Qeveria nuk është tërhequr nga paketa antishpifje, edhe pse OSBE i doli kundër. Në Parlament kanë shkuar dy projektligje, për të bërë ndryshime në ligjin për mediat audiovizive dhe në atë për komunikimet elektronike. Në këto ligje, u jepen kompetenca Autoriteti të Medias Audiovizive dhe AKEP që të ndërmarrin masa administrative deri në gjoba dhe bllokime të faqeve për portale që bëjnë shpifje apo lajme të pavërteta. Në ligjin për mediat audiovizive, janë futur edhe sanksionet që do të bëhen për mediat online. Një këshilli ngritur nga AMA ka të drejtë të vendosë gjoba nga 1 milionë lekë e deri në mbyllje të portalit. Ligji parashikon që personat mund të ankohen për lajmin e publikuar në median online. Kjo ankesë e tij shqyrtohet nga Këshilli i Ankesave pranë AMA-s dhe nëse nuk bëhet sqarimi i informacionit të publikuar në bazë kërkesës së ankuesit, merren masat administrative. Këto masa shkojnë nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë. Krahas kësaj, gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik (OPSHE). Masa tjetër që parashikohet në këtë ligj është edhe pezullimi i aktivitetit të medias online. Nëse një media publikon informacion të pavërtetë deri në tri herë brenda vitit kalendarik, i pezullohet aktiviteti për 24 orë. Sipas ndryshimeve në ligj, nëse një media publikon më shumë se katër herë informacion të rremë për 1 vit kalendarik, ai pezullohet për 1 javë. Nëse këto shkelje përsëriten më shumë se 5 herë, atëherë aktiviteti i medias online pezullohet për 1 vit. “Në rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, sipas neneve 33/1, 51/1 dhe 53/1, të këtij ligji, Këshilli i Ankesave vendos:
a) detyrimin e ofruesit të shërbimit të medias për të: publikuar formulën e ndjesës sipas formës dhe përmbajtjes të përcaktuar nga AMA; hequr përmbajtjen e cila shkel të drejtat; vendosur nëpërmjet AKEP-it një njoftim të karakterizuar teknikisht si “pop up”; b) gjobë, shuma e të cilës përcaktohet në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të tij; Këshilli i Ankesave vendos sanksione të parashikuara në këtë ligj jo më vonë se një vit nga data e kryerjes së shkeljes”, thuhet në draft.
Rruga që ndiqet
Në ligj është përcaktuar dhe rruga që do të ndiqet nga çdo individ apo subjekt juridik, i cili mendon se ndaj tij ka fakte të pavërteta. Në ligj portalet dhe mediat emërohen me emrin Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike (OSHPE). Sipas ligjit, çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit është prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta prej OSHPE-së, ka të drejtën e përgjigjes. Personi që ushtron të drejtën e përgjigjes, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim, drejtuar ofruesit të shërbimit të publikimit elektronik duke parashtruar arsyet dhe faktet që mbështetin kërkesën e tij. Kërkesa për të drejtën e përgjigjes duhet të paraqitet tek OSHPE-ja, brenda 10 ditëve nga publikimi i fakteve dhe informacioneve që pretendohen jo të sakta. “Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga paraqitja e një ankese për refuzimin e së drejtës së përgjigjes nga një OSHPE, shqyrton çështjen dhe, nëse e gjen të drejtë ankesën e bërë, i kërkon OSHPE–së, korrigjimin e fakteve dhe informacioneve, në lidhje me personin e interesuar, në një mënyrë të ngjashme dhe kohë të njëjtë me atë të publikimit, objekt ankese, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit: në fillim të procedurës së shqyrtimit të ankesës, Këshilli i Ankesave i kërkon OSHPE-së, të cilit i adresohet ankesa, dhënien e shpjegimeve në lidhje me këtë ankesë. Këshilli i Ankesave i dërgon ankuesit dhe OSHPE-së përkatëse konkluzionet e arsyetuara për rastin”, thuhet në draft.
Kliti Topalli