Deputeti Spartak Braho ka zbardhur detaje të reja në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”. Gazeta po publikon sot disa pjesë nga qëndrimet e tij mbi sheret në PS. Braho ka komentuar përplasjet e Nanos me Majkon në 1999. Po ashtu një tjetër pikë është mbi kërkesën për të shkaruar Fatos Klosin nga kreu i SHIK.
Nano e dinte 14 shtatorin, por e nënvlerësoi
-Pak ditë pas tërheqjes së Nanos mendoni se tashmë në PS do të nisë një luftë e brendshme mes rivalëve për të zënë vendin bosh të kryetarit socialist?
Në PS do të ketë probleme vetëm me ata njerëz që do të kërkojnë të riciklojnë Berishën sërish në politikë. Kush mund të jenë këta njerëz që mund të bëjnë riciklimin e Berishës? Qoftë ky njeri Nano apo qoftë edhe Majko, kushdo që të jetë.
-Mendoni se mos këta kanë lehtësuar riciklimin e Berishës sërish këto kohë?
Po, kjo në momentin që Nano të ishte i zoti ta nxirrte Berishën jashtë loje, nga skena politike për aq mundësi sa pati. E po ashtu dhe Majko pa një strategji të caktuar si Kryeministër socialist për të nxjerrë Berishën jashtë loje do të ketë probleme brenda në parti, nëse kryetari i PD-së bëhet faktor në politikë.
-Mendoni se Berisha është sërish një faktor i fortë në politikën shqiptare?
Unë mendoj se PD-ja dhe Berisha duhet të përgjigjen për ato krime që kanë kryer që prej trazirave të marsit. Duke e ditur që më parë Nano i dha mundësi para 14 shtatorit Berishës që të organizohej dhe të kryente tentativën për grushtin e shtetit.
-Ju thoni se Nano e dinte këtë, se çdo ndodhte në 14 shtator që më parë?
Nano e ka ditur që më parë, por e ka nënvleftësuar me mendjemadhësinë e zakonshme. Këtë e konfirmojnë burime shumë pranë organeve të specializuara. Unë do të kërkoj mocion ndaj Majkos nëse nuk realizohet një strategji reale dhe afatshkurtër për të nxjerrë Berishën jashtë lojës politike. E them për Berishën, por jo për PD-në, se jam dakord dhe e pranoj konceptin e Partisë Demokratike si opozitë.
-Përse do të kërkoni një mocion vetëm ndaj Majkos?
Po, Majko është kryeministër po është e njëjta gjë si dhe ndaj Metës, natyrisht që kjo kërkon kohën e saj, po jo që të shtyhet për në kalendat greke e deri kur të bëhet Kongresi i PS-së. Politikanët socialistë duhet të kuptojnë se, ata duhet të fitojnë elektoratin socialist dhe partinë vetëm duke përdorur kartën anti Berishë. Këtë kartë do ta luajnë edhe Nano edhe Majko, por i fituar do të jetë ai që do ta realizojë.
-E shihni situatën aktuale brenda Partisë Socialiste të atillë si ajo e para tre vjetëve kur u diskutua mocioni Nano, pra kur kishte dy apo më shumë grupime brenda PS-së që zhvillonin fushatë kundër njëri-tjetrit deri në përplasjen në kongres?
Unë nuk jam kategorik në këtë moment për të dhënë një mendim, por realisht ekzistojnë forcat pro dhe anti Nano, pro dhe anti Majko-Meta. Unë nuk do të dëshiroja përplasjen e këtyre dy grupimeve sepse nga kjo përplasje del i fituar vetëm Berisha. Unë vetë i përkas atij grupimi dhe këtë e theksoj edhe njëherë që startoj dhe rri i pari në pozicionet anti Berishë.
-Brenda këtij konteksti, si i shihni hetimet e Prokurorisë lidhur me trazirat e marsit apo ngjarjet e mëvonshme të 14 shtatorit? Ju vetë shpeshherë keni qenë protagonist përsa i përket aspektit politik të këtyre ngjarjeve.
