim, Berisha kërkon qartësi

Momenti kulmor arrin kur me votimin nominal nga neni 2, Neritan Ceka kërkon që të mos votohet propozimi i Komisionit Parlamentar të Bujqësisë, që e jepte tokën në përdorim. Edhe pse ai marr 106 vota, Ceka dhe Berisha kërkojnë ndërprerjen e seancës. Pas pushimit, palët votojnë propozimin e dhënies së tokës në pronësi dhe mazhorancë-opozitë bashkojnë votat. Demokratët me Cekën në krye paralajmëruan kryeministrin Ylli Bufi dhe socialistët se do të rrëzonin qeverinë e koalicionit, nëse nuk votohej propozimi i tyre.

Aleksandër Meksi-Cekës: Abstenoni?

Neritan Ceka: Jo, e quaj të pavlefshëm këtë votim. Këtu nuk bëhet komedi me popullin.

Aleksandër Meksi: Ju lutem, jemi në procesin e votimit. Kanë mbaruar diskutimet për këtë problem. Rezultati: 106 vota pro, 52 kundër, 19 abstenime. Ky votim ishte i nenit 2 dhe njëkohësisht, ishte dhe për miratimin në parim të ligjit sipas këtij parimi bazë. Kalon ligji në parim. Pranohet, gjithashtu, edhe neni 2, sipas propozimit të Lutfi Dautllarit. Do të kalojmë te neni 1, nenin 2 e votuam, do të kalojmë te neni 3.

Sali Berisha: Zoti Kryetar, kam një pyetje: Do të ketë votim për variantet e tjera të nenit 2, apo jo? I lutem Kryesisë të më sqarojë, se jam i paqartë. A do të ketë votim përsëri, apo do të mbetet në fuqi varianti famëkeq që u votua përpara?

Aleksandër Meksi: Më kërkuat të zbatoj procedurat, mos më vini në pozitë të vështirë, ju lutem.

Pas pushimit, Berisha dhe Nano bashkojnë votat për ligjin 7501

Sali Berisha:  Zoti Kryetar, mendoj të votohet nominalisht. se është votim historik.

Fatos Nano: Duke qenë një forcë politike e angazhuar realisht për stabilizimin e vendit dhe për mbështetjen e Qeverisë së Stabilitetit, mbështes propozimet e mëparshme, do të ishte një mesazh qetësie, sikur të bëhej me të gjithë kartonët ngritur njëherësh.

(Rezultati i votimit të variantit të ri: 158 vota pro, 13 kundër dhe 24 abstenime).

Berisha pas 31 vitesh: Gabuam, por ishim të imponuar nga koha, s’mund ta bëjmë si Bullgaria

31 vite më pas, Sali Berisha, tashmë lider i “Foltores” dhe me mbështetjen e bazës së demokratëve, pranoi për herë të parë fajin e votimit të ligjit 7501 të dhënies me tokën me pronësi të plotë. Në 18 korrik 2022, në një takim me fermerët në Belsh, ish-kryeministri tha se politikanët në 1991e votuan ligjin 7501 të kushtëzuar nga gjendja e rëndë ekonomike e kohës. Më pas, ai u shfajësua duke marrë si shembull Bullgarinë për ndarjen e pronave, që e ndryshuan ligjin paraprak. Sipas Berishës, ligji për pronat nuk mund të ndryshohej në Shqipëri pasi raporti sipërfaqe tokë për frymë është mjaft i ulët, ndryshe nga Bullgaria që ka tokë me shumicë. “Unë e kuptoj, por mendoj se çdo gjë duhet ta gjykojmë me kohë. Në kuptimin që po marr një fshat në të cilin në vitet ‘90 jetonin 300 banorë, nëse 200 prej tyre mbeteshin pa tokë, asnjë lloj potenciali s’kishte shteti për t’i ndihmuar ato. Ai lloj mekanizimi u përdor, nuk u shpik, por që nuk ishte i drejtë. Toka atij që punon dhe jeton aty, ky parim u përdor në atë ligj. Bullgaria përdori të njëjtin ligj, por e ndryshoi më vonë. Por, Bullgaria ka sipërfaqe toke për frymë, ka mundësi 10 herë më shumë se Shqipëria. Mos harroni se nëse ka një gjë që ne e kemi pak për frymë, është toka. Është disa qindra metra për frymë, është më e ulëta në Evropë. Unë e di që s’ka qenë i drejtë ligji, por ka qenë i imponuar nga rrethanat”, tha Berisha.

Ish-deputeti i PS: Na bënë presion ndërkombëtarët që të votonim 7501

Në një intervistë për emisionin “Top Story” në 9 qershor 2020, ku u trajtua pasojat katastrofale të krijuara nga ligji 7501 dhe zbatimi i tij, ish-deputeti socialist, Ndriçim Hysa, i zgjedhur në legjislaturën e dalë nga votimet e 31 marsit 1991, deklaroi se socialistët pranuan propozimin e opozitës për dhënien e tokës me pronësi, pasi ndodheshin nën presionin e ndërkombëtarëve. Ai shton se disa deputetë të PD ishin kundër variantit të dhënies së tokës me tapi, por iu nënshtruan vullnetit të Sali Berishës. Hysa lë të mendohet se faktorët ndërkombëtarë që trysnuan klasën politike të kohës që të votonin ligjin 7501 mund të kenë qenë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që kërkuan nisjen e politikave ekstreme të privatizimit të tregut dhe shitjes së pronave. “Normal që ka pas prapaskena. U detyruam edhe nga faktori ndërkombëtar që të pranonim këtë kalim ekstrem që bëri PD. Edhe brenda PD-së në atë kohë njerëz që merreshin me bujqësi nuk e pranonin, por ishin të detyruar nga ndërhyrja qoftë e kryetarit partisë këshu, që u arrit ky kompromis”, u shpreh Hysa.

