Ikona “Mbledhja e Kryeëngjëjve” iu nënshtrua një procesi restaurimi. Ikona vjen nga kisha e Shën Mërisë, që është në Voskopojë. Në një reagim të saj ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se ndërhyrja në ikona u bë në laboratorin e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë. “E mbuluar nga pluhuri i kohës, nga ndërhyrjet konservuese, herë edhe jo të duhurat, “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, kjo ikonë masive, që vjen nga kisha e Shën Mërisë në Voskopojë i është nënshtruar një ndërhyrjeje restauruese dhe konservuese, në laboratorin e Muzeut të Artit Mesjetar, në Korçë. Tanimë mund të shquash mjeshtërinë e pikturës së Konstandin Hieromonakut dhe dritën e shkëlqyer të ngjyrave. Nëse shkoni në Korçë, ia vlen ta vizitoni”, shprehet ministrja Margariti, në një status të saj në Facebook. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është çelur në vitin 1980. Eksponatet dhe fondet e pasura të tij përbëhen nga objekte historike, kulturore e artistike të periudhës mesjetare, që lidhen kryesisht me trashëgiminë e krishterë bizantine dhe pasbizantine. Ikonat, objektet prej guri, koleksioni i objekteve prej metalesh të çmuara, druri të gdhendur, tekstili, letre, etj, janë shembuj të një pasurie e larmie vlerash të paçmuara. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shek. XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi, etj. Koleksioni ikonografik që ky muze posedon, është një nga më të mëdhenjtë në numër dhe po aq i bukur e i krahasueshëm me gjithë artin tjetër bizantin e pasbizantin të krijuar në territoret fqinje të inkuadruara në ish Perandorinë Bizantine. Kjo trashëgimi e vyer që sot ruhet, mbrohet e studiohet është një prej akteve më kurajoze e të qytetëruara të atyre që bënë të mundur shpëtimin e saj dhe krijimin me to të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.