Janë hetime që kanë ecur shumë shpejt dhe kanë arritur rezultate të paparashikueshme me sa unë jam në dijeni. Madje ka dhe njerëz të penduar që pohojnë me gojën e tyre të gjithë skenarin e grushtit të shtetit që realizoi Berisha më 14 shtator. Kjo më bën të përsëris se i takoj asaj kategorie politikanësh, të cilët kanë bindje se politika në Shqipëri polli krimin dhe po e mbron atë. E në këtë kuadër unë i bëj thirrje politikës dhe politikanëve që të mbajnë larg duart. Ekziston në bindjen time të thellë vlerësimi për drejtësinë si një mekanizëm efikas që do të çlirojë politikën shqiptare e do të sjellë rezultate më të mira për Shqipërinë në përgjithësi. Unë vlerësoj ata që punojnë dhe drejtojnë sot Drejtësinë, Prokurorinë si njerëz të përkushtuar dhe patriotë, e prej këndej kam edhe besimin se do të jenë në gjendje të pastrojnë politikën shqiptare nga krimi.
(“Gazeta Shqiptare”, e diel, 24 janar 1999)
Ata që e sulmojnë prokurorinë janë të inkriminuar ose të korruptuar
-Kryeprokurori Rakipi ka deklaruar se do të thërrasë si dëshmitar edhe kryeministrin Majko për ngjarjet e 14 shtatorit. Mendoni se ky është një presion tjetër që ushtrohet nga Prokuroria mbi politikën?
Përpara se të sqaroj pyetjen tuaj desha të pohoj edhe një fakt, se pavarësisht se nga i vijnë sulmet Prokurorisë, nga e majta, qendra apo e djathta, nga pozita apo opozita, nga politikanë apo qeveritarë, një gjë është e sigurtë: të gjithë i shmangen, bëjnë presion ndaj saj, madje kanë frikë nga Prokuroria. Është realitet fakti që sot e gjithë shoqëria shqiptare kalon një krizë të gjithanshme, të cilën qeveria e re e Majkos përpiqet për ta shmangur. Po padyshim dhe organi i Prokurorisë kalon krizën e tij, krizë e cila nuk ka të bëjë vetëm me të, por sepse ky organ gjendet para presioneve të ashpra, agresive e hera–herës dhe të rrezikshme. Kam parasysh sulmet fizike që bëhen ndaj prokurorëve, të cilat janë të organizuara nga klani i Berishës, por njëkohësisht ka dhe presione nga krahu i mazhorancës, të cilët janë vënë re që në kohën e Nanos, nga ai vetë, për të ndërhyrë mbi këtë organ me idenë e ngrirjes së proceseve. Presion paksa më të butë mbi prokurorinë ka bërë edhe Majko, i cili kërkon që për çdo gjë të jetë në dijeni nga organet e akuzës, ç’ka tregon se ka një koncept jo të saktë për pavarësinë e këtij organi.
-Si e shpjegoni atëherë faktin se Prokuroria ka nisur disa çështje penale politike dhe i ka lënë pezull, asnjëherë nuk i ka provuar akuzat e saj të publikuara me pompozitet, si është çështja e të gjashtëve, apo dhe hetimi për kryetarin e PD-së?
