Të dhënat e SHBA, ja si rreth 3 mijë rusë morën në kontroll qeverinë e Tiranës, Hoxha ekzekutoi mijëra persona deri në 1950

0
396

Amerikanët kanë treguar se si Rusia mori në dorë qeverinë shqiptare gjatë regjimit komunist. Sipas disa shkrimeve të “New York Times”, mbi 3 mijë zyrtarë dhe ushtarakë erdhën nga BRSS në Tiranë dhe kontrollonin qeverinë e Hoxhës. Po ashtu jepen detaje për ekzekutimin e mijëra personave.

13 prill 1950

Spastrimet në Shqipëri

Kreu komunist i Shqipërisë Enver Hoxha ka akuzuar ish-ministrin e tij të Industrisë dhe disa të tjerë si trotskistë dhe anti-parti, sipas raportimeve të agjencisë ruse Tass, që tregon se në vendin e vogël satelit ka nisur apo është kryer një tjetër spastrim elementësh. Gjenerali Hoxha citohej të kishte thënë në konferencën e Partisë Komuniste se Shqipëria nuk arriti të plotësonte objektivat e planit ekonomik për 1949 “prej politikave shkatërrimtare të ish-ministrit të Industrisë Abedin Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij”. Shehu u emërua në ministri vetëm nëntorin e shkuar ndërsa lajmet jugosllave raportonin një muaj më parë se ai do të shkarkohet. Sipas Tass, Hoxha tha se “kam analizuar punën e grupit trotskist e anti-parti të Abedin Shehut, Niazi Islamit dhe miqve të tyre” dhe kërkoi rritje të vigjilencës. Islami ka qenë asistenti i Shehut. Në rrethet e emigrantëve shqiptarë në Itali thuhet se Shehu është ekzekutuar tashmë.

8 korrik 1950

Qeveri e re në Shqipëri

Gjenerali Enver Hoxha ka formuar një qeveri të re, duke qëndruar vetë si kryeministër, raportonte dje Agjencia Telegrafike e Lajmeve. Gjenerali komunist është gjithashtu ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes. Hoxha njoftoi për qeverinë e re të mërkurën, ndërsa kabineti i vjetër dha dorëheqjen pas ndryshimit të kushtetutës nga Parlamenti. Lajmi thoshte se ndryshimet u bënë në disa ministri si dhe në klauzolën kushtetuese që thotë “Shqipëria është një Republikë Popullore”, e cila u ndryshua në “Republika Popullore e Shqipërisë është një shtet i punëtorëve dhe fshatarëve”.

19 nëntor 1950

3000 zyrtarë sovjetikë kontrollojnë Shqipërinë 

Shqipëria është sot ndoshta vendi më i paarritshëm në Evropë, pasi lejon më pak lëvizje të të huajve sesa në vetë Bashkimin Sovjetik. Përfaqësuesit e paktë perëndimorë atje janë të kufizuar në kryeqytetin Tirana. Përveç përfaqësuesve të rastit nga Fondi i Emergjencave të OKB, asnjë udhëtar perëndimor nuk është lejuar të hyjë në Shqipëri pas përjashtimit të Jugosllavisë nga blloku komunist në qershor 1948. Në vend ka rreth 3000 zyrtarë sovjetikë ushtarakë dhe civilë që kanë kontrollin e plotë të vendit. Rusët kanë sjellë me vete masat e tyre të sigurisë duke ndaluar hyrjen e personave të zakonshëm në porte dhe instilacione të tjera të rëndësishme. Është e vështirë të llogariten objektivat sovjetike në Shqipëri por është gjithashtu e vështirë të besosh se BRSS do të mund të transformonte vendin e varfëruar në një pikë të rëndësishme ushtarake kundër Jugosllavisë apo Greqisë, për arsyen e thjeshtë se popullsia e Shqipërisë prej më pak se 1.2 milionë është shumë e vogël për këtë qëllim. Por gjithsesi ajo mund të shërbejë si një pikë e rëndësishme intrigash ndërkombëtare dhe veprimesh subversive ndaj Greqisë e Jugosllavisë. Një pjesë e madhe e forcave të mundura rebele greke, janë kthyer në Shqipëri dhe më vonë u transferuan në Bullgari, prandaj ka shumë arsye të besohet se Kominform do të nxisë një tjetër luftë civile në Greqi, kur të jetë gati.

Standarde të ulëta jetese

Rusët kanë arritur ta organizojnë ekonominë e Shqipërisë për nevojat e tyre, dhe duke bërë këtë kanë ulur nivelin e jetesës për shqiptarët në më të ulëtin në Evropë. Sipas burimeve të besueshme në vend ka shumë pak ushqim dhe akoma më pak mallra konsumi. Ndërsa misioni sovjetik ka furnizim të veçantë nga dyqane të posaçme me mallra nga Evropa Perëndimore. Diferenca mes standardeve të jetesës së misionit sovjetik dhe asaj të popullatës vendase është aq e madhe sa mes kolonizatorëve të Afrikës dhe popullatave lokale pesëdhjetë vjet më parë, përveç faktit se afrikanët kishin mundësi të hanin. Çfarëdo mbetje të grupeve disidente në Shqipëri sot janë të heshtur në zonat malore të veriut. Edhe krerët fisnorë më luftëtarë janë gjunjëzuar ndaj regjimit komunist, i cili dënon çdo akt rezistence me ashpërsinë më të madhe, si me varje apo ekzekutim. Nuk ka shumë shpresë që Shqipëria të mund të sfidojë udhëheqësit e saj pa asistencë të jashtme, të cilët sigurojnë vazhdimësinë e tyre me teknika shtypjeje.

