Komedia “E vërteta” vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Veprën e autorit Florian Zeller e sjell premierë absolute në skenën tonë regjisori i njohur Spiro Duni. Kjo shfaqje teatrore që vjen premierë më datë 8 për të vijuar dhe më 9 dhe 10 prill, shënon bashkëpunimin e dytë të regjisorit Duni me autorin francez. Zeller luan me temën klasike të tradhtisë, që të çon në pasoja ekstreme. “E vërteta”, një komedi e shkëlqyer dhe mizore për hipokrizinë, që e mbajnë të lidhur pëlhurën e shoqërisë moderne. Komedia fillon si një tradhti klasike bashkëshortore: Alisa and Misheli po veshin rrobat në një dhomë hoteli një pasdite. Misheli është shok i ngushtë me burrin e Alisës, Polin, por edhe Poli dhe Alisa janë miq me gruan e Mishelit, Lorencën. Në rolet e veprës në skenë janë aktorë të njohur për publikun në teatër. Elina Duni, kompozitore dhe interpretuese e këngës, pjesëmarrja e saj është një dhuratë speciale për këtë shfaqje. Aktorja Niada Saliasi potencial dhe nur skenik i admirueshëm, vjen në këtë kryevepër të Florian Zeller në rolin e Elisës, gruas së Polit. Genti Deçka një aktor me vlera shumë-planëshe dhe i dëshiruar për çdo regjisor, vjen në rolin e Polit, bashkëshorti i Elisës dhe miku i ngushtë Mishelit. Flaura Kureta, aktore me energji të pashtershme dhe me një përvojë mbresëlënëse, vjen në rolin e Lorencës, bashkëshortes së Mishelit. Në rol është dhe aktori Donald Shehu, një e ardhme e sigurt në skenën e teatrit profesionist shqiptar, vjen në këtë kryevepër të Zeller në rolin e Mishelit, bashkëshort i Lorencës, mik i ngushtë i Polit dhe dashnor i gruas së tij Elisës. Përkthyes i veprës Artur Lena, muzika Elina Duni dhe Rob Luft, skenat Ilirjan Sadiku, kostumet Prishilia Imeri.
Regjisori dhe autori i veprës
“E vërteta” është bashkëpunimi i dytë i regjisorit Spiro Duni me autorin Florian Zeller, pas shfaqjes “Babai”, nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Reshat Arbana dhe Flaura Kureta, bazuar në veprën me të njëjtin titull. Spiro Duni, një nga regjisorët më të mirë të historisë të Teatrit Kombëtar. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), Tiranë në vitet 1979 -1983 dhe u diplomua si regjisor në vitin 1984. Në vitin 1991 specializohet në Itali si regjisor teatri. Regjisor i shumë shfaqjeve teatrore me vepra të autorëve me famë ndërkombëtare si: Anton Çehov, Eugene O’Neill, Tenessee Williams, Arthur Miller, Tom Murphy etj. Nën drejtimin e tij janë realizuar shumë produksione të suksesshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilat janë vlerësuar me disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij, ka spikatur edhe si aktor në më shumë se 11 filma në kinematografinë. Florian Zeller, novelist, skenarist, romancier dhe dramaturg francez, i konsideruar si një ndër autorët më të mirë bashkëkohorë. Në vitin 2004 fiton çmimin “Prix Interallié” për novelën “The Fascination of Evil” (Sharmi i të keqes). Vazhdon suksesi i tij edhe pasi kalon në shkrimin e veprave teatrore duke “rrëmbyer” çmimin prestigjioz “Molier” si “Dramaturgu Më i Mirë” (2014 dhe 2018) dhe “Shfaqja Më e Mirë në një Teatër Privat” (2014). Por padyshim, kryevepra e tij mbetet “The Father” (Babai), e cila nuk ishte vetëm një sukses i padiskutueshëm në teatrot ndërkombëtare, por si produksion kinematografik, mori 6 nominime dhe u nderua me çmimin “Oscar” për skenarin më të mirë jo-origjinal.