Ju bëni gabim kur flisni për çështje politike. Unë kam bindjen se të gjitha këto çështje kanë të bëjnë me ngjarjet e marsit të 97-ës ato të 14 shtatorit, qoftë dhe ndaj bosëve të mëdhenj të fajdeve, të cilat nuk janë çështje politike, por krime. Kur them që Prokuroria kalon edhe ajo krizën e saj , kam parasysh faktin që ajo përbëhet nga njerëz të zakonshëm që kanë formimin e tyre profesional, kanë familje, kanë edhe ata emrin e tyre, detyrimet, por që përballë një organi politik, si në kohën e Berishës, me një treshe të famshme si Dragoshi, Qeleshi, Dervishi, dhe përballë gjithë asaj piramide politike që ndërtoi Berisha, njerëzit e rinj që erdhën në këto organe më pas, iu futën me shpresë, me pasion e vullnet, në kushtet e mungesës së shtetit, kriminalizimit të shoqërisë. Kjo përbënte një ngarkesë të madhe, jo vetëm fizike por dhe psikologjike, të cilën e bënte të dukshme presioni që bënte politika mbi ta. Aktualisht Prokuroria u gjend para një volumi të madh punësh. Iu kërkua nga Parlamenti të hetonte ngjarjet e janarit të ‘97. U ndodh papritur në një shoqëri ku ekzistonte krimi ordiner, u gjend në shtatorin e këtij viti, përpara veprimeve të tjera shkatërrimtare dhe kriminale, siç ishin ato të PD-së së Berishës që tentuan të rrëzonin institucionet e shtetit me dhunë. Realisht këto organe ende nuk janë të përgatitura dhe nga ana logjistike dhe nga mundësitë fizike, por dhe legjislacioni nuk është i plotë. Ndonëse kemi një Prokurori të motivuar kundër krimit, një organ tjetër, nga i cili bëhet vlerësimi i punës së tyre, janë gjykatat, të cilat janë të pareformuara, të korruptuara me kursantë gjashtëmujorë, gjykatës të politizuar, të cilët në vend që të bashkërendonin punën me Prokurorinë për të luftuar krimin, kanë liruar kriminelët, nuk zbatojnë ligjin, madje sabotojnë me ndërgjegje në punën e Prokurorisë.
-Prokuroria është kritikuar së fundi edhe nga Presidenti Meidani. Ndërsa Ambasadori i OSBE-së, Everts, ka deklaruar se të gjashtët e PD-së do të lirohen pas një takimi që ka pasur me Rakipin…
Unë mendoj se askush nuk mund të ndërhyjë mbi Prokurorinë, qoftë Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit apo i nderuari Everts. Duhet të kalojë në filtrin juridik çdo propozim, brenda hapësirave që lejon Kushtetuta. Veprimet jashtë këtij kuadrati, për mua janë antikushtetuese. Madje më tepër dëmtojnë sepse krijojnë atë psikologji që ligji mund të shkelet nga kushdo, mund të ndërhyhet ndaj tij. Më duket propozim arbitrar që të gjashtët të lirohen pa proces, pa gjykim, kjo do të ishte shumë e dëmshme.
-Pse mendoni se politikanët kanë frikë nga Prokuroria?
Mendoj se frika e Majkos nga Prokuroria vjen nga mosnjohja, ndërsa e Berishës sepse është i kriminalizuar, të tjerët nga përlyerja në korrupsion. Ky organ vëzhgon këtë situatë dhe duket se këta që kanë frikë veprojnë me kokën prapa, se mos i ndjek njeri. Duhet të ndodhë si në Itali ose si në Francë, ku ishin organet e Drejtësisë ato që shpërthyen qelbin e politikanëve, që shembën jo vetëm parti, por tronditën edhe shoqëritë, duke sjellë përmbysje të partive tradicionale.
(“Shekulli”, e diel, 21 shkurt 1999)
Me akuzat reciproke të Nanos dhe të Majkos të merret prokuroria
-Çfarë mendoni ju si anëtar i kryesisë së PS-së për akuzat që ish-kryetari socialist Nano, ka shqiptuar në Fier kundër kryeministrit Majko, njëkohësisht dhe rival i tij për postin e kryetarit të partisë?
Nëse janë kështu ato që kanë deklaruar Nano dhe Majko unë mendoj se menjëherë pas kësaj duhet të veprojë prokuroria, e cila duhet të fillojë investigimet pasi kemi të bëjmë më persona konkret dhe një ngjarje që është ende në proces hetimi dhe gjykimi. Pra, unë mendoj që Nano duhet të paraqitet para Prokurorisë, dhe në qoftë se Nano nuk paraqitet është prokuroria ajo që duhet ta thërrasë e këto thënie të tij t’i marrë si dëshmi, sipas procedurave përkatëse. Përsa i përket akuzave për kompromis të Majkos me Berishën, në qoftë se nuk do të kihet parasysh takimi i tyre unë do të thosha se takimi ka qenë një lëvizje e përkryer politike e Majkos dhe e gjykoj një lëvizje në kohën e duhur në vendin e duhur menjëherë pas 14 shatorit, kur po përgatitej lufta në Kosovë kjo lëvizje i jepte kohë qeverisë Majko e vetë Majkos të ulte, të shtensiononte situatën nga ky takim. Koha do ta tregojë që i fituar nuk do të dalë Berisha, por Majko dhe forca politike që i përket si Kryeministër dhe si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. Pra, nuk është Majko ai që i ka dhënë karburant Berishës. Përsa i përket vërejtjeve për emërime në stafin e Majkos, në kabinet dhe në aparatin e tij mund të bëhen vërejtje e unë personalisht mund të bëj vërejtje për këto emërime, por kurrsesi nuk më vete në mendje që këto të jenë bërë nën ndikimin dhe presionin e Berishës.
