Qeveria pritet që shumë shpejt të fusë në skaner të gjithë punonjësit e administratës që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Ditën e djeshme Komisioni i Ligjeve zhvilloi një seancë dëgjimore për raportimin vjetor të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për vitin 2018. Raportin e paraqiti Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha, të cilës iu lanë një sërë porosish nga deputetët e komisionit. Në këtë kontekst, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, theksoi se mazhoranca ku ai bën pjesë shumë shpejt do të krijojë një regjistër të posaçëm me të gjitha punësimet, për të nxjerrë, siç tha ai në dritë, të gjithë kronologjinë se si një nëpunës është futur në punë dhe si e ka përfituar statusin e nëpunësit civil. Madje, për realizimin e këtij projekti, Manja kërkoi edhe bashkëpunimin e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, teksa ky i fundit ofroi gatishmërinë e asistencën e tij. “Ju ngarkoj juve si detyrë, që së bashku me ne si Komisioni i Ligjeve, të shohim mundësinë e krijimin e një harte për nëpunësit civili si në nivelin qendror ashtu edhe vendor, për të pasur një panoramë të qartë për të gjithë nëpunësit e administratës shtetërore, mbi mënyrën si janë punësuar, pozicionin që mbajnë, etj. Po ashtu, ka ardhur koha që të kemi një hartë administrativo-gjyqësore për të gjithë nëpunësit civili. Paguhen 2 subjekte për një vend pune. Kjo është e patolerueshme”, deklaroi ai.
Gati auditet për bashkitë e PD-LSI
Një tjetër risi që pritet të ndodhë gjatë këtyre muajve në kuadër të reformimit të administratës, është edhe auditimi mbi mënyrën se si pushteti vendor, sidomos ato bashki të drejtuara nga PD dhe LSI kanë bërë rekrutimet e punonjësve. Këtë shqetësim ngriti dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, duke marrë spunto nga mënyra se si punohet në bashkitë e opozitës, gjatë kohës që partitë respektive kanë thirrur protestë. Në këtë kontekst, Manja theksoi se kryebashkiakët ushtrojnë presion ndaj nëpunësit, duke i detyruar, sipas tij, ata të marrin pjesë në aktivitete politike edhe pse brenda orarit zyrtar. Madje, deputeti socialist shkoi më tej kur theksoi se duhet bërë edhe një auditimi mbi mënyrën e punësimeve, pasi një kryetar bashkie me një të rënë të lapsit heq të aftët dhe punëson militantët. “Komisioneri për mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, duhet të shtojë vëmendjen ndaj bashkive të opozitës. Është e papranueshme që kryebashkiakët ushtrojnë presion ndaj nëpunësit, duke i detyruar ata të marrin pjesë në protestat e thirrura prej partive, të cilët ata përfaqësojnë, brenda orarit zyrtar. Madje, është i patolerueshëm edhe fakti që iu vënë drynin bashkive, duke mos ofruar asnjë shërbimi për qytetarët gjatë kohës që minoranca proteston kundër qeverisë. Po ashtu, duhet të nis një audit për këto bashki dhe sa i takon mënyrës së punësimeve, pasi kur vijnë e heqin nga puna administratën e bashkisë dhe i zëvendësojnë me të pafatët dhe militantë”, nënvizoi kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Shkarkimet nga puna
Shkarkimet e paligjshme nga puna, janë kthyer në një shqetësim për Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Drejtuesja e këtij institucioni, Paravera Strakosha, para Komisionit të Ligjeve deklaroi se një pjesë e madhe e nëpunësve i fitojnë gjyqet, duke u paguar edhe pse ata nuk punojnë. “Një pjesë e madhe e nëpunësve i fitojnë gjyqet, duke u paguar edhe pse ata nuk punojnë. Kemi konstatuar që burimet njerëzore kanë bërë materialet, kanë bërë vendimet, kanë bërë shkresat dhe ngecin tek kryetari. Komisioneri nuk ka kompetencë të gjobisë kryetarin. Të sqarohet më saktë problemi i personit përgjegjës në kuptim të ligjit”, deklaroi Strakosha.
Rigels Seliman