Amerikanët kanë nxjerrë na pah të tjera zhvillime mbi periudhën komuniste në vendin tonë. Edhe pse ishin jugosllavët që e sollën Hoxhën në pushtet, pas aleancës me BRSS ai nisi një betejë të ashpër me ta. Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje në këtë aspekt, duke treguar se si Hoxha pezulloi planin për të ndërtuar një hekurudhë të përbashkët. Po ashtu u ndërprenë marrëdhëniet tregtare, sidomos në fushën e karburanteve.
5 prill 1949
Shqipëria e vijon luftën ndaj Jugosllavisë
Shqipëria i ka qëndruar besnike parimit se nacionalizmi sovjetik dhe Byroja Komuniste e Informacionit janë udhëheqësit e Demokracive Popullore, edhe pse ajo vetë është vënë në funksion nga fondet dhe ndihma teknike e Jugosllavisë. Por megjithë këtë kryeministri Hoxha ishte i pari që kërceu për të mbështetur BRSS në konfliktin dhe rrjedhimisht ndarjen me Jugosllavinë, dhe prej atëherë konflikti i tyre vetëm po intensifikohet. Vitin e kaluar Shqipëria ishte një satelit i Jugosllavisë, teksa drejtohej nga Hoxha, i ndjekur nga Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo. Por dymbëdhjetë muaj më vonë Hoxha kishte ruajtur autoritetin e tij me ndihmën e dy ndihmesave të tij dhe arriti ta kthente vendin në një kukull të Bashkimit Sovjetik. Atëherë sekretari i Partisë Komuniste Xoxe, bashkë me Kriston dhe shumë komunistë të tjerë përfunduan në burg. Zyrtarët kryesorë të Hoxhës ishin tashmë Tuk Jakova ish-ambasadori në Beograd, dhe gjenerali i ushtrisë Mehmet Shehu. Kontrolli sovjetik është zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme teksa teknikët e mëparshëm jugosllavë janë dëbuar nga vendi. Misioni fillestar rus prej rreth 300 zyrtarësh është zgjeruar tashmë në rreth 3000 oficerë dhe civilë, duke përfshirë dhe disa gjeneralë të ushtrisë. Shqipëria gjithashtu ka negociuar një marrëveshje të re tregtare me Bashkimin Sovjetik, duke deklaruar për të se i lejon kushte shumë më të favorshme nga ato që kishte më parë me Jugosllavinë. Hoxha është ankuar publikisht se Beogradi dëshironte që Shqiëpria të prodhojë materiale bazë për Jugosllavinë ndërsa Shqipëria të kthehet në një treg për mallrat e prodhuara në Jugosllavi. Me sa duket marrëdhëniet mes Shqipërisë e Jugosllavisë nuk kishin qenë të mira që prej fillimit. Që në nëntor 1947 Jugosllavia kishte kritikuar privatisht tendencat anti-jugosllave të Shqipërisë dhe anësinë nga kultura perëndimore.
Nxitja nga Kominform
Por Hoxha nuk kishte kurajën të fliste publikisht derisa erdhi nxitja dhe garancia nga grupi i Kominform. Pranverën e kaluar megjithë përpjekjet e Beogradit për të ruajtur miqësinë me anë të tolerimeve dhe ndihmës ekonomike, Hoxha dhe këshilltarët e tij sovjetikë nisën hapat drastike. Spastrimi i liderëve politikë u ndoq nga pezullimi i hekurudhës lidhëse me Jugosllavinë që po ndërtohej pranë Shkodrës, ndalimi i eksportit të naftës drejt Beogradit dhe anulimi i të gjithë marrëveshjes madhore tregtare mes vendeve. Në masat shoqëruese përfshiheshin dëbimi i personelit jugosllav në vend forcimi i kontrolleve kufitare dhe heqja e emrit të Marshall Titos nga pozita e lartë që ai kishte në makinerinë shqiptare të propagandës. Të gjitha këto u kryen në kohën kur Koçi Xoxe ishte truri i aparatit shtetëror të Hoxhës, por megjithatë në plenumin e shtatorit të Partisë Komuniste Xoxe dhe Kristo u denoncuan si elementë “trotskistë, agjentë pro-jugosllavë” dhe në nëntor ata kishin përfunduar në burg. Marshall Tito gjithashtu është quajtur në shtypin shqiptar, trotskist, imperialist, perëndimor. vetë Xoxe që drejtoi spastrimet anti-Tito, thuhet sipas Tiranës se po punonte për Titon që prej vitit 1944, gjë që nuk ka logjikë.
