KLGJ plan për të rritur transparencën për emërimet e gjyqtarëve, ngre grup pune për përcaktimin e procedurave dhe kritereve

0
305

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka si synim të sjellë një epokë të re në gjyqësor. Për këtë arsye ka hartuar edhe një strategji, ku përcaktohen objektivat kryesorë të KLGJ për vitet 2019-2020. Një nga objektivat kryesorë është rritja e transparencës për emërimin dhe ngritjen në detyrë të gjyqtarëve dhe të administratës gjyqësore. Sipas strategjisë, për t’ia arritur këtij qëllimi KLGJ do të ngrejë një grup pune që do të përcaktojë procedurat dhe kriteret për emërimin dhe ngritjen në detyrë të njerëzve të drejtësisë. “Rritja e transparencës në emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore, përmes sigurimit të standardeve të meritokracisë. Aktivitetet kyç: Ngre një grup pune që harton aktet nënligjore që përcaktojnë procedurat dhe kriteret për emërimet dhe promovimet; Bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë; Administron emërimin, caktimin në pozicion, transferimin, ngritjen në detyrë, komandimin dhe riemërimin e të gjithë gjyqtarëve; Zbaton sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve; Publikon dhe shpall konkurrim të hapur për vendet e lira në shërbimin civil gjyqësor, si dhe fillimin e procedurave për ngritjen në detyrë dhe lëvizjen paralele; Zhvillimi i një sondazhi me gjyqtarët për të vlerësuar opinionin e tyre në lidhje me procesin e caktimit të ngritjes në detyrë”, thuhet në strategji. KLGJ do të hartojë edhe rregullore që përcaktojnë procedurat dhe kriteret për ndëshkimin e gjyqtarëve. Po ashtu, do të vendosen standarde në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe personelit të administratës gjyqësore. “KLGJ-ja harton një akt nënligjor për përcaktimin e standardeve të vlerësimit të performancës së gjyqtarëve; KLGJ-ja harton një akt nënligjor për përcaktimin e standardeve të vlerësimit të performancës së administratës gjyqësore, në pajtim me IFCE dhe CEPEJ”, thuhet në strategjinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here