Gjykata Kushtetuese nuk ka humbur kohë dhe ka vendosur të rikthejë për rishqyrtim çështjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019. Pak kohë më parë shoqata e bashkive kërkoi ripërsëritjen e zgjedhjeve të “30 qershorit”, ndërsa iu drejtua me një padi Kushtetueses për këtë çështje. Në qershor të vitit 2021, pasi kishte administruar dosjen, Gjykata Kushtetuese kërkoi pezullimin e gjykimit të çështjes dhe ndërkohë iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias. Por ky i fundit ka folur tashmë dhe në opinionin final i cilëson legjitime zgjedhjet lokale të mbajtura dy vite më parë. Kështu që pas këtyre zhvillimeve, Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje. Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e saj zyrtare, Kushtetuesja ka bërë dje me dije se çështja e zgjedhjeve të 30 qershorit do të diskutohet në seancë plenare më datën 2 nëntor ora 10:00. “Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim çështja nr. 7 (S) 2019 e Regjistrit Themeltar me kërkuese Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. Për sa më sipër, Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes. Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, vendosi: Konstatimin e rënies së shkakut të masës së pezullimit të çështjes nr. 7 (S) 2019 të Regjistrit Themeltar; Rihapjen e seancës plenare dhe caktimin e saj në datën 02.11.2021, ora 10:00”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Venecia publikon opinionin final për 30 qershorin
Por nga ana tjetër ditën e djeshme Komisioni i Venecias ka publikuar raportin final sa u takon zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ndërsa bie në sy fakti se janë të njëjtat argumente që janë shkruar në opinionin paraprak të Komisionit që gazeta publikoi pak ditë më parë. Prerë dhe qartë Venecia thekson se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta ketë në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019. “Këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë” në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor”, thuhet në draft. Po ashtu, Komisioni i Venecias mban edhe një qëndrim për presidentin Ilir Meta, i cili i shtyu zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 për në tetor të atij viti edhe pse ato nuk u mbajtën. Sipas draftit final të siguruar nga gazeta, Venecia shprehet se presidenti Meta nuk kishte të drejtë të shtynte zgjedhjet e 30 qershorit. “Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 për në shtator nga Meta si antikushtetuese”, shkruhet në opinionin final të Komisionit të Venecias.