Xoxe ishte një fakt një spastrues i mirë, teksa drejtoi eliminimin e Nako Spiru, ministrit të industrisë në 1947, i cili sipas zyrtarëve në Tiranë vdiq aksidentalisht duke lëvizur pistoletën e tij gjatë një sesioni të Këshillit Ekonomik. Moska duket tani se po vazhdon të mbështetet në besnikërinë e Jakovës i cili kryesoi një delegacion ekonomik në Moskë, si dhe të M. Shehu, i cili ka luftuar për palën luajaliste në luftën civilë të Spanjës. Roli i tyre duket se është besnikëria 100 për qind ndaj Moskës dhe Kominform. Mund të spekulohet se spastrimet janë urdhëruar fillimisht nga Kominform për të paralajmëruar Marshall Titon se dhe ai duhet të bëjë diçka të ngjashme për të rifituar respektin e bllokut. Hoxha ka pranuar mëkatet e udhëheqjes dhe më pas ka përjashtuar dhe arrestuar dy ndihmësat e tij kryesorë dhe ka pranuar totalisht udhëheqjen e Moskës. Nëse kjo duhet të merret si një sinjal, Tito ka demonstruar shumë më tepër pavarësi sesa toskët e gegët e prapambetur të Shqipërisë. Taktikat e tyre të reja supozohet se kanë si qëllim të vënë në siklet Jugosllavinë, të cilat po diskutohen mes Hoxhës dhe Kremlinit në Moskë.
Baza strategjike
Sigurisht që Shqipëria mbetet baza strategjike e gurrilasve komunistë grekë dhe ka disa spekulime se çfarë roli mund t’i ngarkohet Hoxhës nga Kremlini në këtë aspekt dhe atë të shqiptarëve në zonën e Maqedonisë. Pro Hoxha është i zgjuar dhe mund të kuptojë se roli i tij për shqiptarët e Maqedonisë mund të sjellë humbje të territoreve të Shqipërisë.
15 korrik 1949
Jugosllavia raporton sulm kufitar
Gazeta komuniste jugosllave Borba raportonte dhje se rreth tridhjetë ushtarë shqiptarë mësynë në brendësi të territorit të Jugosllavisë dhe tentuan të marrin peng një qytetar jugosllav. Gazeta tha se ushtarët kishin bastisur disa ndërtesa pranë fshatit Rastelicë, dy milje në brendësi të territorit jugosllav natën e 8-9 korrikut. Gazeta akuzon se shqiptarët po nxiten sistematikisht nga qeveria e Enver Hoxhës për të shkaktuar provokime dhe përplasje për të cilat të fajësohet Jugosllavia.
