Zbardhen të tjera detaje nga regjimi komunist në Shqipëri. Gazeta amerikane “The New York Times” ka shkruar me mijëra artikuj për situatën në Shqipëri dhe gazeta po sjell disa prej tyre për lexuesin, ku tregohet këndvështrimi jashtë kufijve për vendin tonë. Aty tregohet mbi përplasjet me SHBA dhe Britaninë.
16 nëntor 1946
Misioni i SHBA largohet nga Shqipëria
Misioni vëzhgues amerikan prej nëntë personash në Shqipëri është tërhequr nga vendi pas pamundësisë së arritjes së një kompromisi në njohjen e regjimit të kryeministrit Enver Hoxha. Grupi u ngjit në bordin e luftanijeve amerikane Noa dhe Perry, të cilat pritën anëtarët e stafit jashtë kufirit prej tre miljesh larg Durrësit pasi autoritetet shqiptare nuk i lejuan mjete tona për t’u ankoruar në port. Luftanijet do të transportojnë në Napoli anëtarët e misionit, të cilët më pas do të vazhdojnë drejt Romës. Edhe raportimet nga Jugosllavia njoftonin për largimin e misionit amerikan nga Shqipëria. Zyrtarët u detyruan të nxirreshin jashtë ujërave territoriale për të marrë anijen Huntington e cila gjendej në ujërat e Mesdheut dhe mund të kishte qenë duke shoqëruar dy luftanijet. Kryeministri i Shqipërisë Hoxha dërgoi një telegram për të falënderuar gjeneralin F. H. La Guardia për kontributin 300 000 dollarë nga fondi i ndihmës së Kombeve të Bashkuara për zonat e përmbytura dhe popullatën në vështirësi në vendin e tij. Jugosllavia ka njoftuar dhe ka mbledhur 57 000 dollarë “kontribute vullnetare” në ndihmë të “demokracisë motër” Shqipërisë.
Agjencia Tass shkruan për gjyqin
Moskë, 15 nëntor
Plani për të zbarkuar trupa amerikane dhe britanike në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit në rast të një lufte mes Shqipërisë dhe Greqisë, raportohet se është treguar nga Harry T. Fultz, asistenti i kreut të misionit amerikan në Shqipëri, te komplotuesi shqiptar Abdul Sharra.
Sharra është tashmë në gjyq me akuza sabotazhi në Tiranë dhe e ka dëshmuar këtë më 14 nëntor, thuhej në një raportim të agjencisë Tass, që ishte shpërndarë në faqet e para të gazetave të Moskës sot. Sipas Tass, Sharra ka thënë se ngjatë një bisede me Fuptz prillin e kaluar, ky i fundit i ka treguar se “anglo-amerikanët nuk mund të tolerojnë më shumë situatën ekzistuese në Shqipëri”. I akuzuari shqiptar citohet të ketë thënë më tej se provokimet greke po bëhen për të nisur një luftë mes Greqisë e Shqipërisë që më pas trupat anglo-amerikane të kenë justifikim për të zbarkuar në Shqipëri dhe në Ballkan. Fultz i ka thënë gjithashtu Sharrës, sipas lajmit të Tass, të nisë sabotimet e kanalit që po ndërtohet në liqenin e Maliqit në Shqipëri, i cili po ndërtohet me ndihmat e agjencisë aleate UNRRA. Ata të dy ranë në marrëveshje se Sharra do të organizonte kabotazhin dhe do të krijonte një organizatë sekrete me intelektualë, që janë të pakënaqur nga regjimi aktual. Gjithashtu personeli i agjencisë Aleate është përdorur për të kryer direktivat e sabotazhit nga Fultz te Sharra, sipas dëshmisë së të akuzuarit. Departamenti i Shtetit thotë se 50 vjeçari Fultz, i cili u bë pjesë e misionit amerikan në Shqipëri në maj 1945, pas një periudhe në Zyrën Strategjike Amerikane në Itali gjatë luftës, nuk është arrestuar kurrë në Shqipëri dhe nuk ka të dhëna për akuza të bëra ndaj tij prej autoriteteve shqiptare. Mediat amerikane thonë se Fultz ka shpenzuar para në Shqipëri edhe para luftës dhe ka qenë drejtor i shkollës profesionale të djemve që operohej nga Kryqi i Kuq Amerikan në koordinim me qeverinë Shqiptare.
3 gusht 1945
Shqipëria nënshkruan për ndihmat e agjencisë aleate UNRRA
Është arritur së fundmi një marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë, Enver Hoxha dhe kreut të agjencisë së ndihmës së OKB, ku kjo e fundit do të furnizojë Shqipërinë me tekstile, pajisje inxhinierike, mjekësore dhe bujqësore, e cila u nënshkrua dje. Roy Cocran, ish-guvernator i Nebraska dhe oficer ndërlidhjeje i agjencisë së OKB, dëshmoi nënshkrimin, sipas të cilit artikujt do të jepen nga agjencia aleate për t’u shpërndarë pa diskriminim nga autoritetet shqiptare. Ata që kanë mundësi të paguajnë, paratë e tyre do të përdoren për të siguruar të tjera ndihma dhe procese rehabilitimi brenda vendit. Ndërlidhja ushtarake ka sjellë deri tani në Shqipëri 9500 ton ndihma dhe 300 automjete prej 11 prillit deri më 30 qershor.
