Nga mbrëmja e së enjtes deri të dielën, komedia “5 ditë mbret” vjen për publikun në Tarracën e Institutit Italian të Kulturës sipër Bibliotekës Kombëtare. Historia dhe aktualiteti i një ngjarje të mendjes në një komedi-satirë të Stefan Çapalikut bazuar në “historinë” e Otte Witte, një kllouni bohem, i cili pretendon se për pesë ditë, ka qenë mbret i Shqipërisë pas osmane. Teatri i Metropolit, ndërsa shprehet se duhet të rezervohet dhe të blihet bileta pasi vendet janë të limituara shton se dashuria dhe dëshira për teatrin na bashkon edhe në kohë të mundimshme. Teatri Metropol sjell kështu premierën e parë këtë sezon artistik edhe pse jo në skenën e tij për publikun për shkak kufizimeve të pandemisë. Institucioni bën me dije se premiera e planifikuar të ndodhte në muajin mars të këtij viti në Metropol, u shty deri më tani për shkak të situatës së krijuar prej pandemisë Covid – 19 dhe u zhvendos për të sjellë debutimin e saj në një skenë të hapur. Regjia e performancës që realizohet nga vetë autori i tekstit Stefan Çapaliku, personazhet ia ka besuar aktorëve Rafael Hoxhaj dhe Ismal Shinos. Rafeal Hoxhaj vjen në rolin e Ottos dhe Ismail Shino në rreth gjashtë role të tjera shoqëruese. Muzika origjinale është kompozuar nga mjeshtri i mirënjohur Haig Zacharian. Skenografia është e të riut Divni Gushta dhe kostumografia nga Frenci Gjerasi. “5 ditë mbret” është shkruar nga dramaturgu Stefan Çapaliku gjatë vitit të kaluar. Ai u frymëzua nga një ngjarje e dëshmuar publikisht prej një kllouni gjerman i quajtur Otto Witte, lindur më 1872 dhe vdekur më 1958. Fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk ekzistojnë dokumente të tjera të tërthorta që ta vërtetojnë rrëfimin e këtij kllouni, se në vitin e largët 1913, na paska qenë për pesë ditë mbret i Shqipërisë. Gjithsesi, historia e treguar prej tij është aq atraktive dhe ekzistuese, saqë ka zgjuar frymëzimin e disa autorëve perëndimor. Kështu p.sh. romancieri gjerman Andreas Izquierdo shkruan më 2007 romanin “Mbreti i Shqipërisë” (Konig von Albanien). Po kështu, dy vite më vonë dramaturgu francez Fabrice Melquiot shkruan një tekst dramatik bazuar mbi këtë histori. Më pas është autori skocez Andrew Nicoll, i cili gjithashtu duke u mbështetur në historinë e rrëfyer nga Otto Witte shkruan në vitin 2012 romanin “If you’re reading this I’m already dead” (Nëse po e lexon këtë, unë do të kem vdekur tashmë). Me gjasë ky është teksti i katërt fiksionant, që trajton historinë e mendjes së Otto Witte, i cili vdiq duke pretenduar se kishte qenë për pesë ditë mbret i Shqipërisë.