Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Durrësit, Petraq Dhimitri, pasi ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i gjyqtarit në një kërkesë te Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndërprerja e vetingut për shkak të dorëheqjes sjell edhe humbjen e të drejtës së Dhimitrit për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror për një periudhë së paku 15-vjeçare. Në vendimin e arsyetuar të KPK shpjegohet se ndërprerja e procesit të rivlerësimit ka ardhur pas depozitimit më datë 24 janar, të një vendimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për mbarimin e statusit të magjistratit për Dhimitrin, për shkak të dorëheqjes së tij. Komisioni argumenton se magjistrati mund të kërkojë mbarimin e statusit, nëpërmjet paraqitjes së dorëheqjes para Këshillit përkatës dhe se nuk është e nevojshme të jetë e arsyetuar. Në vendim thuhet se Komisioni e ftoi Dhimitrin, për t’u shprehur nëse dëshironte të ushtronte të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por ai ka preferuar të mos e ushtrojë këtë të drejtë. “Ju konfirmoj vullnetin tim për të mos ushtruar të drejtën për t’u dëgjuar nga Komisioni në seancë dëgjimore”, ka deklaruar Dhimitri për Komisionin më datë 1 korrik nëpërmjet një email-i. Trupi gjykues që kryesohet nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilia dhe anëtare Brunilda Bekteshi deklaruan ndërprerjen e procesit të vetingut. “Të deklarojë se procesi i rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, z. Petraq Dhimitri, është ndërprerë; Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, thuhet në vendimin e KPK. Petraq Dhimitri është në gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale të korrupsionit. Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë më 29 tetor 2019 dhe u dënuan nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg. Tre gjyqtarët akuzohen se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”. Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar.
