15 korrik 1945
Britania shton forcat në Greqi prej tensioneve në Ballkan
Për arsye të gjendjes së paqartë në Egje mes zonës britanike të influencës në Greqi dhe Turqi, dhe asaj sovjetike në Shqipëri, Jugosllavi e Bullgari, po bëhet gjithnjë e më e qartë se forcat britanike në Greqi do të mbeten deri pranverën që vjen ndoshta edhe më gjatë. Plani fillestar besohet se ishte ruajtja e njësive britanike deri në pranverë kur do të krijoheshin tre divizionet e ushtrisë greke. Nëse paqartësia në Ballkan vazhdon forcat britanike jo vetëm që nuk do të reduktohen por mund të shtohen. Forcat britanike në Greqi janë në masë po ato që erdhën në 1941 për të luftuar kundër gjermanëve. Por tashmë në veri të Greqisë po akumulohen forcat komuniste dhe megjithëse gradualisht armiqtë e rendit po eliminohen (40 guerilas të gjeneral Ares janë ekzekutuar) , trazirat duket se po ziejnë. Emri i vërtetë i gjeneral Ares është Athanasios Klaras, drejtues i Frontit Kombëtar Çlirimtar. Është raportuar gjithashtu për lëvizje të trupave jugosllave drejt jugut, si dhe ushtria që po krijon Shqipëria e Enver Hoxhës. Ka zhurma të pakonfirmuara që Marshall Tito po dërgon trupa nga Shqipëria drejt kufirit grek të Epirit. Zhurmat me shumë gjasa nuk janë të vërteta por funksionojnë për rritjen e pasigurisë. Asnjë nga observuesit e situatës nuk beson se do të shpërthejë konflikti, por situata e krijuar është një tentativë e organizuar për të ulur moralin e Greqisë me anë të luftës psikologjike, në kohën e negociatave ruso-turke për të ardhmen e Dardaneleve dhe zonave Ardahan dhe Kar në Trans-Kaukazin turk. Sigurisht që forcat britanike në Greqi janë të pamjaftueshme për të përballuar një ofensivë të mundshme nga Bullgaria apo jugosllavët, por Britania është e përkushtuar këtu dhe disa njësi ushtarake në vend ia vlejnë sa për të parandaluar telashe ndërkombëtare. Që prej arritjes së marrëveshjes Chërchill-Molotov ku Rumania u vendos në sferën sovjetike dhe Greqia në atë Perëndimore, kjo zonë e palumtur presioni politik ka nisur të marrë formë. Qeveria britanike e kupton plotësisht masën e detyrës së saj këtu, pasi Greqia është çelës në kontrollin e Mesdheut Lindor dhe zonave të Suezit. SHBA duhet të jenë më të ndërgjegjshme për interesat e tyre pasi në zonën e Mesdheut Lindor ka rezerva strategjike karburantesh dhe janë investuar mbi 100 milion 2 dollarë.
6 tetor 1945
Përplasjet me Greqinë
Kryeministri shqiptar Enver Hoxha deklaroi sot se grekët që përpiqen të kthejnë në Shqipërinë jugore “kanë kryer çdo provokim të mundshëm duke përfshirë dhe masakra ndaj grupeve shqiptare në Greqi”. Ai akuzonte se qeveria greke po bënte agjitacion për transferimin. Në intervistën e tij të parë për gazetarin amerikan që prej çlirimit të Shqipërisë në 1944, Hoxha tha: “provokimet greke në kufirin jugor shqiptar janë më të rënda sesa ato të fashistëve italianë. Nëse Shqipëria sulmohet, ajo do të luftojë deri në njeriun e fundit për të larguar pushtuesit. Hoxha shtoi se 20 000 refugjatë shqiptarë ishin larguar drejt Shqipërisë me forcë muajt e fundit nga zonat veriore të Greqisë.
