Artistët shprehen se sot ndihen të pavlerësuar nga institucionet dhe sipas tyre trajtimi nuk është ai që duhet. Në reagimet e tyre ata pohojnë se Ministria e Kulturës duhet të nisë punën, që të plotësojë sa më parë kërkesat e artistëve. Julian Kazazi artist i Cirkut Kombëtar njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës shprehet se gjatë sezoneve artistike përballen me probleme nga më të ndryshmet, por sipas tij përgjegjësia shkon edhe te Ministria e Kulturës. Në intervistën për “SOT” artisti Julian Kazazi flet për punën që bëjnë sot artistët, por sipas tij kushtet lënë për të dëshiruar në institucione. Për cirkun sipas artistit mungon çdo gjë, mungojnë mjetet e sigurisë, që është më minimalja dhe më e domosdoshme, mungojnë aparatura profesionale, etj. Artisti Julian Kazazi shprehet se në Shqipëri ka shumë probleme dhe dita- ditës arti tek ne po degradon e po sponsorizohen aktivitete pa nivel.
-Jeni shprehur më parë se jeni i vetmi Cirk Kombëtar në Ballkan. Sipas jush sa janë vlerësuar artistët, cirku si trupë artistike nga shteti?
Me të vërtetë, që jemi i vetmi Cirk Kombëtar në gjithë Ballkanin, shteti jonë e ka një pasuri të tillë se të kesh një trup cirku profesioniste kërkon më shumë se 50 vite për ta krijuar, vazhduar e trashëguar tek brezat e ri këtë art kaq të bukur, por dhe të rrezikshëm. Është një institucion, i cili me vështirësi është quajtur kombëtar nga shteti jonë dhe po me vështirësi po e mbajmë këtë titull. Artistët e Cirkut Kombëtar në asnjë moment nuk e kanë ndier veten të vlerësuar nga shteti jonë, përkundrazi jemi përballuar me të për të ruajtur këtë institucion 60-vjeçar, e cila ka 6 vite që po tentohet të tjetërsohet dhe të përdoret për interesat e disa njerëzve të pushtetshëm, të cilët duan ta kthejnë këtë institucion kombëtar në një cirk rruge.
-Çfarë ka munguar për artistët e cirkut, ju çfarë do donit më shumë për aktivitetin artistik?
Faktikisht mungon çdo gjë, që kanë të bëjnë më artin e cirkut, mungojnë mjetet e sigurisë, që është më minimalja dhe më e domosdoshme, mungojnë aparatura profesionale, ku të cilat inprovizohen nga artistët e cirkut njësoj sikur të ishim një grup artistësh rruge e jo trupë artistësh kombëtar të një shteti. Mungojnë investimet, që të vish të futesh në ambientet e cirkut do të duket vetja sikur je në ndonjë kapanon apo ndonjë konvikt të viteve ‘97, banjo pa dyer, mure të krisura e me lagështirë, e cila është vetëm sëmundje për ne që gjysmën e ditës e kalojmë aty në atë institucion e shumë gjëra të tjera, që nuk kanë të mbaruar nevojat për artistët e cirkut tonë, të cilët nuk ankohen se këtë art e duan me jetën e tyre dhe se dashuria për të bërë art për spektatorët i ka verbuar ato që të shikojnë se në çfarë kushtesh mizerabël punojnë. Kushtet e punës janë një turp i madh për drejtuesit e këtij institucioni dhe Ministrisë së Kulturës, të cilët këto të fundit e kanë lënë me qëllim degradimin e këtij institucioni për të përmbushur ato qëllime, që kanë prej 6 vitesh shkatërrimin e këtij institucioni.
-Vazhdon mosha e pensionit të kërkohet rregullimi me ligj, por ende asgjë megjithëse është pohuar ngritja një grupi pune nga ministria. Ju çfarë kërkoni?