-Nano e ka akuzuar gjithashtu Kryeministrin Majko se ka bllokuar UÇK-në e ka favorizuar Bukoshin. Ç’mendoni ju për këtë?
Unë di këtë gjë që kur kam bërë një deklarim korrikun e kaluar që do të shkojmë të përkrahim UÇK-në si deputet i PS-së, pas 4 ditësh Nano ka zbrazur tërë baterinë kundër meje si deputet. Padyshim, unë dhashë një mesazh atëherë, pasi nuk bëhej fjalë për të shkuar unë si deputet e për të rrëmbyer armët, ne duhet të jepnim një mesazh si forcë politike, që jemi në përkrahje të luftës së UÇK-së, duke vlerësuar UÇK-në si lulen më të bukur në atë buqetën pluraliste të subjekteve politike në Kosovë. Dhe koha tregoi vërtet që ishte UÇK-ja ajo që i dhuroi popullit të Kosovës lirinë. Sigurisht, që Nano ka kontributin e tij në përkrahje të UÇK-së, por nuk mund të lë pa përmendur edhe kontributin e Qeverisë Majko në mbështetje të UCK-së e të figurave të saj politike.
– Ndërkohë Petro Koçi ka thënë se kërkesa e Majkos për largimin nga detyra të shefit të SHIK-ut Fatos Klosi është një argument për akuzën që Majko ka bllokuar UÇK-në. Si e vlerësoni ju këtë?
Historia e shkarkimit të Klosit është një banalitet, që për mendimin tim, nuk bëhej nga këto motive që kërkon të argumentojë Koçi. Kam përshtypjen që janë më tepër motive të tjera, motive personale, dhe që Majko duhet të ishte më i saktë në kërkesën për shkarkimin e Koçit. Por fakti që Majko e Klosi sot punojnë bashkërisht, tregon që ata punojnë normalisht e i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre. Ka qenë një rast banal në trajtimin e kësaj çështje, e cila tashmë është kapërcyer.
– Po për fushatën që ka ndërmarrë Nano në Fier e Majko në Tropojë, që tregon një rivalitet të hapur të tyre për postin e Kryetarit çfarë mendoni?
Këto janë akuza që më shumë se një fushatë e zgjedhje normale për Kryetarin e Partisë, më ngjajnë me fushata elektorale për zgjedhjen e presidentit në SHBA, ku Bob Doll akuzonte Klintonin e anasjelltas. Unë do të gjykoja të papranueshme se si procedohet me këto akuza dhe së dyti, për përmbajtjen e këtyre akuzave janë tërësisht jashtë etikës dhe krijojnë një pështjellim të madh në mënyrën se si formulohen nga Nano, por edhe nga vendet në të cilat hidhen dhe nga qëllimet që ka Nano përpiqet me të tilla akuza, që nuk janë serioze, të ulë figurën dhe dinjitetin në radhët e partisë, të Majkos, të Metës apo të të tjerëve, të cilët ai akuzon. Do të thosha që të tilla akuza Nano ka vend ku t’i hedhë, janë forumet e partisë e jo takimet e organizuara me elektoratin me simpatizantë. Nano do të bënte mirë t’i hedhë këto akuza në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues, në Kryesinë e PS-së, në grupin parlamentar, por jo rrugëve. Çfarëdo akuzë e hedhur rrugëve për mua është jo serioze.