17 gusht 1949
Shqipëria raportohet në krizë politike e ekonomike
Teksa fushata rebele komuniste greke duket se po shpërbëhet, raportimet nga Shqipëria flasin për një krizë në rritje. Megjithëse shteti policor i Enver Hoxhës e ka kontrolluar situatën deri tani, atmosfera përshkruhet si e tensionuar. Nuk përjashtohet mundësia që deri në fund të vitit të ketë zhvillime dramatike. Tashmë sateliti i fundit mesdhetar i Bashkimit Sovjetik, pas ndarjes me Jugosllavinë e Marshall Titos, ka nisur të ndjejë kostot e izolimit të saj gjeografik nga Bashkimi Sovjetik si dhe për drejtimin e ndërhyrjes në luftën civile greke. Kushtet ekonomike po përkeqësohen gjithnjë e më shumë dhe ushqimi është gjithnjë e më i vështirë për t’u gjetur. Si rezultat kemi rritje të opozicionit ndaj qeverisë në pjesët jugore dhe verilindore të vendit, të cilat po shqetësojnë qeverinë e Tiranës. Teksa ushtria e komunistëve greke është përfshirë sivjet nga kriza, Hoxha po përpiqet të nxisë rekrutimin e popullsisë çame nga jugu i Shqipërisë për të furnizuar njësitë e rebelëve grekë. Çamët janë një grup i vogël ballkanik me mendësi të pavarur, që nuk janë pajtuar kurrë as me turqit, as grekët e as shqiptarët. Ata thuhet se po i rezistojnë përpjekjeve të Hoxhës për t’u rekrutuar me forcë.
Trazirat fisnore
Ndërkohë nga informacione të tjera thuhet se zonat fisnore në verilindje të vendit trazirat janë në rritje dhe kanë shkaktuar ankth në Tiranë. Grupet fisnore që i përkasin popullit luftëtar Gegë të veriut, janë në kontrast me Toskët në jug që konsiderohen më të butë, nga ku Hoxha merr mbështetjen e tij më të madhe. Gegët kanë lidhje me minoritetin shqiptar në Jugosllavi në zonën e Maqedonisë, prandaj një numër i konsiderueshëm prej tyre janë arratisur tashmë, duke shkaktuar një problem serioz refugjatësh për Marshall Titon. Meqenëse është e pamundur të kontrollohet e gjithë vija malore kufitare mes Shqipërisë e Jugosllavisë, supozohet se trafiku i elementëve anti-Hoxha drejt Jugosllavisë dhe brenda Shqipërisë është i ndërsjellë. Për momentin regjimi në Shqipëri duket se ka pushtetin në dorë dhe nuk do të bjerë për sa kohë që rusët të kenë të gjithë vendin nën kontroll me anë të rreth 2000-3000 këshilltarëve civilë dhe ushtarakë që kanë instaluar aty. Por nuk është e sigurt nëse misioni do të mbetet aty përgjithmonë, tani që rebelimit grek po i vjen fundi si një forcë e organizuar. Kryeministri Hoxha nuk ka arritur të bindë Moskën për nënshkrimin e një traktati bilateral ushtarak apo ekonomike, si ai që kishte me Jugosllavinë. Tani që rebelët e mbijetuar grekë nga Vitsi po kthehen në Shqipëri, Hoxha po përballet dhe me problemin se nuk mund t’i bindë ata të rikthehen së shpejti në Greqi nga Gramozi. Gjithashtu disa mijëra njerëz të armatosur e të padisiplinuar nuk mund të kërkojnë ushqim në Shqipëri siç bënin në Greqi dhe mund të komplikojnë situatën në jug që është e tensionuar prej çamëve. Ndërhyrja e vazhdueshme e Shqipërisë në krizën civile greke ndoshta shtyhet nga problemet e brendshme të Hoxhës. Grekët argumentojnë se për herë të parë ushtarë të rregullt të ushtrisë shqiptare kanë marrë pjesë në betejat e rebelëve, të cilët mund të rezultojnë të jenë nga kontingjenti çam. Një oficer rebel grek i kapur, u tha javën e kaluar hetuesve para ekzekutimit se “të gjithë e dinë që kemi marrë ndihma nga Shqipëria”. Raportime të tjera bëjnë me dije se Shqipëria ka dhënë mbështetje logjistike për rebelët, e cila e ka burimin te Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera aleate të Kominform.
Ankorimet në Durrës
Siç raportohet këtë vit, gjashtë deri në tetë anije në muaj janë ankoruar në postin e Durrësit dhe të Vlorës në Shqipëri për të shkarkuar mallra e materiale për rebelët grekë. Mallrat për Greqinë më tej transportohen me hekurudhën e re Durrës Peqin, ku ndodhet dhe depo kryesore.