8 janar 1951

Emigrantët raportojnë për rritje të opozicionit në Shqipëri

Gazeta ‘Albanie Libre’ e cila publikon në frëngjisht nga refugjatë shqiptarë në Itali, raportonte sot për një rritje të konsiderueshme të rezistencës ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ajo shton se kjo rezistencë është shoqëruar nga reagimi i regjimit i cili ka shtuar numrin e kampeve të përqendrimit dhe u ka lënë dorë të lirë oficerëve sovjetikë për të forcuar kapjen e tyre ndaj ushtrisë së Shqipërisë. Albanie Libre thotë se gjashtë muaj më parë kishte disa qendra rezistence në jug të vendit, por tashmë gjërat kanë ndryshuar shumë dhe tashmë numri i të revoltuarve ndaj regjimit është shtuar dukshëm, duke përfshirë dhe oficerë e zyrtarë që kanë braktisur regjimin e Hoxhës. Kjo ishte veçanërisht e dukshme pas “spastrimit” të fundit ku u eliminuan nga ushtria të gjithë elementët që kishin punuar në bashkëpunim me regjimin e Titos në Jugosllavi. Ndërkohë kampet e përqendrimit ishin shumëfishuar kohët e fundit, sipas gazetës, e cila shton se ushtria e Shqipërisë është nën drejtimin e drejtpërdrejtë të oficerëve rusë. Çdo njësi ushtarake e divizioneve ka një oficer rus përkrah komandantit shqiptar, dhe është i pari që në fakt merr të gjitha vendimet.

30 mars 1951

Beogradi citon konfrontime të reja në Ballkan 

Burimet jugosllave raportojnë për ashpërsim të konfliktit me satelitët sovjetike rajonale si Rumania, Bullgaria e Shqipëria. Në një analizë të shtypit rumun përmendej fakti se Jugosllavia nuk kishte përmendur asnjëherë kryeministrin Petru Groza në tre muajt e fundit. Ndërsa shtypi jugosllav nuk e mban të fshehtë faktin se heqja e një figure publike komuniste nga vëmendja është domethënëse.

Situata në Shqipëri

Kryetari i komisionit të jashtëm të parlamentit jugosllav Vladimir Dedijer raportoi sot se situata që po zhvillohet në Shqipëri mund të kthehet në një justifikim për ndërhyrje të sovjetikëve në Ballkan. Spastrimet individuale të udhëheqësve komunistë tashmë i kanë hapur rrugë spastrimeve kolektive në shumë organizata të partisë. Dedijer shkruan se spastrimet janë shoqëruar me një intensifikim të fushatës së terrorit në të gjithë vendin dhe se dobësimi i pozitës së diktaturës së Hoxhës në Tiranë po shfrytëzohet nga grupet shqiptare në emigracion me seli në Itali dhe nga disa elementë të tjerë me bazë në Greqi. Ndërhyrja aktive e këtyre grupeve në konfliktin e brendshëm të Shqipërisë e pajis qeverinë sovjetike me një justifikim për ndërhyrje të armatosur në Ballkan, shton ai. Dedijet thotë se grupi i emigracionit në Itali, i drejtuar nga Xhafer Deva dhe Ismail Verlaci po lëshon njerëz të armatosur me parashutë dhe luftimet e tyre vazhdojnë aktualisht. Grupet shqiptare të emigracionit, sipas Dedijer, po përdorin avionë për të lëshuar fletushka propagande ku i bëhet thirrje popullit të revoltohet. Sipas tij në shkurt avionët që vinin nga Italia lëshuan fletushka në të gjithë qytetet e Shqipërisë për shtatë ditë, sipas Dedijer. Jugosllavët shkruajnë se sovjetikët mirëpritën ndërhyrjen e grupeve shqiptare të emigracionit pasi kjo ishte një justifikim i gatshëm për ndërhyrjen e tyre “në mbrojtje të vendit të vogël socialist” dhe në fakt aktivitetet e grupeve shqiptare të emigracionit mund të përdoren nga Jugosllavia për të sulmuar Jugosllavinë. Dedijet theksoi se agjencitë ruse të propagandës po akuzojnë Jugosllavinë për plane agresive kundër Shqipërisë, duke krijuar kështu një çështje konflikti kundër qeverisë së Beogradit. Sipas tij aktiviteti i grupeve shqiptare të emigracionit po vinin në rrezik Jugosllavinë.