Siç e dini disa gjini arti si: valltarët, artistët e cirkut, instumentistët frymorë, etj, duhet të klasifikohen si artistë me profesion të vështirë dhe dalja në pension për këto gjini arti të bëhet 50 për gratë dhe 55 vjeç për burrat. Është një kërkesë prej më shumë se 6 vitesh, që është kërkuar nga SPASH (Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë ) dhe është më minimalja, që mund të bëjë shteti jonë kur këtë ligj e ka të gatshëm, duhet vetëm dëshira e mirë dhe pak vëmendje për artistët e vendit tonë dhe kjo kërkesë të plotësohet. Në takimin e fundit, që ka pasur SPASH-i me ministren Margariti, ku është kërkuar ulja e moshës së pensionit për disa gjini arti siç i përmenda edhe me lart, znj. Margariti ka urdhëruar ngritjen e një komisioni me punonjësit e Ministrisë së Kulturës, ku do bashkëpunonin me SPASH-në për disa nga kërkesat tona, ku njëra nga to ishte edhe ulja e moshës së pensionit për artistët. Por që nga ai takim e deri sot, që kanë kaluar pothuajse 5 muaj nuk është bërë më asnjë takim tjetër apo të jemi informuar, që ky komision që “u ngrit ” të ketë filluar punën për këtë kërkesë të artistëve. Ne kërkojmë që sa më parë që Ministria e Kulturës duhet të nisi nga puna për të plotësuar këto kërkesa të artistëve ose në të kundërt ajo e di shumë mirë, që artistët nuk flenë gjumë dhe nuk mbahen më me petulla të ngrohta, por duhet konkretisht që të fillojë e të punojë për ta.
-Ju jeni dhe kryetar i sindikatës së artistëve të Tiranës. Gjatë sezonit, që kaloi sipas jush cilat ishin disa nga problemet që u përball komuniteti artistik?
Si kryetar i sapo zgjedhur nga komuniteti i artistëve në Shqipëri ka shumë probleme, po shikojmë që dita ditës arti këtu tek ne po degradon e po sponsorizohen aktivitete pa pikë niveli artistik, por ama janë aktivitete fasadë, të cilat përmbushin misionin për tu quajtur aktivitet i bërë dhe për tu futur disa miliona lekë nëpër xhepat e drejtuesve komisioneve të vlerësimit apo dhe tenderave, të cilat jepen po ashtu aty ku kanë interes drejtuesit. Siç e dimë të gjithë që ka më shumë se 1 vit e gjysmë, që disa artistë dalin e protestojnë për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar, një protestë e drejtë, një protestë me vlera qytetarie, të cilët po ashtu po mbrojnë edhe pronën publike, që i takon të gjithëve qytetarëve të Tiranës. Pronë të cilën bashkia e qeveria kërkon t’ia fali privatit në këmbim të një Teatri Kombëtar të ri me një skemë, që në shumë vende të Europës ku është aplikuar ka pasur probleme serioze, sepse është një skemë e cila është ashtuquajtur PPP, një skemë korruptive e cila nuk lë gjurmë nëpër letra dhe se e ka më të lehtë për të korruptuar drejtuesit e bashkive apo qeverive. SPASH ka folur disa herë për çështjen e Teatrit Kombëtar, që ai duhet të rikonstruktohet e jo të shembet e të bëhet një godinë tallavaje siç na e paraqesin pushtetarët tanë. Artistët gjithmonë do kenë probleme për sa kohë, që qeveria nuk ka vëmendje për ta, për ti vlerësuar e ti respektuar ashtu siç e meritojnë.
-Sipas jush, po buxhetet e pakta për jetën artistike në institucione si ndikojnë. Çfarë kërkoni nga Ministria e Kulturës?
Buxhetet e pakta, që Ministria e Kulturës jep për jetën artistike janë më shumë qesharake. Arti këtu tek ne po mbahet nga artistë dashamirës, të cilët e duan atë se të ishte për shtetin tonë institucionet e artit tek ne do merrnin fund shumë shpejt. Rroga të ulëta e çmime të larta, artistët mundohen të bëjnë nga dy punë për të plotësuar e përmbushur nevojat e tyre ekonomike, punë të cilat nuk janë dhe aq të hijshme për artistët tanë. Këto vështirësi të artistëve ndikojnë negativisht në të bërit art, për arsye se artisti nuk është i qetë dhe nuk i përkushtohet aq shumë sa do dëshironte.
-Sa janë transparente institucionet apo dhe ministria me vendimmarrjet e tyre, apo dhe projektet e pavarura, që ministria ndan çdo vit buxhete?
Titullarët e institucioneve as nuk e marrin mundimin të zbatojnë kontratat kolektive, të cilat shprehen qartë në nenin 3 pika 2 të kësaj kontrate, ku drejtuesit e çdo institucioni duhet që dy herë në vit të informojnë kryesitë e sindikatave të institucioneve në lidhje me buxhetin dhe si përdoren këto fonde nga ata. Siç e përmenda edhe më lart, që fondet shpërndahen për të bërë qoka dhe se mjaftojnë të shpërndajnë ato fonde dhe nuk merren më me inspektime se çfarë solli ky projekt ! A duhet financuar më ky artist, shoqatë apo ojf ?! A duhen shpërndarë më tepër fonde për artistë të brendshëm apo të jashtëm! A duhen financuar trajnime, seminare, specializime për shumë gjini arti, etj. Me pak fjalë jetojmë në një kohë, ku çdo gjë është rrumpallë, jetojmë në një kohë ku kriminaliteti po shtohet përditë, jeta po bëhet e pasigurt për qytetarët e këtij vendi e padiskutim edhe për ne artistët që duam të jetojmë këtu.
