Qeveria ka përcaktuar dje procedurat e reja për emërimet në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky i fundit është organi që monitoron procesin tenderave në vend dhe sipas një vendim të marrë dje nga qeveria, emërimet në këtë organ do jenë në dorë të Sekretarit të Përgjithshëm të qeverisë, i cili është Engjëll Agaçi. “Procedura përzgjedhëse për kandidaturat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik zhvillohet nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe në përputhje me pikën 3, të nenit 25, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”. Me marrjen e njoftimit nga Kuvendi për krijimin e vendeve vakante, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ngre një komision ad hoc, të përbërë nga 3 (tre) anëtarë, nga të cilët një përfaqësues i Kryeministrisë, një përfaqësues i Departamentit të Administratës Publike dhe një përfaqësues i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës”, thuhet aty.
Procedurat e përzgjedhjes
Sipas vendimit, anëtari i komisionit ad hoc zgjidhet midis personave, që plotësojnë këto kritere: Të zotërojë diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave” ose të bar asvlefshme me të; Për anëtarin përfaqësues të Kryeministrisë dhe të Departamentit të Administratës Publike, të ketë punuar për jo më pak se 5 (pesë) vjet në nivel jo më të ulët se niveli i mesëm drejtues dhe/ ose të ketë njohuri në fushën e prokurimeve; Për anëtarin përfaqësues të Fakultetit të Drejtë sisë, në Universitetin e Tiranës, të ketë jo më pak se 5 (pesë) vjet përvojë pune; Të mos ketë masë disiplinore në fuqi; Të mos ketë qenë anëtar i partive politike për 3 (tri) vitet pararendëse nga data e emërimit; Të mos ketë qenë i dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë; Të mos ketë masë disiplinore të largimit nga puna që nuk është shuar, sipas legjislacionit në fuqi. “Komisioni ad hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e mbylljes së aplikimeve, bazuar në jetëshkrimin e kandidatëve dhe në intervistën e tyre me gojë. Nëse numri i kandidaturave të paraqitura është i lartë, atëherë vlerësimi i tyre nga komisioni mund të zgjatet, por jo më shumë se 20 (njëzet) ditë kalendarike. 8. Fillimisht, komisioni ad hoc i përzgjedhjes bën vlerësimin e dokumenteve të paraqitura nga aplikantët, për të parë nëse ato plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 26, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”. Në përfundim të procesit të vlerësimit, komisioni ad hoc përgatit listën me emrat e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar dhe ia përcjell zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për t’i njoftuar ata brenda 2 (dy) ditëve”, thuhet në vendim. Më tej bëhet e qartë se në fund të përzgjedhjes, sërish emrat shkojnë te Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë. “Në përfundim të vlerësimit, komisioni ad hoc i përzgjedhjes rendit kandidatët në bazë të pikëve të marra dhe ia dërgon listën Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për vendimmarrje të mëtejshme nga Këshilli i Ministrave. Me qëllim vijimin e procedurave për zgjedhjen e anëtarëve dhe kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Këshilli i Ministrave dërgon në Kuvend listën e kandidatëve të kualifikuar sipas renditjes dhe listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u emëruar”, thuhet në vendim