1 prill 1951

Jugosllavia raporton qetësi në kufijtë me satelitët

Burimet jugosllave raportonin sot se vendet satelite të Ballkanit kanë pushuar provokimet e tyre kufitare që prej nisjes së takimit të 4 fuqive të mëdha në Paris. Ata pretendojnë se trupat kufitare dhe agjentët e inteligjencës nga vendet fqinje kanë provokuar deri tani rreth 2000 incidente kufitare që prej prishjes sovjeto-jugosllave në 28 qershor 1948, deri në kapjen e konferencës së Parisit. Rënia e papritur e aktivitetit përgjatë kufijve të Jugosllavisë me Hungarinë, Bullgarinë, Rumaninë e Shqipërinë besohet se është një lëvizje e përkohshme e diktuar nga sovjetikët me qëllime taktike, për të justifikuar argumentet e delegacionit sovjetik në Konferencën e Parisit. Përfaqësuesit perëndimorë janë ankuar për armatosjen e paligjshme të vendeve satelite ballkanike dhe po nxisin që kjo pikë të përfshihet në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm. Armatosja ilegale e satelitëve të Ballkanit, provokimet kufitare dhe aktiviteti subversiv në Jugosllavi përbëjnë argumentet kryesore të ankesës së Beogradit kundër qeverisë Sovjetike dhe atyre të vendeve satelite. Jugosllavët thonë se është e qartë se ndalesa e përkohshme e këtij aktiviteti bëhet për të forcuar pozitën e Andrei Gromuiko në Konferencën e Parisit. Në radhë të parë qeveria sovjetike dhe satelitët e saj, e dinë se Jugosllavia do t’i japë publicitet të plotë incidenteve kufitare në këtë kohë dhe se kjo do të forconte pozitën e delegacioneve perëndimore në kërkesën e tyre për çarmatosjen e vendeve satelite. Së dyti, nëse incidentet kufitare ndalohen përkohësisht delegatët sovjetikë mund të argumentojnë në Paris se akuzat e qeverisë jugosllave janë të pabaza. Nëse qeveria sovjetike arrin të ngrejë dyshime mbi rreth 2000 incidente kufitare të raportuara nga jugosllavët, atëherë mund të shpresojë të hedhë poshtë dhe akuzat perëndimore se vendet ballkanike po armatosen ilegalisht, pasi dhe qëndrimi i vendeve perëndimore për çështjen bazohet në raportimet e jugosllavëve. Jugosllavët besojnë gjithashtu se ka lidhje mes qetësisë në kufijtë jugosllavë dhe ngjarjeve të fundit në Shqipëri. Ata e konsiderojnë parashutimin e njerëzve të armatosur në Shqipëri dhe lëshimin e fletushkave të propagandës nga grupet e emigracionit në Itali, si një lëvizje të qeverisë sovjetike për të zhvendosur vëmendjen nga sulmet ndaj Jugosllavisë, pasi jugosllavët janë të bindur se prapa aktiviteteve të emigrantëve shqiptarë fshihet inteligjenca sovjetike. Ata tremben se inteligjenca sovjetike ka vendosur të provokojë trazira në Shqipëri për t’i hedhur fajin Jugosllavisë në mënyrë që të ketë një justifikim për ndërhyrje të armatosur në Ballkan.

5000 të burgosur ekzekutohen

Informatorë nga Italia të lidhur me Lëvizjen Shqipëria e Lirë thanë sot se rreth 5000 persona janë ekzekutuar deri tani për arsye politike nga pushteti i Enver Hoxhës, dhe shton se 10 000 të tjerë janë të burgosur. Për arsye të fletushkave anti-Hoxha dhe municioneve për luftëtarët guerilë të lëshuar nga avionët, ka pasur një rritje të konsiderueshëm kohët e fundit të numrit të të burgosurve, thonë informatorët. Ja si e përshkruajnë ata aktivitetin kundër regjimit komunist: Lëshimet e fletushkave dhe municioneve nisi rreth një vit më parë dhe janë intensifikuar kohët e fundit. Në disa raste policia shqiptare ka arrestuar të gjithë personat në zonën ku janë lëshuar fletushkat. Kur fillimisht afroheshin avionët shqiptarët anti-komunistë besonin se ishte një sinjal se po vinte çlirimi. Ndërsa tani ata tremben se fletushkat nuk do i sjellin lirinë por burgun nga autoritetet komuniste. Rrethet shqiptare raportojnë se kryeministri Enver Hoxha mund të zëvendësohet nga ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, i cili konsiderohet më i besueshëm nga rusët. Gazeta e partisë kristian-demorkate të Romës ‘Il Popolo’ shkruante sot se forcat e sigurisë në Shqipëri ishin shtuar kohët e fundit nga 3000 në rreth 5000 njerëz`.

Uashingtoni skeptik

Zyrtarët amerikanë thanë sot se nuk dyshojnë që në Shqipëri ka trazira të brendshme të cilat po shtypen me ashpërsi nga qeveria komuniste pro sovjetike e vendit. Por ka gjithashtu një mendësi skeptike për drejt çdo sugjerimi që këto trazira të arrijnë së shpejti përmasat e një revolucioni anti-komunist.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here