Gazetari i njohur Dashnor Kokonozi ka reaguar pasi është anatemuar Marash Hajati për këngën e të bijës, Ronela Hajati, e cila fitoi Festivalin e Këngës dhe që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
Gazetari shkruan se Hajati, ish drejtor i TVSH ishte një personalitet. Madje ai ka treguar edhe një bisedë që Marashi kishte bërë në Prishtinë me disa gazetarë para vdekjes së Diktatorit Enver Hoxha, kur ishin të paktë ata që thonin mendimin e tyre.
“Po mirë o djem, ju a e njihni Enver Hoxhën se cili është? A nuk keni menduar ndonjëherë se ai është njeriu qe i ka shkaktuar dëmet më të mëdha atij vendi? A nuk e shihni si jemi izoluar e çfarë problemesh të mëdha ekonomike na ka shkaktuar politika tij? A nuk keni dëgjuar si po vritemi me njëri-tjetrin?etj., etj” tregon gazetari për Marash Hajatin.
Postimi i plotë:
Një shënim për Marash Hajatin.
Me rastin e një kënge të interpretuar nga një këngëtare që mësoj se është vajza e gazetarit dhe drejtuesit të shtypit të kohës, Marash Hajati, shoh se shprehen ide që synojnë të jepet një imazh jo shumë i saktë për këtë të fundit.
Marash Hajati ka qenë një kohë të gjatë drejtor i RTSH dhe ky i fundit ka qenë një instrument propagande i regjimit në fuqi. Kjo është e vërtetë, por po aq e vërtetë është se nuk është ai në origjinë të politikës që përcillej nga ekrani i asaj kohe.
Tani t’i vërsulesh atij, ndërkohë që për hetues, prokurorë, gjykatës që kanë dënuar me vdekje e që kanë drejtuar intutucionet më të lartë juridike të shtetit nuk është thënë asgjë, më duket e pakta imorale.
M. Hajati bënte punën e tij dhe personalisht mendoj se nuk u shqua për ndonjë zell ta hatashëm politik e aq më pak për fanatizëm.
Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të flasë me citate të gatshme apo të na bëje vërejtje ideologjike për emisionet tona. Përpiqej të runte një lloj profesionalizmi, me aq sa lejonte koha.
Gjithnjë kam pyetur veten cili ishte ai njëri në të vërtetë. Kishte një lloj dublimi në personalitetin e tij.
Diçka më shumë kam kuptuar në ditët që erdhën pas vizitës së shefit të OKB-së Peres de Kuelar në Shqipëri (1990).
Tamam në atë kohë u kontaktova nga një grup mediatik shqiptarësh të Kosovës me qendër në Nju Jork të cilët më propozuan të punoja si korrespondent për Radiotelevizionin e tyre, Viktoria.
Nuk dua të flas për sikletet dhe kërcënimet që shoqëronin çdo transmetim timin.
Si rregull çdo ditë në ora 11.00 kontaktohesha nga gazetarë që më pas mora vesh që kishin qenë figura të Radiotelevizionit të Prishtinës, që ishte ndaluar a censuruar nga regjimi serb.
Në fillim kontaktet ishin krejt minimalë, një “mirdita”, transmetoja kronikën time dhe gjithçka mbyllej me një “ditën e mirë”.
Më tej i lejonim vetes nga ndonjë fjalë me shumë, më pyesnin dhe i pyesja për gjëra më personale.
Njëri prej këtyre gazetarëve me mbiemrin Berisha si mori vesh që unë punoja në RTSH më pyeti për Marash Hajatin. Nuk dija ç’ti them. Unë di, tha ai dhe më tregoi një nga historitë më të pabesueshme që kam dëgjuar në jetë.
Diku nga mesi i viteve ‘80, kur Enver Hoxha nuk kishte vdekur ende, gazetari në fjalë më tregoi se Marash Hajati ndodhej për një vizitë në Prishtinë, në mos gaboj në krye të një grupi a delegacioni televiziv.
Ai, redaktori që merrte kronikën time, Berisha, bashkë me një numër gazetarësh të tjerë të Radiotelevizionit të Prishtinës, e kishin ftuar një ditë Marash Hajatin të kalojnë një mbasdite me ta te një pike turistike, e cila mbaj mend se quhej Marash, mbase- Mirushë?- vend turistik, Ujëvara.
Pikërisht aty, duke menduar se nuk i shikonte e përgjonte njeri, ata rrethojnë Marash Hajatin dhe me shumë padurim, mall e dashuri nisin dhe e pyesin për “bacen Enver”, si ishte me shëndet, çfarë veprash të reja po shkruante e ku ta di unë.
Marash Hajati i sheh një herë me radhë, sigurohet që nuk ka njerëz të tjerë rrotull dhe u thotë: Po mirë o djem, ju a e njihni Enver Hoxhën se cili është? A nuk keni menduar ndonjëherë se ai është njeriu qe i ka shkaktuar dëmet më të mëdha atij vendi? A nuk e shihni si jemi izoluar e çfarë problemesh të mëdha ekonomike na ka shkaktuar politika tij? A nuk keni dëgjuar si po vritemi me njëri-tjetrin?etj., etj.
Biseda i kishte lënë si të goditur nga rrufeja ata gazetarët e rinj të RTV të Prishtinës dhe ata e kujtonin ende jo pa emocion atë takim me M. Hajatin.
Për mua kjo ishte pjesa e “personalitetit” të tij që më mungonte për ta kuptuar mirë atë njeri