Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka paralajmëruar dje të gjithë numëruesit që kanë tjetërsuar votat përmes manipulimit. Celibashi tha se, KQZ posedon video nga 92 qendra numërimi mbi komisionerët që kanë shkelur ligjin gjatë procesit të numërimit. Sipas tij, nuk do të tolerohet as shkelja më e vogël, duke theksuar se edhe braktisja e procesit përbën gjithashtu shkelje penale. Celibashi bëri me dije se pamjet do t’i kalojnë Prokurorisë për të vijuar më tej hetimet. “Kemi pamjet filmike të plota për të 92 qendrat e numërimit. Besoj se këto pamje do të ndihmojnë shumë prokurorinë mbi fenomene të tilla dhe mbi fenomene të tjera që janë kundërshtim me ligjim. Ka pasur shqetësime, në pikëpamje të ligjit nuk mund t’i konsideroj si ankimime ndoshta është në vlerësimin e subjektet se në çfarë forme zgjedhin që të shprehin shqetësimet. Shqetësime ka pasur nga kandidatë të mbështetur nga zgjedhësit. Edhe personalisht dhe si komisioner do t’i inkurajoja të kishte hetime të thelluara për raste të tilla. Si duket në veshët e këtyre komisionerëve nuk është lexuar si duhet Kodi Penal, prandaj do vijojmë hetimet”, tha Celibashi. Kreu i KZQ tha se, pasi të dalin rezultatet e hetimit do të merren masa ndaj çdo komisioneri që ka shkelur ligjin. Ndërsa ka treguar se këto pamje do t’u dërgohen dhe partive. Ndër të tjera i pyetur nga gazetarët nëse do të ketë hapje të kutive në rast se kërkohet nga garuesit, Celibashi tregoi se, kur nuk ka prova mund të hapen vetëm 10% e kutive në total. Gjithsesi, ai theksoi se, hapja e kutive bëhet vetëm në ato raste kur paraqiten prova nga ankimuesi. “Kodi Zgjedhor ka përcaktuar që mund të hapen kuti të votimit deri në 10% të qendrave të votimit. Nëse do të jetë rrjedhojë e një procesi ankimor dhe një vendimmarrje që vjen nga procesi administrativ në fakte dhe prova. Pa pasur asnjë lloj prove mund të hapen deri në 10% të qendrave të votimit. Ne nuk mund të themi se kjo kuti është e mbyllur dhe nuk do të ketë numërim, por çdo kërkesë duhet të bëhet në mënyrë administrative nga ankimuesi”, sqaroi ai.