Paketa anti-shpifje, PS tentativa për të shmangur KiE, OSBE dhe BE, ja si AMA pritet të mbysë me gjoba portalet në vend

0
328

Mazhoranca duket se do i shkojë deri në fund nismës për gjobitjen e portaleve në vend. Prej muajsh kryeministri Edi Rama ka folur për paketën anti- shpifje dhe shumë shpejt ligjet priten të miratohen. Në seancën e së hënës, ndërkombëtarët dolën në unison kundër rolit të AMA dhe kërkon zbutje të gjobave ndaj portaleve. Por gazeta ka mësuar se konsultimet do të vijojnë edhe me organizatat të tjera dhe opinionet e OSBE, BE apo KiE thjesht do të merren si sugjerime. Edhe pse për ndërkombëtarët ligjet duhet të rishikohen totalisht. Burimet me të gazetës thonë se mund të bëhen disa ndryshime të lehta, por AMA do të vijojë të mbetet institucioni që do të merret me vjeljen e gjobave. Kjo do të thotë që vitin tjetër shumë portale do të mbyten me gjoba e madje deri tek mbyllja e tyre. Por çfarë roli konkretisht do të ketë AMA? Në ligjin e parashtruar, AMA ka të drejtë të vendosë gjoba nga 1 milionë lekë e deri në mbyllje të portalit. Duke qenë se ditët e sotme qytetarët informohen më tepër nga rrjetet sociale, në shumë raste ata janë përballur me lajme të rremë. Këtu nis problemi. Ligji parashikon që personat mund të ankohen për lajmin e publikuar në median online dhe ankesa e tyre do të shqyrtohet nga Këshilli i Ankesave pranë AMA-s. Masat që parashikon ligji Ligji, pas ankimit të personave lidhur me lajmet e publikuara online, parashtron se, nëse nuk bëhet sqarimi i informacionit të publikuar në bazë kërkesës së ankuesit, do të merren masat administrative. Këto masa shkojnë nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë dhe gjoba fikse prej 800 mijë lekësh kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik. Një tjetër masë që do të merret, është edhe pezullimi i aktivitetit të medias online. Pra nëse një media publikon informacion të pavërtetë deri në tri herë brenda vitit kalendarik, medias në fjalë i pezullohet aktiviteti për 24 orë. Me ndryshimet në ligj, nëse një media publikon më shumë se katër herë informacion të rremë për 1 vit kalendarik, ai pezullohet për 1 javë dhe nëse këto shkelje përsëriten më shumë se 5 herë, atëherë aktiviteti i medias online pezullohet për 1 vit. “Në rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, Këshilli i Ankesave vendos: a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të: publikuar formulën e ndjesës sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga AMA; hequr përmbajtjen e cila shkel të drejtat; vendosur nëpërmjet AKEP-it një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”; b) gjobë, shuma e të cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij; Këshilli i Ankesave vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes”, thuhet në draft. Në ligj portalet dhe mediat emërohen me emrin Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronik dhe sipas ligjit, çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit është prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta prej OSHPE-së, ka të drejtën e përgjigjes. Ankesa duhet të paraqitet me shkrim, drejtuar ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik duke parashtruar arsyet dhe faktet që mbështetin kërkesën e tij. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes duhet të paraqitet  tek OSHPE-ja, brenda 10 ditëve nga publikimi i fakteve dhe informacioneve që pretendohen jo të sakta./Ornela ÇELPICA 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here