-Si artist apo dhe kryetar i sindikatës ju keni qenë një nga zërat, që keni kundërshtuar ato që ju i keni quajtur padrejtësi ndaj komunitetit artistik. Sa është dëgjuar zëri i artistëve nga Ministria e Kulturës?
Që në fillimet e mia prej shumë vitesh kam denoncuar padrejtësi kundrejt artistëve, drejtor institucionesh të korruptuar, ku në mbështetjen e Ministrisë së Kulturës bënin presione tek punonjësit e tyre për ti shfrytëzuar, përbuzur, apo dhe për ti nxjerrë nëpër aktivitete të ndryshme e për të përfituar titullarët para nga djersa e artistëve, të cilët i quanin thjesht punonjës dhe se pagueshin për të zbatuar çdo urdhër të drejtorëve me të drejtë e pa te drejtë. Kam folur e kam ngritur zërin pa u trembur nga askush, pa u trembur sepse unë e di shumë mirë e po ashtu edhe artistë të tjerë e dinë, që kur ne ngremë zërin ka shkuar aty ku nuk mban më, por ndryshe nga disa artistë, të cilët tremben se mos ndoshta titullarët mund ti penalizojnë, unë dhe disa artistë të tjerë kemi guxuar dhe kemi qenë zëri i shumë artistëve, të cilët na mbështesin dhe na falenderojnë për atë çka bëjmë për ta. Por kam një apel për shumë artistët, të cilët duan të flasin për padrejtësi, problemet në art e kulturë, për problemet në institucionet e tyre, ju duhet të ngrini zërin për të mirën tonë të përbashkët, duhet të denonconi për të mbajtur përgjegjësi ato titullarë që abuzojnë me karrigen e tyre në kurrizin tuaj. Duhet të flasim, që të gjithë bashkë të marrim atë që kërkojmë, që në fund të fundit kërkojmë shumë pak çka meritojmë.
-Sindikata kohë më parë ka hedhur poshtë dhe projektligjin e artit. Ju çfarë kërkoni dhe a jeni në dijeni çfarë është bërë më tej nga ministria me projektligjin?
Kemi hedhur poshtë një projektligj, i cili thjesht kërkonte që të gjitha ato padrejtësi që bëjnë titullarët ti miratonte me ligj, kërkonin që të arrinin objektivin që kishin që Cirkun Kombëtar ta kalonin në varësi të Bashkisë së Tiranës dhe kjo e fundit ta shfrytëzonte si të kishte dëshirë nëpër shfaqje rruge, e shumë e shumë gjëra të tjera, por ky ligj ra poshtë falë vendosmërisë tonë dhe të shumë artistëve të cilët për herë të para janë mbledhur bashkë nga të gjitha fushat e artit e kulturës. Ne aktualisht kërkojmë: 1- Një ligj të ri për artin e kulturën për sa kohë që ligji aktual ka shfaqur shumë problematika në këtë kohë. 2 – Statusin e artistit, si i vetmi instrument që do rregulloj jetën artistike, do i kthej dinjitetin artistit. 3 – Rritjen e pagave për punonjësit e artit e kulturës, ku janë të vetmit që nuk janë prekur nga rritja e pagave si disa institucione të tjera. Kjo e shumë kërkesa të tjera, që kemi parashtruar pranë institucionit përgjegjës që është Ministria e Kulturës.
-Me gjithë problemet, që pohojnë artistët si e shikoni situatën në art dhe kulturë?
Me pak fjalë për ta mbyllur këtë intervistë dua ti bëj një apel qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës, kthejeni kokën nga artistët shqiptar, vlerësojini ata, kthejani dinjitetin dhe respektojini siç e meritojnë, çdo shtet tjetër i vlerëson dhe përkujdeset për artistët e tyre. Artistët janë pasuria më e madhe e kombit. Dhe dua ti kthej në vëmendje pushtetarëve tanë një thënie patriotike të Sheh Ahmet Pazarit ku thotë: “Duajeni tjetrin, si doni veten tuaj. Duajeni Shqipërinë, si doni familjen tuaj. Me dashtë të mirën e tjetrit dhe të vendit tënd, është kryet e filozofisë”.
Intervistoi: Julia Vrapi