Ismail Kadare i kishte shpëtuar përkohësisht fushatës kundër tij. Kishte qenë vetë Enver Hoxha që e kishte shpëtuar në momentet e fundit, teksa mendonte për reputacionin e tij. Por tashmë Enver Hoxha nuk ishte më.
Kishte vdekur në prill të vitit 1985 dhe pasardhësi i tij, ashtu si edhe pritej, u bë Ramiz Alia. Atëherë kur askush nuk e priste, Ismail Kadare ndërmerr një hap shumë të guximshëm, vendos të ikë në Francë dhe të kërkojë azil politik. Jehona në Shqipëri ishte e jashtëzakonshme, po aq edhe në shtypin e huaj.
Shkrimtari më i njohur shqiptar ishte arratisur. Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme përgjatë një dekade gjatë regjimit diktatorial, Qemal Lame, në librin e tij “Dritëhijet e kohës” (shtëpia botuese “Neraida”), merr në shqyrtim “Dosjen Kadare”, duke dëshmuar në vetë të parë për gjithë përndjekjen që i bëhej shkrimtarit dhe tentativat për ta arrestuar dhe dënuar atë.
Lame ndalet edhe në momentin e ikjes së Kadaresë. Ai e nis rrëfimin e tij me lajmin e dëgjuar në valët e “Zërit të Amerikës”, tronditjen e momentit dhe përpjekjen e menjëhershme për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje. Lame tregon se si nisi t’i merrte të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit në telefon, deri në momentin që komunikoi me vetë Ramiz Alinë, i cili nga ana e tij shprehu habinë për këtë veprim të Kadaresë.
Lame tregon telefonatën me Ramiz Alinë dhe bisedat e njëpasnjëshme me Adil Çarçanin e Hekuran Isain, si dhe takimin me këtë të fundit, i cili i përcillte “porosinë” e Ramiz Alisë. Sipas tij, Ismail Kadare ishte sjellë si një armik dhe tradhtar. Ai kishte vërtetuar dyshimet e tyre të hershme, që ai kishte vepruar si një agjent i Perëndimit, dhe si i tillë edhe duhej dënuar. Cili ishte reagimi i Qemal Lames dhe pse hezitoi ta quante “krim” aktin e Kadaresë?
QEMAL LAME
ARRATISJA NË FRANCË
Kërkesa e Ismail Kadaresë për strehim politik në Francë vlerësohet nga udhëheqja politike e shtetërore si një akt politik që fyen ndërgjegjen patriotike e qytetare të shqiptarëve, me pseudoargumentin se ai braktisi popullin dhe atdheun dhe e vuri veten në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të kombit shqiptar.
Pjesë të marra nga dokumenti origjinal, pjesërisht të pabotuara: Udhëheqja politike dhe shtetërore propagandoi me forcë rrezikshmërinë e ndërhyrjes së shteteve perëndimore. Aleanca Perëndimore u cilësua “armike” e kombit shqiptar!
E martë, 23 tetor 1990 18:00
Si zakonisht, kur kisha mundësi, dëgjoja radion “Zëri i Amerikës”.
Në orën 18:00 dëgjoja në fillim lajmet e Radiotelevizionit Shqiptar dhe pastaj dëgjoja “Zërin e Amerikës”. Kështu mënjanoja edhe mundësinë e përgjimeve të fshehta nga Sigurimi i Shtetit.
Më tërhoqi vëmendjen njoftimi i jashtëzakonshëm: “Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, ka kërkuar azil politik në Francë…”
Vlerësova vendimin kurajoz të Ismail Kadaresë. Në mendje më erdhën natyrshëm mendimet:
-Ismaili bëhet zyrtarisht personi në fokusin e medias e të politikës ndërkombëtare. Njoftimi i menjëhershëm tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, shton kuriozitetin, debatet. Krijohen rrethana për të diskutuar edhe qëndrimin e tij politik bashkë me vlerësimin e tij të njohur gjerësisht për mendimin ndryshe në letërsinë shqipe.
Do të jetë ky vendim i tij një nxitje që tërheq vëmendjen në cilësimin e mundshëm si “disident politik”?! Do të kemi një disidencë në letërsinë shqipe, ashtu si disidenca në letërsinë sovjetike me Pastërnak e Shollohov?
Kërkesa e shkrimtarit për azil politik do të krijojë shqetësime në politikën zyrtare. Duhet pranuar se ai ka vepruar me zgjuarsi dhe përgjegjësi me kërkesën e tij politike për strehim dhe mbrojtje në Francë.