– Si i vlerësoni zhvillimet e deritanishme para Kuvendit të Partisë Demokratike?
Lidhur me situatën në PD para Kuvendit të Përgjithshëm të saj, do të thosha se PD-ja edhe pak ditë e po futet nën komandën e komandantit të përgjithshëm që ka dhënë komandën “çeta mblidhu në radhë” dhe po të shohësh zhvillimet dhe konferencat e PD-së në rrethe të tëra janë të mbushura me ovacione për Partinë Demokratike e posaçërisht për Sali Berishën. Pra, tashmë Berisha është zgjedhur kryekomandant i PD-së, e kjo është një e keqe e madhe që po i ndodh PD-së. Do të jetë një e keqe e madhe për PD-në rizgjedhja e Sali Berishës në krye të saj, por do të jetë një e mirë e madhe për Partinë Socialiste, rizgjedhja e Berishës . Në këtë parti, e këtë duhet ta kuptojnë mirë të gjithë militantët e PD-së të gjithë anëtarët e saj se për sa kohë që Berisha të jetë në krye të partisë, PS-ja do të jetë jo vetëm në avantazh politik, moral dhe në arenën ndërkombëtare, por do ta ketë mjaft të vështirë edhe luftën politike brenda partisë. Kështu, që them me pak fjalë rizgjedhja e Berishës në krye të PD-së do të jetë në të mirë të PS-së, po në të keq të Shqipërisë. Shqipëria tashmë do të mbetet peng i një figure tashmë të diskretituar politike.
(“Republika”, e enjte, 15 shtator 1999)
Majko kryeministër aktiv, por e “prish” kur dyzohet
-Zoti Braho, në një intervistë të tij, Kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, ka deklaruar se është i rëndësishëm komunikimi mes pushtetit dhe opozitës. Cili është mendimi juaj, a mund të ketë në këto momente dialog me opozitën?
Ideja e dialogut mes opozitës dhe mazhorancës nuk është një ide e re. Padyshim, ripërsëritja e kësaj ideje është pozitive dhe Majko i përket atij grupimi ose atyre politikanëve të majtë socialistë, që herë pas here kanë qenë të prirur për të theksuar se Shqipëria do të ecë përpara, do të zbusë tensionet vetëm nëpërmjet dialogut, sepse kjo është zemra e demokracisë. Nga kjo pikëpamje, ritheksimi i dialogut nga ana e Majkos është për t’u përshëndetur. Por kjo marrëdhënie mjaft pozitive në përmbajtjen e intervistës së Majkos vende-vende deformohet, vende-vende ka një shtresim jo të saktë, vende-vende është e paragjykuar dhe tendencioze. Majko sa herë që flet i dyzuar gabon. Pa u marrë me analizën se çfarë përfaqëson Majko në PS, ai ka figurën dhe personalitetin e tij si lider i së majtës shqiptare, i suksesshëm dhe humbës në momente të veçanta, ajo që dua të vë në dukje është se ai sa herë që konkludon si socialist është mjaft i këndshëm dhe elokuent, madje gjeneron edhe ide, por këtë pozicion të tij nuk e shoh sa herë ai del dhe flet si politikan. Veçanërisht kur ai dyzohet si politikan, kam mendimin se gabon. Me këtë rast nuk dua të bëj kritikën e intervistës që ai ka dhënë, por më duket se ai nuk ka arsyetuar drejt. Po të marrim disa nga momentet e ideve që parashtron Majko në intervistë, në një moment, arrin në përfundimin se “nuk duhet të kujtohemi për dialog pasi derdhet gjak”. Në përgjithësi ky është një përfundim