Disa avionë vijnë rregullisht nga Bullgaria, Hungaria e Rumania me përfaqësues, udhëzime dhe sasi të vogla ndihmash për rebelët, sipas raportimeve. Megjithëse këto përgatitje nuk mund të konsiderohet madhore për një vend të masës së Shqipërisë, ato përbëjnë harxhime të konsiderueshme për infrastrukturën e dobët të Shqipërisë, dhe sipas burime3ve janë shkaku i rritjes së trazirave dhe pakënaqësisë popullore.
23 gusht 1949
Shqipëria thotë se Tito u përpoq ta aneksonte
Hoxha thotë se qëllimi jugosllav u shmang vetëm me ndihmën e Rusisë dhe bllokut lindor
Kryeministri Enver Hoxha i Shqipërisë tha në edicionin e fundit të buletinit shtetëror të informacionit se Shqipëria do të ishte absorbuar në Jugosllavi, po të mos kishte qenë për ndihmën ekonomike dhe politike të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera lindore anti-Tito.
Ai shton se Bashkimi Sovjetik ka dërguar ose po dërgon makineri për ndërtimin e një hidrocentrali dhe kavo të transmetimit të tensionit të lartë, makineri bujqësore të tipeve të ndryshme si dhe pajisjet për ndërtimin e një kombinati tekstil. Ai shton se mes ndihmave të Rusisë përfshihen pajisjet për shpimet e naftës dhe për dy kombinate të përpunimit të drurit.
Sipas tij në vitet 1951-1952 Shqipëria do të marrë gjithashtu me kredi pajisjet për ndërtimin e një rafinerie nafte me kapacitet vjetor prej 150 000 ton, një stacion termik elektrik prej gjashtëdhjetë kilovat. Rusia do të kryejë gjithashtu kërkime shkencore për një numër degësh të industrisë shqiptare dhe do të japë ndihmë teknike për instalimin e pajisjeve të dërguara.
Polonia raportohet të ketë dërguar me kredi për Shqipërinë dy anije naftë, qymyr metalurgjik, sheqer dhe tekstile; Çekosllovakia ka dërguar kamionë të mëdhenj, pajisje kundër zjarrit dhe makineri industriale e bujqësore, mes mallrave të tjera; Hungaria ka dërguar pajisje telefonike e telegrafike, mjete alumini, lëkura e mallra konsumi; Rumania ka dërguar drithë, mider, benzinë, çimento e barka peshkimi; Bullgaria ka dërguar kuaj, derra, lopë, dru dhe tela.
Kryeministri shqiptar akuzon Titon se po përdor “metoda satanike” për të aneksuar Shqipërinë dhe se është fakt një agjent i imperializmit që maskohet si komunist. Jugosllavia thuhet se i ka ofruar Shqipërisë një hua për ta mbajtur të skllavëruar dhe për ta detyruar vendin e vogël të punojë për të. Shqipëria është detyruar të heqë tarifat ndaj Jugosllavisë dhe Marshall Tito është përpjekur të vërë nën kontroll minierat shqiptare duke ofruar të vendosë me Shqipërinë marrëdhënie të njëjta si ato mes vendeve të Benelux, thuhet në deklaratë.
Për ta absorbuar Shqipërinë, Hoxha thotë se Tito do të provokonte një incident që do t’i mundësonte trupave të tij të pushtonin Shqipërinë me pretekstin e mbrojtjes së sovranitetit të saj nga Greqia. Hoxha shton më tej se Tito po persekuton e burgos shqiptarët etnikë që jetojnë në krahinën e Kosovës në Jugosllavi dhe në zona të tjera. Minoriteti shqiptar raportohet se është transferuar në kampe përqendrimi në Banat dhe në Slloveni, sipas tij.