Nuk ka pasur rrugëzgjidhje tjetër. Ky veprim është një reagim i drejtë për mënjanimin e rrezikut të arrestimit dhe të dënimit në Shqipëri. Me këtë vendim, ai i jep goditje politikës zyrtare dhe demaskon falsitetin e propagandës për ndryshime drejt demokracisë. Mendimet i ruajta në mendjen time. Nuk mund të bisedoja me asnjeri për këtë problem aq delikat politik. Shkak tjetër ishte edhe reagimi i fuqishëm i pritshëm nga udhëheqja, nga Ramiz Alia dhe nga Byroja Politike.
Lajmi i jashtëzakonshëm më impononte që të krijoja bindje për saktësinë. Për shkak të detyrës së lartë shtetërore dhe politike, kisha natyrisht edhe detyrimin të isha i sigurt nëse ishin në dijeni edhe personalitetet e tjera më të larta të partisë dhe të shtetit.
Mora në telefon drejtorin e ATSH-së, Taqo Zoto, për të ditur më shumë për njoftimet e agjencive të huaja të lajmeve. Ai nuk ndodhej në ato çaste në zyrë.
-Mora në telefon ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Edhe ai nuk përgjigjej në telefon.
Sekretari i tij, Sako Rama, më tha se kishte shkuar në Komitetin Qendror.
-Mora në telefon ministrin e Punëve të Jashtme, Reiz Malile. Sekretarja më tha se nuk ka ardhur akoma në zyrë.
Mora në telefon Kryeministrin, Adil Çarçani. Sekretarja më tha se kishte shkuar në Komitetin Qendror, te shoku Ramiz.
Mora në telefon Ramiz Alinë.
Ai u përgjigj menjëherë:
-Shoku Ramiz!
– Unë jam, shoku Qemal!
-Kam dëgjuar se Ismail Kadare ka kërkuar azil politik në Francë!
-Çfarë po thua?! Si ka mundësi?!
– Po, shoku Ramiz. Prandaj ju mora.
– Ke ndërtuar ndonjë agjenturë zbulimi të jashtëm? – pyeti ai me një zë sa intim e habitës, aq edhe kureshtar, ironik, dyshues e akuzues.
-Jo, shoku Ramiz! Unë jam hetues. E dëgjova në lajmet e radios. Doja ta saktësoja më parë me drejtorin e ATSH_së, ministrin e Punëve të Brendshme, ministrin e Punëve të Jashtme, Kryeministrin, por nuk ishin në zyrë.
Mendova t’ju telefonoj juve nëse keni dijeni, dhe të mësoj diçka më shumë.
-Tani po e dëgjoj! Po nga cila radio e dëgjove?
Nga radio “Zëri i Amerikës”.
-Si? Nga “Zëri i Amerikës”? E dëgjon këtë radio?
-Rastësisht, shoku Ramiz. Do të dëgjoja lajmet e Radio Tiranës dhe dëgjova “Zërin e Amerikës”.
-Lajmet më të para për probleme të rëndësishme i marr më parë nga juve se nga ministri i Punëve të Brendshme?! E ke nxjerrë jashtë loje Hekuranin! Do të interesohem menjëherë për të ditur se çfarë ka ndodhur. Ngjarja është shumë e rëndë. Do të bisedoj me shokët. Faleminderit për informimin…
Kishim dyshime në qëndrimet e Ismailit, por nuk e prisnim të arrinte deri sa të kërkonte azil politik…
Këto ditë jemi përqendruar në takimin e ministrave të jashtëm të rajonit të Ballkanit dhe i kemi kushtuar gjithë vëmendjen realizimit me sukses. Papritur përballemi me situatën e goditjes nga Ismaili!… Tani po e vijnë edhe lajme të tjera…
(Gjatë bisedës telefonike dëgjohej që binte shpesh telefoni, komunikimi i Ramizit me ndihmësin për njoftimet e ardhura etj.)
19:30
Mori në telefon Hekuran Isai:
-Shoku Qemal! Bëre mirë që njoftove menjëherë shokun Ramiz, ngelëm të befasuar, me gjithë dyshimet e mëparshme që kishim. Më lehtësove nga përgjegjësia, pasi duhej të kisha informuar unë i pari. Morëm të dhëna të tjera…
21:00
Mori në telefon Adil Çarçani
-Shoku Qemal! Sa mirë që reagove menjëherë për njoftimin për Ismailin. Isha bashkë me shokun Ramiz në atë kohë. Na erdhi si rrufe kërkesa e tij për azil politik në Francë… Takohemi nesër.
