Tërmeti ka dëmtuar dhe disa nga monumentet e kulturës në vend. Dëmtimet që kanë pësuar duhet të studiohen nga një grup specialistësh për të parë deri në çfarë mase janë, për të ditur deri sa duhet të bëhet ndërhyrja. Pasojat nga tërmeti sollën dëmtime në kalanë e Prezës, ku është shembur kulla e sahatit, dëmtimet janë dhe në murin nga kulla C, në kalanë e Durrësit, por dëmtime ka dhe kulla legjendare e kalasë së Krujës, ndërkohë që dhe monumente të tjera sipas specialistëve të fushës së trashëgimisë kulturore duhet të kontrollohen për të parë gjendjen e tyre. Për arkitektin dhe restauratorin e njohur Kliti Kallamata, është Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, që me qetësimin e situatës duhet të bëjë një monitorim në të gjitha monumentet e kulturës në vend, që janë në zonat ku ka goditur tërmeti. Sipas arkitektit Kallamata, është përgjegjësi e institucioneve shtetërore për të parë dhe kontrolluar se deri në çfarë mase janë këto dëmtime, gjë e cila duhet të bëhet në vijim të punës së tyre në fushën e trashëgimisë kulturore. “Nga Ministria e Kulturës dhe IMK, duhet parë çfarë mase janë dëmtimet që janë shkaktuar nga tërmeti. Më pas duhet parë për ndërhyrje me patjetër. E para, duhet të jetë një ekip që të survejojë monumentet e kulturës. Pra duhet një ekip që të survejojë çfarë pasojash janë, çfarë ndërtimesh janë këto objekte, etj”, shprehet arkitekti Kallamata. Përballë kësaj gjendje, arkitekti dhe restauratori Kliti Kallamata shton më tej se duhet një studim i thelluar për të parë deri sa duhet të ndërhyhet në monumentet, që kanë dëmtime. “Një ekip që duhet të ngrihet nga institucionet, për të parë çfarë mase janë dëmtimet dhe çfarë mund të riparohet në distancë kohore afatshkurtër dhe çfarë mund të lihet më pas për më gjatë, sepse ka dhe monumente që kërkojnë ndërhyrje më të thelluara, më të studiuara dhe më të sofistikuara. Detyrë numër një e Ministrisë së Kulturës është që bashkë me Institutin e Monumenteve të Kulturës të fillojnë urgjentisht me këto gjëra”, shprehet arkitekti Kallamata.
Angazhim serioz për monumentet
Tërmeti ka dëmtuar rëndë edhe kullën legjendare të kalasë së Krujës. Për arkitektin dhe restauratorin Kliti Kallamata për kullën duhet të ngrihet një grup ekspertësh nga fusha të ndryshme, pasi problemet e saj janë komplekse. “Me sa di unë te kulla në Krujë problemet janë komplekse, sepse fillojnë që nga shkëmbi dhe deri te kulla sipër. Kjo kërkon studime me grup ekspertësh të fushave të ndryshme, multidisiplinore, duke filluar që nga gjeologë, etj. Pra studime multidisiplinore, kërkon angazhim serioz që duhet ta udhëheqë Ministria e Kulturës me Institutin e Monumenteve të Kulturës”, shprehet më tej arkitekti Kallamata. Më herët Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore publikoi foto të monumenteve të kulturës, me dëmtimet nga tërmeti jo vetëm në Durrrës, por dhe në Krujë e më gjerë. Dëmtimin në kalanë e Durrësit, Forumi për Mbrotjen e Trashëgimisë Kulturore e cilëson kolosal. “Dëm kolosal i pariparueshëm për trashëgiminë kulturore në kalanë bizantine të Durrësit”, shprehet Forumi për çfarë ka ndodhur në kala. Bazuar në të dhënat historike, kalaja e Durrësit është e shekullit të V-të. Kalaja u ndërtua nga perandori i perandorisë Bizantine. Kalaja e Krujës, e njohur për vlerat e saj në trashëgiminë kulturore, është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r., ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek. e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Në kalanë e Prezës, kemi katër faza të ndryshme ndërtimi. Periudha e parë lidhet me fortifikim e kalasë, e dyta lidhet me rindërtimin e mureve rrethuese, e treta ka të bëjë me ndërtimet që janë bërë brenda mureve rrethuese, kurse faza e katër lidhet me ndërtimin e një kulle sahati që nuk ka të bëjë me sistemin fortifikues, por i përket një periudhe të mëvonshme.
Nga Julia Vrapi