Spiunët e Sigurimit, Autoriteti i Dosjeve dorëzon në Kuvend propozimin për verifikimin e deputetëve, amnisti për sigurimsat në polici

0
300

Rihapet debati për spiunët e ish Sigurimit të Shtetit në radhët e politikanëve, administratës apo policisë. Mazhoranca dhe opozita shumë shpejt pritet të mbyllin reformën zgjedhore dhe pritet që një rëndësi të zërë edhe pastrimi i politikës nga spiunët e ish-Sigurimit të Shtetit. Gazeta e ka paralajmëruar pak kohë më parë se Autoriteti për Hapjen e Dosjeve ka hartuar një propozim ku kërkohet që verifikimi të shtrihet dhe në radhët e kandidatëve për deputetë, kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë. Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula, ka pasur një takim me bashkëkryetaren e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari, ku janë dakordësuar që të propozohet që verifikimi të shtrihet dhe në politikë. Sot që flasim, ligji nuk detyron partitë që të verifikojnë kandidatët për lidhjet me ish-Sigurimin. Autoriteti i Dosjeve njoftoi se ky propozim i është dërguar Kuvendit, por edhe partive politike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “AIDSSH beson se një lustracion moral në lidhje me përfshirjen në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit 1944-1990 për figurat e larta publike të emëruara apo të zgjedhura, do t’i shërbejë rritjes së besimit të publikut në institucione dhe konsolidimit të demokracisë dhe paqes. E njohëm deputeten Hajdari me propozimet tona për përfshirjen e këtyre çështjeve në reformën zgjedhore të re. Këto propozime ia kemi dërguar partive politike, Parlamentit dhe KQZ”, njoftoi Autoriteti i Dosjeve.

Amnisti për ish-sigurimsat policë

Por teksa AIDSSH po punon që verifikimi për lidhjet me Sigurimin e Shtetit të shtrihet në politikë, duket se do të veprohet ndryshe në polici. Momentalisht ka nisur një proces vetingun në radhët e uniformave blu. Gazeta tregoi pak kohë më parë se disa policë rezultojnë si bashkëpunëtorë të Sigurimit. Por dje zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, u shpreh se kjo nuk shërben si arsye për t’i larguar nga detyra. Sipas tij, nëse ata rezultojnë të pastër në veting atëherë do vijojnë të qëndrojnë në detyrë. “Sipas parashikimeve të ligjit, të qënurit ish-punonjës, apo ish-informator, apo ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit është një rrethanë që merret parasysh nga organet e vlerësimit si të gjitha rrethanat e tjera. Pra nuk është një përjashtim automatik në rastet kur dikush mund të ketë shërbyer në atë lloj strukture, por është një rrethanë që do merret parasysh siç merren të gjitha të tjerat. Pra edhe këta persona besoj që do dalin dhe do përballen me një seancë publike”, u shpreh zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj. Më tej, ai tha se nëse një drejtues apo efektiv policie nuk do të kalojë dot në filtrat e vetingut, penalitetet janë të rënda. “Ligji e thotë qartë. Kush nuk kalon dot vetingun përjashtohet nga radhët e policisë. Edhe nëse do të duan të punojnë në strukturat private të policisë do të duhet të pajisjen me një vërtetim nga Policia e Shtetit”, tha Hodaj. Menjëherë pas përfundimit të shqyrtimit të dosjeve për drejtuesit më të lartë, do të fillojë puna me 200 drejtues me grada më të ulëta. Por e paqartë mbetet data se kur do të fillojë vetingu për 12 mijë efektivët e policisë. Procesi për të kaluar në filtra uniformat blu ka hasur në vonesa për shkak se disa institucione në vend janë treguar të ngathëta për t’i kthyer përgjigje Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit. Organi Qendror i Akuzës, Shërbimi Sekret dhe Qendra Kombëtare e Biznesit, janë ato më të kritikuarat për vetingun në radhët e policisë.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here