i saktë, por i pa marrë në situatën e zhvillimeve aktuale, nuk është as i saktë, as i drejtë. Kërkohet që patjetër për uljen e tensioneve në Shqipëri të dialogohet. Dialog do të thotë të ekzistojnë dy palë ose më tepër, po më shumë sesa palë në dialog duhet të ekzistojë dëshira nga palët për t’u marrë vesh. Kështu ka ndodhur edhe në historinë e politikës shqiptare në këta dhjetë vite. Deri në 1997 Berisha paraqiti modelin e pushtetit autoritar, drejtoi një forcë politike autoritariste, që nuk u kujtua ndonjëherë për dialog. Këtu nuk dua të vë në dukje veprimet e tij arrogante që shkojnë nga burgosjet e deri te veprimet e dhunshme, te fakti i keq i shkatërrimit të institucioneve në mars të vitit 1997. Kjo ishte rrjedhojë e vijës së ndjekur nga Berisha, të cilit ia vunë në dukje organizmat ndërkombëtare. Pas vitit 1997 erdhën në pushtet të majtët, të cilët, po ta analizosh me vëmendje, nuk u ka munguar dëshira për dialog, por kanë drejtuar me frymë liberalo-monarkiste, e cila është e kundërt me frymën e unit të Berishës. Në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se nuk jemi të gatshëm për dialog me opozitën. Faktet janë të shumta. Por si mund të dialogohet me Berishën, kur ai dhe partia e tij nuk njohën Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e vitit 1997, kur etiketuan Parlamentin si të dalë nga kallashnikovët! Pas shumë ndërhyrjesh ata hynë në Parlament, por nuk njohën institucionet e dala prej tij. Një mungesë tjetër e tolerancës së Berishës është edhe miratimi i Kushtetutës, një akt i domosdoshëm për dialog dhe për ndërtimin e institucioneve të shtetit shqiptar. Berisha jo vetëm nuk e njohu atë, por punoi për ta hedhur poshtë në referendum. Ai nuk njohu Gjykatën Kushtetuese, KQZ-në dhe arriti në momentin final, në tentativën për të përmbysur me dhunë institucionet më 14 shtator 1998. Kjo është mënyra e sjelljes së Berishës dhe e dëshirës së tij për të dialoguar. Megjithatë, kjo vijë sjellje vazhdoi me zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 2000.
Unë kam pasur mendimin se ai do t’i bojkotonte këto zgjedhje dhe në thelb i bojkotoi, sepse po bojkoton konstituimin e tyre. Ky nuk është një lloj bojkoti organizativ, por bojkoti i Berishës për të mos njohur institucionet e dala nga këto zgjedhje shkon deri aty sa, duke mos njohur modele të tjerë, ai imiton stilin serb të protestave, duke kërkuar të godasë institucionet, jo me protesta paqësore, por në mënyrë të dhunshme. Unë nuk kam si të pranoj që Berisha do të dialogojë, kur kemi javë që shohim si hidhen bomba “molotov” mbi institucionet e shtetit, kur digjet makina e deputetit dhe mitralohet me plumba komisariati i Tropojës. Pas kësaj të mendojmë se Berisha ka dëshirë për dialog dhe ne t’i përgjigjemi atij me dialog, për të mos derdhur gjak, janë dy gjëra të kundërta. Në këtë kuptim, ajo çka thekson Majko është e papranueshme.
-Atëherë cila është gjuha që duhet përdorur ndaj Berishës, në një kohë që ai vazhdon protesta të këtij stili dhe situata mund të acarohet?