Dikur kundër, edhe Ceka pendohet pas 30 vitesh: Ja propozimi im i kohës për pronat

Politikani veteran Neritan Ceka zbuloi për herë të parë në 13 janar 2021, në një intervistë për emisionin “Opinion” në “TV Klan” se votimi i ligjit 7501, sipas variantit të PD, ishte një katastrofë e madhe politike e ekonomike. Ish-kreu i Partisë Aleanca Demokratike, pas ndarjes me PD në 1992, pranoi se ideuesi i privatizimit të pronave ishte Gramoz Pashko, atë kohë zv/kryeministër dhe njëri prej themeluesve të PD. Sipas Cekës, socialistët kishin një propozim më të mirë se demokratët. Por, Pashko dhe Berisha ndikuan te deputëtët demokratë që të votonin privatizimin e shpejtë dhe radikal të pronave. Ish-kryetari i grupit parlamentar të PD tregoi se ekonomisti Gramoz Pashko premtonte se Shqipërisë do t’i vinte një “boom” zhvillimi ekonomik nga investimet e huaja dhe fondet nga SHBA, “çeku i bardhë”. Për Cekën, ligji 7501 është kundër të drejtave të njeriut. Çuditërisht, edhe pse në seancat plenare të korrikut 1991, ai kërcënoi me prishje të Qeverisë së Stabilitetit nëse nuk do të votohej privatizimi i pronave shtetërore, arkeologu i njohur zbuloi në “Opinion” se kishte hartuar një variant që toka të jepej me përdorim dhe pas 50 vitesh, gradualisht të përfitohej pronësia e plotë 100% nga qytetarët. Megjithatë, mbetet enigmë se përse ai nuk e hodhi këtë propozim në PD, qeveri, Komision Parlamentar të Bujqësisë dhe Kuvend. “E keqja ishte se PS erdhi me variantin më të mirë. Thanë: ‘Ta japim me përdorim’. Dhe kjo ishte këshilla që na jepnin dhe të huajt. Por, kishim ideologun tonë që ishte Gramoz Pashko, që thoshte çeku i bardhë, investimet e huaja. Dhe tha që duhet ta japim në pronësi, në mënyrë që të bëhen investimet e huaja. Dhe sot nuk janë bërë investimet e huaja. Sepse, në tokën e tjetrit që ta kanë dhënë ty, nuk të vjen njeri. Ky ishte vizioni i gabuar dhe ishte mbështetur nga grupi i ekstremistëve, që ishin të gjithë me origjinë komuniste, për të thënë të vërtetën. S’kishim pasur pronë, asnjë lidhje. Vinin nga ca fshatra të humbur ca prej tyre. S’kishin asgjë. Berisha më thoshte: ‘Neritan, babai im e ka blerë tokën (se vinte nga një vend i lidhur me tokën) e ka blerë me florinj. Se kështu thonin ata, se kështu e kishin blerë. I thashë një variant: ta japim me kohë. Pra, e kam diku të shkruar, pronësia e plotë bëhet pas 50 vjetësh. Do ta japim me kusht që në 10 vitet e para, fiton 20% të pronësisë n.q.s. e punon dhe e përdor tokën. 20 vitet e tjera fiton 40%, derisa në 50 vjet fiton 100%, sepse dhe unë vetë isha pronar. Sot e kësaj dite s’kam marrë asnjë cm2 tokë. Kaq keq e bëmë ligjin, sepse duhej të bënim një ligj më demokratik, që duhej të shpërbleje ata. Ne shkelëm me atë ligj jo vetëm të drejtën e pronësisë, por dhe të drejtën civile. Ne ia dhamë në fshat atij që kishte mbetur në fshat. P.sh., nga 5 vëllezër, 4 kishin ardhur në qytet, ia dhamë atij në fshat, 4 të tjerët mbetën pa gjë”, u shpreh Ceka.

Bilanci “terrori” për pronat, 8144 viktima në 24 vite, thuajse 1 viktimë çdo ditë

Ecurinë e trajtimit të pronave dhe problemeve të tyre në Shqipëri mjafton ta kuptosh nga raporti i tmerrshëm i viktimave dhe niveli i lartë i korrupsionit në vend. Në nëntor 2015, një burim i Policisë së Shtetit dhe një i Ministrisë së Drejtësië, raportoi për “Javanews” se nga 1991 deri në atë vit, kishin humbur jetën plot 8144 qytetarë nga konfliktet e pazgjidhura e të koklavitura të tokave. Në zonat rurale, janë vrarë 4979 persona për problem pronash, ndërsa 3165 të tjerë janë ekzekutuar në qytete. Bilanci është thelluar edhe brenda familjeve apo fiseve shqiptarë, ç’ka e ka bërë ligjin 7501 të konsiderohet dhe “ligji i vëllavrasjes”.

Edhe drejtësia “kriminale”, Strasburgu shfuqizoi 85% të gjykatave shqiptare për pronat

Edhe vetë roli i sistemit të drejtësisë në zgjidhjen e “gangrenës” së pronave, ka dështuar me sukses. Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë për “Javanews”, Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka shfuqizuar 85% të vendimeve të gjykatave shqiptare për pronaret, ndërsa ka konsideruar si të ligjshme vetëm 4% të tyre. Kjo provon se drejtësia në Shqipëri është totalisht në anën e shtetit dhe kundër qytetarëve për çështjen e pronave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here