28 janar 1947
Hysni Kapo vjen nga Beogradi për t’iu përgjigjur britanikëve
Qeveria shqiptare ka njoftuar sot Kombet e Bashkuara se ka emëruar Hysni Kapon, ambasadorin në Beograd, për t’iu përgjigjur akuzave për incidentin me luftanijet britanike në kanalin e Korfuzit tetorin e shkuar. Telegrami i dërguar të premten e shkuar nga Enver Hoxha, kryeministri i Shqipërisë, thoshte se Kapo do të niset së shpejti por “për arsye të vështirësisë së komunikimeve” ishte e pamundur të caktohej data e mbërritjes së tij në Nju Jork. Ai i kërkonte Këshillit të Sigurimit të shtynte diskutimin e kuajve britanike deri në mbërritjen e përfaqësuesit shqiptar. Teksa çështja shqiptare është e vetmja në axhendën e nesërme të Këshillit të Sigurimit burimet britanike tregojnë se do të shtyjnë që Këshilli të vendosë të premten si afat të fundit për diskutimin e saj, nëse përfaqësuesi shqiptar ka mbërritur apo jo për të marrë pjesë. Një javë duhet të jetë më se e mjaftueshme që zoti Kapo të mbërrijë me rrugë ajrore nga Parisi. Por supozohet se përfaqësuesi sovjetik Andrei Gromiko do të vazhdojë insistimin e tij që Këshilli të presë deri në prezencën e përfaqësuesve të të dy palëve të debatit, dhe të mos vendosë afate. Britania e Madhe e bazonin kauzën e saj ndaj Shqipërinë në faktet se qeveria e Tiranës ka refuzuar të negociojë një zgjidhje. Shqipëria ka mohuar se ka vendosur mina në ujërat e saj territoriale dhe në kanalin e Korfuzit, për të cilin Britania thotë se është kalim ujor ndërkombëtar dhe duhet ruajtur i sigurtë edhe pse kalon pranë brigjeve shqiptare. Sinjalizohet se përfaqësuesi britanik Alexander Cadogan do t’i kërkojë Këshillit të bëjë një deklaratë mbi përgjegjësinë e Shqipërisë për incidentin, duke lënë për t’u zgjidhur më vonë negociatat për çështjen e dëmshpërblimit mes dy qeverive. Telegrami i kryeministrit Hoxha pranonte kërkesën e Këshillit që Shqipëria të marrë pjesë në diskutime me të drejta të plota sikur të ishte një vend anëtar i OKB. Ky zotim e detyron Shqipërinë të respektojë vendimin që do të marrë Këshilli i Sigurimit. Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësi në OKB është ndaluar nga veto e Britanisë dhe SHBA vjeshtën e shkuar.
29 janar 1947
Shqipëria mungon në diskutim, shtyhet seanca
Debati në Asemblenë e Kombeve të Bashkuara mbi akuzat britanike kundër Shqipërisë për vendosje ilegale të minave detare që i kushtuan jetën 44 marinarëve britanikë, është shtyrë sot deri në mbërritjen e përfaqësuesit shqiptar. Me miratimin e palës britanike Këshilli vendosi që të mos hapë seancën pa prezencën e përfaqësuesit shqiptar në tryezë. Këshilli do të mblidhet përsëri në datën e caktuar nga kryetari Norman Makin i Australisë. Ndërkohë një telegram është dërguar nga Tirana ku jepet data e përafërt e mbërritjes së përfaqësuesit të tyre. Çështja e komplikuar e situatës në Ballkan doli përsëri në sipërfaqe në OKB kur përfaqësuesi jugosllav në një komunikatë për Asamblenë e Përgjithshme protestoi ndaj Greqisë që sipas tyre kishte refuzuar dy herë vizat për zyrtarë të Beogradit që ishin anëtarë të komisionit ndërkombëtar të hetimit të situatës atje.
Roli i Greqisë
Disa orë pas marrjes së ankesës së Jugosllavisë, zv-sekretari i përgjithshëm Arkadi Sobolev i dërgoi një telegram qeverisë greke ku kërkonte marrjen e masave të nevojshme për të lejuar hyrjen e përfaqësuesve jugosllavë. Takimi i parë i komisionit është programuar për në 30 janar në Athinë. Sekretariati dhe një numër delegacionesh po lundrojnë me anijen franceze “George Leygeues”, e cila pritet të arrijë nesër në Athinë. Para se Këshilli të mblidhej sot, ishte informuar nga kryeministri i Shqipërisë Enver Hoxha se përfaqësuesi i tij Hysni Kapo kishte pasur vështirësi komunikimi që e kishin penguar të arrinte në kohë në SHBA, prandaj shumica e debatit të sotëm ishte debati nëse shqiptarët duhet të nxiteshin më tej. Delegati britanik Alexander Cadogan bëri të qartë se besonte se shqiptarët duhet të kishin qenë më të shpejtë për të qenë prezentë. “Është e vërtetë se ftesa zyrtare për Shqipërinë nuk u telegrafua deri më 20 janar, por ata kishin pasur paralajmërime të mjaftueshme prandaj duhet të kishin marrë masa paraprake që më tej të zbatoheshin me shpejtësi”, tha ai.
Rusia mbron Shqipërinë
Përfaqësuesi britanik sugjeroi që Këshilli i Sigurimit të dërgonte një telegram për Shqipërinë se kishin pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion, por përfaqësuesi rus Andrei Gromiko tha se nuk e pranonte idenë, pasi sipas tij ishte krejt e panevojshme dhe se Tirana i kishte marrë të gjitha masat e mundshme me emërimin e Kapos si përfaqësues. Sugjerimi i Makin se shqiptarët duhet të caktonin një datë për prezencën e tyre gjithashtu u kundërshtua nga Gromiko. Akuzat britanike sillen rreth incidentit të shkeljes së ligjeve ndërkombëtare nga Shqipëria për minimin e kanalit të Korfuzit, për të cilat pritet që Kombet e Bashkuara të lëshojnë një deklaratë mbi fajin e Shqipërisë dhe nisjen e negociatave të dëmshpërblimit.