Thirrjet për dialog Berishës i janë imponuar edhe nga faktori ndërkombëtar. Kjo është kuptimplote dhe mbart domethënien që mungesa shihet tek ai krah. Kam parasysh deklaratën e BE-së, të Doris Packut, Kryetares së radhës së OSBE-së etj, të cilat, në thelb, dënojnë politikën e dhunës dhe të konfrontimit nga ana e Berishës. Janë këta faktorë që kërkojnë nga Berisha të largohet nga rruga dhe të ulet në tavolinë, por ai vazhdon linjën e egër. Unë jam nga të rrallët në PS që e kam përkrahur Majkon, kur u ul në tavolinë me Berishën në tetor 1998. Kam parasysh që në këtë tavolinë ishte Meta. I kam përshëndetur deklaratat e qëndrimet e Majkos, pas 14 shtatorit, kur me të drejtë kritikoi pushtetarët socialistë që lejuan të goditen institucionet si dhe pazotësinë e drejtuesve të shtetit të atëhershëm, të ish-Kryeministrit Nano. Në këtë kuptim, unë nuk shoh një vijë të qartë qëndrimesh nga ato çfarë thotë Majko në intervistën e tij. Unë kam parasysh faktin që policia ka gati një muaj që po duron mbi shpinën e saj sulme fizike dhe psikologjike, sulme mbi instuticionet të cilat po goditen, po rrezikohen. Shqiptarëve u ka vajtur shpirti në majë të hundës dhe kam parasysh atë moment vendimtar, kur vetë Meta, fakt të cilin Berisha e konfirmoi, i telefonoi atij ditën e martë, kur po ndodhnin trazirat në Tropojë. Meta i kërkoi Berishës që PD-ja e Tropojës të mos sulmonte institucionet dhe mitingu atje të mos përfundonte në dhunë ndaj institucioneve, ashtu siç ndodhi. Dhe mua askush nuk më garanton se pas Tropojës nuk do të ndodhte reaksioni zinxhir në Kukës, Pukë, Has dhe në vende të tjera, skenarë për të cilët zoti Berisha është i shquar. Pra, nuk është se ka munguar kërkesa për dialog nga shtetarët. Në këtë kuptim them se Majko është ose iluzionist naiv, ose kërkon të marrë pozicionin e një ndërmjetësi për dialog mes pozitës dhe opozitës, rol të cilin nuk mund ta bëjë. Ose Majko merr poza, të cilat përsëri nuk i shkojnë për të kërkuar revizionimin e vijës politike të Partisë Socialiste, kur është fjala për këto ngjarje. Aq më tepër i pakuptimtë është ky përfundim sa kohë që veprimet e qeverisë përnjëherë gjetën mbështetje dhe me një deklaratë të Partisë Socialiste edhe Majko është anëtar i kësaj Kryesie. Të kërkosh të revizionosh vijën e partisë në çështjet e fillesës së “dialogut” me PD-në, do të thotë të gabosh dhe unë them se Majko me përfundimet që arrin, ka gabuar. Në këtë kuptim, Pandeli Majko del kundër Pandeli Majkos.
-Si e konsideroni ndalimin e Kryetarit të Partisë Demokratike në orën 1:00 pas mesnate nga policia?
Kjo është një pyetje që i është drejtuar edhe Majkos dhe ai nuk i ka dhënë përgjigje. Më vjen keq për këtë fakt, madje ka keqinterpretime për këtë çështje, sepse diku thuhet se Berisha u arrestua, diku thuhet se Berisha u ndalua. Por nga pikëpamja ligjore Berisha nuk ka status të veçantë, as si president, as si shef i opozitës. Berisha ka vetëm një status, atë si deputet. Sipas ligjit dhe këtu do t’i referohem ligjit kushtetues statusit të deputetit dhe Kodit të Procedurës Penale, deputeti mund të ndalohet dhe të arrestohet menjëherë për krime të ndodhura në flagrancë, gjë që nuk e kemi në rastin konkret. Njëkohësisht policia, ka të drejtë të bëjë verifikime ndaj çdo qytetari, me çdo lloj titulli, qoftë ky edhe deputet, për një veprim të kundraligjshëm. Në rastin konkret, policia ka patur të dhëna që në makinën e Berishës fshiheshin elementë të inkriminuar. Berisha është thirrur në polici 2 herë, qoftë edhe 3, qoftë edhe 4 dhe është pyetur lidhur me organizimin e mitingjeve. Ndaj tij nuk janë kryer veprime procedurale, që e vënë atë në cilësinë e të pyeturit, të dëshmitarit ose të të ndaluarit. Aty janë kërkuar vetëm sqarime, të cilat jo vetëm Berisha, por edhe Meidani, Nano e Meta, sa herë ta thërrasë policia, janë të detyruar të paraqiten jo vetëm ditën, por në çdo orë të natës. Ky është pozicioni ligjor. Dhe nuk ka asnjë teprim në veprimet e ndërmarra ndaj Berishës në këtë rast. Dhe për këtë policia duhet përshëndetur.
(“Shekulli”, e shtunë, 2 dhjetor 2000)