Ramiz Alia mban qëndrim të vendosur Urdhëron të merren masa ndaj Ismail Kadaresë
E mërkurë, 24 tetor 1990 06:30
Mori në telefon Hekuran Isai:
-Shoku Qemal! Kam një porosi nga Shoku Ramiz. Dëshiroj të vij e të bisedojmë në zyrën tënde.
-Urdhëroni, kur të dëshironi, shoku Hekuran.
-Po vij menjëherë.
-Po të pres.
Biseda me ministrin e Punëve të Brendshme Hekuran Isai:
Pasi hyri në zyrë, u përshëndetëm. -Shoku Qemal! Shoku ramiz më dha porosi të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë për koordinimin e masave operative dhe ato hetimore e ligjore për kërkesën që ka bërë Ismail Kadare, dje më 23 tetor 1990, për strehim politik në Francë.
Mendimi i udhëheqjes është se Ismail Kadare ka vepruar si armik e tradhtar. Për këtë arsye kërkohet të reagojmë sipas rregullave ligjore. Sigurimi i Shtetit ka mbështetur këtë qëndrim të udhëheqjes dhe ka grumbulluar prej kohësh edhe provat që vërtetojnë veprimtarinë armiqësore të Ismail Kadaresë.
-Shoku Hekuran! Unë nuk kam njoftim zyrtar, nuk jam vënë në dijeni zyrtarisht për kërkesën e Ismail Kadaresë për strehim politik në Francë. Nuk kam asnjë të dhënë, asnjë provë ose dokument për ndonjë vepër penale të dërguar nga Sigurimi i Shtetit, nga Ministria e Punëve të Jashtme, nga Komiteti Qendror ose nga ndonjë institucion shtetëror. Dihet se edhe lajmet që shpërndahen nga ATSH-ja për udhëheqjen dhe funksionarët më të lartë shtetërorë vijnë të redaktuara për kryetarin e Hetuesisë së përgjithshme.
Unë kam kërkuar zyrtarisht që të më dërgohen të plota lajmet e jashtme për Shqipërinë. Udhëheqja nuk ka pranuar që të më dërgohen lajmet, “Axhanset”, njëlloj si i dërgohen udhëheqjes kryesore, sekretarëve të Komitetit Qendror, Kryeministrit dhe Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ju e keni mbështetur kërkesën time, më keni thënë se është e drejtë dhe keni biseduar edhe me drejtorin e ATSH-së që të më dërgojë lajmet e rezervuara. Me porosi nga lart, ato nuk më janë dërguar.
-Keni të drejtë. Tani situata është e komplikuar. Kërkohet të veprojmë bashkërisht dhe energjikisht me masa konkrete të rrepta…
– E vlerësoj gjendjen shqetësuese të krijuar. Por problemi është politik dhe kërkon qëndrim politik. Masat operative janë në vlerësimin e Sigurimit të Shtetit. Bashkëpunimi do të ishte i nevojshëm në kushtet e kryerjes së një vepre penale dhe të zbulimit në thellësi të fajësisë e provave. Me të dhënat e ekspozuara nga ju në këtë rast, nuk ka vend për qëndrim ligjor. Nuk ka as vepër penale në fazën e përgatitjes, të tentativës ose të konsumuar.
-Sigurimi i Shtetit ka të dhëna dhe prova se ai është agjent dhe ka vepruar sipas porosive të agjenturave të huaja për të dëmtuar politikisht udhëheqjen e Partisë.
-Nuk kam dijeni që Sigurimi i Shtetit ka prova për shërbime agjenturore!
-Po të na mbështesni, ne jemi gati t’jua sjellim provat, shoku Qemal.
-Akuzat për tradhti dhe vënie në shërbim të agjenturave të huaja janë të rënda. Kërkohen prova me fuqi ligjore. Nuk mund të krijojnë bindje raportet agjenturore të pamundura për t’u verifikuar. Nuk mund që të reagoj në kundërshtim me rregullat ligjore, shoku Hekuran. Dyshime ka pasur vazhdimisht.
Këto kanë mbetur thjesht dyshime të pavërtetuara. Tani jemi para faktit të kryer dhe kërkohet të analizojmë problemet ligjore dhe qëndrimin që kërkohet të mbahet. Për këto arsye, mendoj se është e dobishme të shkojmë dhe të bisedojmë direkt me shokun Ramiz. Edhe ai është e domosdoshme të krijojë mendim më të drejtë për kërkesat ligjore. -Shkojmë.